TIRANE - Afati për përfundimin e rikonstruksionit të çerdhes nr.15, që ndodhet pran sheshit “Shtraus” në kryeqytet ka përfunduar. Ndërsa kjo çerdhe ka mbetur ashtu siç u prezantua në fillimin e punimeve të saj.

Megjithëse kërkesa është më e lartë se kapacitetet e çerdheve, punimet aty janë lënë pas dore ndërkohë që fëmijët janë shpërndarë nëpër godina të tjera. Tabela në hyrje të çerdhes tregon që kjo godinë është në rikonstruksion, ndërkohë që në oborrin e saj gjenden vetëm grumbuj dherash, dhe një ndërtesë me xhama të thyer, e lënë në harresë.

Punime për rikonstruksionin e çerdhes nr.15 kanë filluar që në muaj nëntor të vitit që lamë pas. Edhe pse kanë kaluar shtatë muaj nga inaugurimi i fillimit të punimeve, në këtë çerdhe nuk ka asnjë ndryshim nga i para shtatë muajve.

Sipas banorëve të lagjes punimet në këtë çerdhe kanë kohë që janë ndërprerë, aty u punua vetëm pak ditë. “Punimet këtu kanë disa muaj që kanë filluar, nuk e di me saktësi. Ka kohë që janë ndërprerë , u punua vetëm pak ditë pas inaugurimit të fillimit të punimeve” shprehet një banor i lagjes.

E ndonëse afati i përfundimit të punimeve ka mbaruar askush nuk e di se kur ato do rifillojnë dhe a do të jetë e gatshme kjo godinë të presë në shtator vogëlushët. “Nuk e di se kur do të fillojë dhe pse ato janë ndërprerë.

Flitet se deri në shtator do ketë përfunduar” na tregon një tjetër banor. Në inaugurimin e fillimit të punimeve për këtë çerdhe ka qenë i pranishëm edhe vetë kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha.

Ai në atë kohë u shpreh se “Në çerdhen nr. 15 ku ndodhemi sot, do të nisë një rikonstruksion i cili në pjesë të veçanta mund të themi se do të ngërthejë të gjithë teknologjinë e ndërtimit të historisë së njerëzimit.

Do të heqim kallamët me të cilët është bërë tavani, do i zëvendësojmë me teknologji moderne e të sigurt të ndërtimit dhe izolimit nga i ftohti dhe lagështira, do të ndryshojë tërësisht planimetria, për të bërë të mundur rritjen e kapacitetit nga 70 në 80 fëmijë si dhe do të përmirësohen 100% kushtet hidro - sanitare dhe e gjithë çerdhja do të shtrohet me parket” u shpreh Basha.

Fondi prej 10.4 milionë lekësh për rikonstruksionin e saj është akorduar nga Bashkia e Tiranës. Rikonstruksioni i kësaj çerdheje duhet të ishte ktyer brenda 6 muajve. Ndërsa fëmijët e çerdhes nr.15 janë shpërndarën në tre çerdhe të tjera, në çerdhen nr. 26 dhe 16 dhe 56.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 08.05.2013

Redkasia Online
(b.m/shqiptarja.com)