Harris drejtuar Netanyahut: Izraeli ka të drejtë të mbrohet, por rëndësi ka mënyra si e bën! S'do të hesht për Gazën! Shtëpia e Bardhë: Marrëveshja e armëpushimit një hap larg

Nënpresidentja amerikane Kamala Harris, i bëri presion të fortë Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të enjten në lidhje me situatën humanitare në Gaza në bisedimet "e sinqerta" që u vëzhguan për shenja se si ajo mund të ndryshojë politikën amerikane në lidhje me Izraelin nëse bëhet presidente.

"Izraeli ka të drejtë të mbrohet. Dhe mënyra se si e bën këtë ka rëndësi", u tha Nënpresidenjta Harris gazetarëve pas takimit. Ajo tha se ngriti shqetësimet e saj serioze për shkallën e vuajtjeve njerëzore në Rripin e Gazës.

“E bëra të qartë shqetësimin tim serioz për situatën e rëndë humanitare atje”, tha ajo. “Nuk do të hesht”.

Komentet e zonjës Harris pasqyruan atë që mund të ishte një ndryshim nga Presidenti Joe Biden në mënyrën se si ajo sillet me zotin Netanyahu.

Disa orë më parë, Presidenti Biden bëri presion për një armëpushim në luftën 9-mujore në Gazë në bisedimet e tij të para ballë për ballë me zotin Netanyahun që kur presidenti udhëtoi në Izrael disa ditë pas sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor dhe premtoi mbështetjen amerikane.

Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se ka ende mosmarrëveshje midis Izraelit dhe militantëve të Hamasit në negociatat për arritjen e një armëpushimi, por "ne jemi më afër tani se sa kemi qenë më parë".

"Të dyja palët duhet të bëjnë kompromise", tha zoti Kirby.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matt Miller, tha: "Unë mendoj se mesazhi nga pala amerikane në atë takim do të jetë se ne duhet ta tëjkalojmë të gjitha pengesat për të arritur këtë marrëveshje".

Vizita përkon me një ndryshim në politikën amerikane. Të dielën, 81 vjeçari Biden u tërhoq nga gara presidenciale pas presionit të kolegëve demokratë dhe mbështeti Nënpresidenten Harris për të marrë emërimin e partisë si kandidate për presidente.

“Mirë se erdhe përsëri, zoti Kryeministër”, tha Presidenti Biden të enjten. "Kemi shumë për të folur, ndoshta duhet të fillojmë menjëherë."

"Nga një zionist krenar hebre tek një zionist krenar irlandezo-amerikan, dua t'ju falënderoj për 50 vitet e shërbimit tuaj për publikun amerikan dhe 50 vitet e mbështetjes për shtetin e Izraelit", u përgjigj Kryeministri Netanyahu.

"Jam i gatshëm të diskutoj me ju sot dhe të punoj me ju në muajt në vijim për çështjet e mëdha dhe me rëndësi."

Shtëpia e Bardhë u rrethua me gardhe shtesë sigurie për shkak të protestave kundër vizitës së Kryeministrit Netanyahu të enjten.

Presidenti Biden dhe Kryeministri Netanyahu më herët u takuan së bashku me familjet e pengjeve amerikane, që po mbahen nga Hamasi. Përfaqësuesit e familjeve u thanë gazetarëve pas takimit se ata shpresonin për një marrëveshje armëpushimi që do të çonte në lirimin e pengjeve.

"Ne erdhëm sot me një ndjenjë urgjence", tha Jonathan Dekel-Chen. Ai tha se ata ishin më optimistë për arritjen e një marrëveshjeje që nga lirimi i parë i pengjeve izraelite nga një armëpushim i mëparshëm.

TENSIONIMI I MARRËDHËNIEVE BIDEN-NETANYAHU

Marrëdhëniet midis Presidentit Bidenit dhe Kryeministrit Netanyahut janë tensionuar për muaj të tërë për shkak të ofensivës së Izraelit në Rripin e Gazës, në të cilën janë vrarë më shumë se 39 mijë njerëz, sipas zyrtarëve shëndetësorë në Gazë.

Shtetet e Bashkuara janë ndër furnizuesit kryesor të armëve për Izraelin dhe e kanë mbrojtur vendin nga votat kritike në OKB.

Mbetet të shihet nëse Presidenti Biden, i cili do të jetë në detyrë edhe për jashtë muaj të tjerë, apo Nënpresidentja Harris, e cila ka mbështetje pothuajse të barabartë me rivalin republikan Donald Trump në sondazhet e fundit, mund të kenë ndonjë ndikim tek Kryeministri Netanyahu.

Të premten, zoti Netanyahu udhëton në Florida për të zhvilluar një takim me zotin Trump.

Nënpresidentja Harris ka qenë në një linjë me Presidentin Biden për Izraelin, por ka përdorur një ton më të ashpër ndaj udhëheqësit izraelit.

Konflikti filloi më 7 tetor kur militantët e Hamasit, që është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, sulmuan Izraelin jugor nga Gaza, duke vrarë 1200 njerëz. Sulmi i militantëve palestinezë, u pasza nga një ofensivë e gjerë e ushtrisë izrelite në Rripin e Gazës.

Militantët e Hamasit morën 250 pengje më 7 tetor, sipas qeverisë izraelite. Rreth 120 pengje ende po mbahen nga Hamasi ndonëse Izraeli beson se një pjesë e madhe e tyre tashmë kanë vdekur./ VOA

M.Q./I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Tronditet Nju Jorku, burri djeg një grua në metro, ndërron jetë! Policia në kërkim të autorit

Tronditet Nju Jorku, burri djeg një grua në metro, ndërron jetë! Policia në kërkim të autorit