PRISHTINË- Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e konsideron të rëndësisë së veçantë dhe historike, vizitën në Shqipëri të Atit të Shenjtë, Papa Françesku.
"Pas vizitës së Papa Gjon Palit II, në vitet '90, ardhja e Papa Françeskut në tokën shqiptare shënon një moment tjetër të rëndësishëm të raporteve të ngrohta dhe të afërta midis shqiptarëve dhe Vatikanit, midis kombit tonë dhe botës perëndimore në përgjithësi", shprehet ai.
Haradinaj thekson se, shqiptarët si popull me harmoni dhe mirëkuptim historik ndërmjet besimeve, i kanë dhënë botës dhe krishtërimit po ashtu, njerëz të mëdhenj, që në kohë të ndryshme me kontributin e tyre u shquan në mbrojtjen dhe sublimimin e vlerave të vërteta njerëzore.
"Vizita e këtyre ditëve e shenjtërisë së Tij, Papa Françeskut, do ta konsolidojë edhe më tej afërsinë shqiptare dhe përkushtimin tonë ndaj vlerave të lirisë, paqes, humanizmit, tolerancës dhe mirëkuptimit midis njerëzve dhe bashkëpunimin e drejtë me Vatikanin dhe mbarë botën perëndimore", thuhet në urimin e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj./ATSH/