BERAT - Ish-kreu i UÇK-së dhe ish-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë sot titullin ‘’Nderi i Qarkut të Beratit” në një ceremoni, që është zhvilluar në ambientet e universitetit, për kontributin e çmuar në çlirimin dhe fitoren e pavarisë së Kosovës.

I shoqëruar nga një staf mjaft i ngushtë, Haradinaj mbërriti fillimisht në Këshillin e Qarkut, ku u prit nga kryetari Petrit Sinaj. Ai e njohu ish-Kryeministrin e Kosovës me resurset e këtij qarku, pozitën gjeografike si dhe mundësitë për bashkëpunim ndërmjet komunave të Kosovës dhe njësive vendore të këtij qarku.

Më pas, ceremonia ka vijuar në sallën e konferencave të Universitetit të Beratit, ku morën pjesë deputetë, pushtetarë lokalë dhe studentë. Nënkryetari i parlamentit dhe deputeti i LSI-së në këtë qark, Nasip Naço, vlerësoi kontributin e Haradinajt në luftën e UÇK-së për çlirimin e Kosovës dhe përballjen me tribunalin e Hagës.

Kryetari i Këshillit të Qarkut, Petrit Sinaj, lexoi për të gjithë të pranishmit motivacionin e titullit të nderit për ish kreun e UÇK-së, Haradinaj, titull i cili është vendosur më pesë tetor të vitit të kaluar, kohë në të cilën ende nuk kishte përfunduar gjykimi ndaj ish-Kryeministit.

Duke falenderuar për këtë titull, Haradinaj u shpreh ndër të tjera se Kosva ka ende rrugë për të bërë për proceset integruese të vendit dhe se për këtë nevojitet dhe ndihma e Shqipërisë. Më pas, në një komunkim me mediat Haradinaj, foli edhe për zhvillimet e fundit politike në Kosovë.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)