Ministrja përgjegjëse edhe për departamentin e administratës, sqaron se konkurset për momentin janë ndaluar për shkak të vendimit të gjykatës Kushtetuese , dhe do të fillojnë në korrik.
Duke folur për gazetarin Arbër Hitaj, në lidhje me shifrat e dhëna nga demokratët, Harito sqaron se “shifra e dhëna nga ana e PD-së janë të pavërteta dhe të pabaza”.
Konkurset për vendet vakante në administratë. Si po shkojnë këto konkurse dhe kur priten fituesit?
Konkurset për ta sqaruar, vendet vakante u shpallën deri më 31 dhjetor, ashtu siç e parashikonte ligji i ri i nëpunësit civil, i cili 3 muaj para datës së shtrirjeve të efekteve nuk lejonte hapjen e konkurseve të reja. Ato filluan të bëhen gradualisht sepse ishin mbi 300 vende të hapura pune, dhe një pjesë e tyre u realizuan përpara datës 26 shkurt, që është data që u shpall vendimi i gjykatës kushtetuese. Që nga kjo datë, meqë ligji i ri shtrin efektet e plota, u ndërpre procedura e konkurseve dhe pritet që procedura e konkurseve tani të bëhen sipas ligjit të ri që është shumë i ndryshëm, dhe besoj se deri në muajin korrik nuk do ketë më konkurse.
Aspekti politik, pretendimet e opozitës për spastrime në administratë. Nëse mund të bëjmë një krahasim shifrash, si është dhe si paraqitet shifra nga shtatori 2013 në krahasim me vitin 2005-2006 kur erdhën deputetët në pushtet?
Krahasime të tilla janë si nata me ditën. Ne kemi shifra të qarta për nëpunësit civil që janë shifra zyrtare që ja kemi dhënë edhe opozitës, nëpërmjet kërkesave që kanë bërë, ua kemi dhënë në mënyrë shumë transparente. Së pari sepse departamenti i administratës publike, ka pasur në përgjegjësi në bazë të ligjit të vitit 2009, vetëm pjesën e nëpunësve civil, dhe kështu do jetë edhe më tej, por pjesa e nëpunësve civilë rritet shumë me ligjin e ri, dhe shkon nga rreth 3000 vetë deri në 7000 vetë të administratës shtetërore qendrore, dhe po të llogarisim edhe pushtetin lokal shkon deri në 20 mijë vetë. Pra për administratën shtetërore qendrore, shifrat janë si më poshtë: ka gjithsej 60 dorëheqje me funksione të larta, që dhanë dorëheqje direkt, ndoshta për shkak të angazhimit me palën tjetër politike, dhe ndoshta nuk u ndien komodë për të bashkëpunuar me ne. Ka 7 masa disiplinore, ka 2-3 persona që kanë dalë në pension, ka rreth 260-270 veta në listë pritje. Kjo listë pritje, në bazë të organizimit të strukturave të ministrive kryesisht, u kërkua nga kryeministri që të tkurrej administrata, pra edhe pse u shtua numri i ministrive, numri global i punonjësve në ministri u pakësua me 15%, për këtë dolën në listë pritje disa persona. Veç kësaj ministritë u ristrukturuan, dhe shkak i këtij riorganizimi disa njerëz nuk përshtateshin me vendet e punës dhe këta njerëz dolën në listë pritje. Ishin 270 vetë në listë pritje dhe tani janë 260 pasi këta persona janë të avantazhuar krahasuar me ata që hyjnë në konkurrim, pra nëse përshtaten me vendet e reja të punës, ata kanë prioritet dhe vendosen në vendet vakante, prandaj lista e pritjes është shkurtuar.
Kemi një shifër nga opozita, 4000-4500. Është shifër e bazuar në bazë të të dhënave apo nga ka dal kjo shifër?
Për ta kuptuar se sa pak e besueshme është kjo shifër e thënë nga disa deputetë të opozitë, zotit Fule, iu raportua nga opozita shifra prej 2700. Unë vetë u kam kërkuar opozitës, në takime që kemi pasur, të më thonë se nga vijnë shifrat, dhe si janë mbledhur ato. Partnerët tanë ndërkombëtarë u kanë kërkuar listën me emra, por asnjëri nga ata nuk e disponon sot. Pra kjo është një propagandë e rëndomtë. Thonë se vjen nga një portal i tyre, por siç e dini në një portal kushdo mund të regjistrohet nëse mbrapa nuk ka një verifikim të qartë, për shembull disa emra që u publikua me 1000 emra, ne bëmë disa verifikime, në disa ministri dhe dilte se gjysme e tyre nuk kishte lidhje me çështjen, pra shifra krejtësisht të pa konsoliduara. Ndërkohë mund t’ju them se komisioni parlamentar që është ngritur për administratën publike në vitin 2006 ka konstatuar rreth 10 mijë vende të të larguarve nga puna nga PD-ja, por ne nuk duam të merremi me ta sepse siç kemi thënë ne nuk kemi lidhje me ta.
Ju po ndërmerrni një reformë të rëndësishme në administratën publike, e cila është edhe një nga prioritet e KE. Në cilin model jeni bazuar dhe çfarë do të ketë ndryshe nga administrata e kaluar?
Këtu duhet të përqendrohemi. Gjithë zhurma që po bëhet për largimet ka të bëjë me numra shumë të vegjël që është pjesa e nëpunësit civil. Çfarë ndryshon ligji i ri? Modeli është ndërtuar me partnerët evropianë, dhe ky ligj është votuar në maj 2013, pra nuk e ka bërë mazhoranca jonë. Është një ligj i ndërtuar me partnerët evropianë, dhe që reformon në mënyrë esenciale administratën. Dhe gjëja esenciale që ndryshon është mënyra si rekrutohen njerëzit. Sot konkurset organizohen për çdo institucion që ka shpallur vendet vakante, pra vijnë kandidatë, përzgjidhen 3 fitues, 3 të parët, dhe drejtuesi i institucionit zgjedh atë që i duket më i përshtatshëm, ndërkohë me ligjin e ri, situata është komplet e ndryshme, se nuk ka më konkurse për çdo institucion, sepse konkurset do të bëhen në grup. Kjo do të thotë se institucionet e ndryshme paraqesin kërkesat e tyre pranë departamentit të administratës publike, mblidhen këto kërkesa, dhe pastaj hapen vendet vakante, organizohet konkursi, rankohen, dhe ai që del i pari përzgjedh vendin ku do shkojë, pra nuk është më drejtuesi i institucionit që zgjedh personin, por personi zgjedh institucionin ku do shkojë sipas rankimit të tij. Ky është një ndryshim esencial, sepse kjo do të thotë se drejtuesit nuk kanë më të drejtën e përzgjedhjes së njerëzve por duhet të punojnë në me njerëzit që kanë aty. Pse bëhet gjithë kjo, një nga kushtet për rrugën tonë drejt BE është reforma në administratë. Po përse na kërkohet? Do marrim statusin kandidat, pas kësaj fillon kapitulli, hapja e negociatave që është një proces shumë i gjatë dhe i vështirë, dhe që të realizohet ky proces kërkon një administratë të një niveli shumë më performant se administrata që kemi sot. Dhe ky ligj këtë synon. Që kjo të fusë vendin në BE. Pra të rrisim nivelin e performancës së administratës sonë.
Pjesa tjetër e dikasterit veç administratës. Inovacioni dhe teknologjia, çfarë projektesh konkrete ka ministria juaj, duke përfshirë koordinimin dhe bashkëpunimin rajonal?
Ajo që mund të themi është se ne kemi një portal ‘e-Albania’, në të cilin duhet të ofrohen shërbime për qytetarët. Deri dje ofroheshin pak shërbime, vetëm matura shtetërore, që prej pak ditësh kemi shtuar shërbime të reja sot për shembull mund të kontrolloni gjendjen tuaj civile, shumë shpejt do të fusim trungun familjar, mund të verifikoni të dhënat, bizneset, do e lidhim me pronat. Dhe ajo që duam të bëjmë me këtë portal është që të gjitha që disponohen në institucionet e ndryshme të ndërlidhen mes tyre. Pse është e rëndësishme kjo? Sepse do të lehtësoje shumë punën e administratës dhe do të rrisë performancën e saj. Sot kur shkoni për shembull për të regjistruar një biznes ju kërkohen një sërë vërtetimesh që merren po nga administrata shtetërore, pikërisht duke i ndërlidh këto sisteme nuk do jetë më nevoja sepse institucioni do ketë akses vetë në gjërat që ju kërkohet ju dhe procedurat do lehtësohen shumë. Ne mendojmë se pasi të bëjmë këtë fazë të parë, do krijojmë dhe një qendër unike shërbimesh në Tiranë dhe pastaj në qarqet e tjera ku qytetarët të vijnë dhe në mënyrë shumë transparente marrin shërbimet që ju kërkohen për të shmangur korrupsionin e vogël nëpër sportele.
Po koordinimi rajonal me Kosovën?
Sot kishim një takim nga agjencia e informacionit të Kosovës, ekuivalente që e kemi edhe ne. Kjo është në kuadër të partneritetit të dy qeverive, i cili është hapur me mbledhjen e qeverisë në Prizren, dhe mendojmë se me ta do të krijojmë një partneritet më të thellua, kemi disa projekte të përbashkëta, dhe duke bashkëpunuar bashkë shpresojmë që deri në mbledhjen tjetër të dy qeverive të kemi arritur në disa projekte konkrete mes dy vendeve.
Redaksia online
(ec/shqiptarja.com)
