Në fund të këtyre takime Ish-kryeministri i Kosovës dhe njëkohësisht kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj mbajti një fjalim përshëndetës përpara deputetëve në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Haradinaj u shpreh se i gjithë kombi shqiptar e ka zgjedhur rrugën e vet, rrugën drejt NATO-s dhe Unionin Europian, duke theksuar se ne si komb i kemi potencialet reale për t'i rritur përpjekjet dhe për ta shkurtuar rrugën drejt integrimit, duke e bërë këtë shekull një shekull të dritës. Nga ana e saj kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka shprehu kënaqësinë dhe falenderimin për vizitën e Haradinajt në Tiranë.
FJALA E PLOTE E HARADINAJ NE KUVEND
"Gjeneratat e ndryshme të shqiptarëve jashtë kufijve të shtetit shqiptar të vitit 1913, e kanë parë Shqipërinë ndryshe nga njëra-tjetra. Pamja e Shqipërisë ka qenë e ndryshme në sytë e shqiptarëve, por dëshirat dhe shpresat se si duam ta shohim qenë të njëjta. Unë e kam njohur nga afër Shqipërinë, në vitet ‘90 si një djalë i ri shqiptar që vinte nga Kosova dhe që synonte aftësimin e Kosovës në luftë për liri. Ashtu siç edhe kam pritur, kam gjetur këtu vëllezër dhe motra të gatshëm që të na bëjnë strehë dhe të na ndihmojnë në të gjitha mënyrat, me zemër, përkundër shumë vështirësive kolektive dhe individuale me të cilat ballafaqoheshin në atë kohë. Liria erdhi por me flijime të mëdha. Shumë ka ndryshuar nga ajo kohë dhe këto ndryshime janë shumë të dukshme. Sot, faktori shqiptar në Ballkan është kyç për ekonominë, politikën dhe sigurinë në rajon. Dita e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO është dita kur është formalizuar rreshtimi i shqiptarëve drejt. Dita kur miqtë më të mëdhenj historikë të kombit janë bërë edhe partnerë dhe aleatë. Ne jemi gjeneratë dëshmitare se tani i gjithë kombi shqiptar në trojet e veta në Ballkan, e ka zgjedhur rrugën e vet, rrugën drejt NATO-s dhe Unionit Europian. Unë jo vetëm besoj plotësisht, por edhe do të angazhohem fuqishëm që edhe Kosova, si shteti më i ri në Europë ta zë hapin me të gjitha vendet tjera drejt integrimit, që saktë të aplikojë rregullat dhe vlerat euroatlantike në sundimin e ligjit, ekonominë e lirë dhe të drejtat e njeriut. Unë besoj sinqerisht se është në interes të të gjithë shqiptarëve, që të gjitha vendet tona fqinje t'i aplikojnë të njëjtat rregulla dhe vlera. Ky shekull ka filluar për së mbari për shqiptarët dhe tani integrimi është i pashmangshëm. Unë besoj fuqishëm se kemi ende shumë hapësirë dhe potencial real për t'i rritur përpjekjet dhe për ta shkurtuar rrugën drejt cakut tonë të përbashkët, për ta bërë këtë shekull një shekull të dritës për ne. Ishte nder për mua t’ju drejtohem sot juve. Faleminderit për nderin që më dhatë".
TAKIMI NISHANI-HARADINAJ: TE FUQIZOJME FAKTORIN SHQIPTAR NE RAJON
Presidenti Nishani dhe Haradinaj gjatë takimin të zhvilluar sot në Tiranë, ndanë të njëjtin mendim për rritjen e mundësive, krijimin e hapësirave të përbashkëta për të forcuar bashkëpunimin me synim zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e faktorit shqiptar në rajon. Ata u ndanë të njëjtin mendim se duhen harmonizuar dhe sinkronizuar përpjekjet për arritjen e objektivave të përbashkëta, për integrimin euroatlantik të Shqipërisë dhe Kosovës.
Kreu i Shtetit e cilësoi përballjen e Ramush Haradinaj në Gjykatën e Hagës si ngritje në dinjitetin e merituar të luftës së UÇK-së dhe vijim të rezistencës dhe sakrificës së qytetarëve të Kosovës që ranë për idealin më të lartë të kombit, lirinë.
“Presidenti Nishani vlerësoi kontributin e zotit Haradinaj si luftëtar, në drejtimin e njësive të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës për çlirimin e saj; rolin e tij si politikan në ndërtimin e institucioneve demokratike të shtetit të Kosovës si dhe vendosmërinë dhe ndershmërinë në përballjen dinjitoze me drejtësinë ndërkombëtare, e cila dha një ndihmesë të çmuar në imazhin e vërtetë të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës të mbështetur nga partnerët ndërkombëtarë, pasi ishte një luftë e drejtë për liri”, bëhet e ditur në njoftimin për shtyp të Presidencës.
Ish-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pasi e falenderoi Presidentin Nishani për konsideratën e lartë, e siguroi se do të vazhdojë të kontribuojë me konstruktivitet në politikën e Kosovës për të ecur përpara për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe integrimin euroatlantik.
TAKIMI META-HARADINAJ: BASHKEPUNIM I NGUSHTE LSI-AAK
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta priti sot në selinë e LSI-së, Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.
Meta theksoi rëndësinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke vlerësuar përgjegjshmërinë e lartë të treguar nga Haradinaj dhe AAK në shërbim të mbarëvajtjes së bisedimeve, si një kontribut të çmuar në interes të konstruktivitetit dhe paqes në rajon. Ai vlerësoi lirimin e Haradinajt nga akuzat për krime lufte.
“Është kënaqësi e veçantë për të gjithë ne që të ndjejmë se politika mbarëshqiptare është shumë më e relaksuar pas 100-Vjetorit të Pavarësisë dhe krijimit të shtetit shqiptar pasi një ditë më pas Ramush Haradinaj triumfoi ndaj akuzave të padrejta në Tribunalin e Hagës duke kaluar një provë të vështirë dhe duke përjetuar sakrifica të mëdha, por duke sjellë një fitore të rëndësishme që konfirmoi drejtësinë e popullit shqiptar të Kosovës, por jo vetëm kaq edhe duke na dhënë një lajm shumë të gëzuar në ditën e parë të 100 viteve që vijnë”, tha Meta gjatë konferencës dhënë për mediat pas takimit që ata patën.
Haradinaj shprehu angazhimin e plotë të AAK në interes të forcimit të shtetit të Kosovës dhe të garantimit të të drejtave të të gjithë pakicave, siç është sanksionuar nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
“Edhe sot e konfirmoj një gatishmëri timen për të vazhduar një bashkëpunim të tillë që të ndihmojmë vetveten, rrugën tonë ashtu sikurse edhe e tha edhe kryetari drejt integrimeve, drejt normalizimit të marrëdhënieve me fqinjët dhe drejt avancimit të çështjes shqiptare në Ballkan. Po ashtu unë sot meqë mendoj se shteti i ri i Kosovës është kontribut ose avancim i çështjes shqiptare kam sjellë, edhe për simbolikën e vet, hartën e Kosovës të cilën e kam nderin për ta dhuruar në shenjë të 100-vjetorit”, tha Haradinaj.
Meta dhe Haradinaj ranë dakord për intensifikimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të ngushtë mes LSI dhe AAK dhe shprehën bindjen se mbarë hapësira shqiptare në rajon sot, është më e çliruar dhe më e fortë se kurrë, bën të ditur zyra e shtypit e LSI.
Redaksia Online
(Gre.M/eç/Shqiptarja.com)