Harta e re 88 vota, mazhoranca
“merr” PDIU “humbet” PBDNJ

 Harta e re 88 vota, mazhoranca<br />“merr” PDIU “humbet” PBDNJ
TIRANE - Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar sot me 88 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim, reformën administrativo-territoriale, për hartën e re me 61 bashki. Ashtu siç ishte paralajmëruar, reforma e shumë diskutuar për ndarjen e re të vendit u miratua me votat e mazhorancës, por pa ate te aleatit Vangjel Dule, ndersa mori 5 votat e deputeteve te PDIU-së, si e vetmja parti opozitare që u bë pjesë e konsensusit për këtë reformë.

Ndërkohë i vetmi që abstenoi në votimin për ndarjen e re territoriale, ishte deputeti i LSI Vangjel Tavo. Edhe të ashtuquajturit 5 ‘rebelë’ të Partisë Socialiste, të cilët kishin shprehur pakënaqësi ditë më parë, ishin të pranishëm në seancë, si dhe kanë dhënë votën e tyre, pro ndarjes së re administrativo-territoriale të vendit. 

Në ditën e fundit të seancës plenare, nuk munguan as debatet për reformën territoriale ku ishte vetë kryeministri i vendit Edi Rama, i cili teksa vlerësoi rëndësinë e kësaj reforme për zhvillimin ekonomike e social të vendit, i dha fund diskutimeve për Himarën, duke theksuar se një çështje e tillë nuk ekziston dhe se Shqipëria gjthmonë e ka respektuar dhe do të vijojë të respektojë minoritetin grek në vend. 

"Çështja e Himarës nuk është çështje veçse nëse përdoret për tu keqpërdorur për vite të tëra dhe është ora për ta mbyllur këtë kapitull dhe për të nënvizuar që Himara është një nga 58 bashkitë e reja të ngritura mbi zonat funksionale dhe që garanton integrimin urban, ekonomik dhe social" theksoi Rama

tom doshi

Më herët, Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore Bledi Çuçi tha se me ndarjen e re e terriorit të Shqipërisë janë bërë lëshime ndaj zonave minoriate si ansjë vend në Europë, duke shtuar se përfitojnë të gjithë shqiptarët. Kjo deklaratë erdhi në kundërpërgjigje të kreut të PBDNJ-së Vangjel Dule i cili ripërsëriti edhe në këtë seancë, votën e tij kundër me akuzat se reforma bazohet në elementë elektoralë. Ai tha se vetëm referendumi e zgjidh problemin sipas tij, të bashkimit të Himarës me Vranishtin. Dule, i cili është pjesë e koalicionit mazhoritar, ka deklaruar më herët se nëse kjo reformë miratohet do të dalë nga qeveria.

Pavarësisht bojktotit të shpallur të opozitës, në seancën e fundit të parlamentit për këtë sesion, morën pjesë edhe 6 deputetë nga opozita, kreu demokristian Nard Ndoka dhe 5 deputetët e PDIU-së. Kreu i PDK-së e ka cilësuar jo konsensuale reformen, duke deklaruar qëndrimin për kalimin nga 12 qarqe në 6 rajone. Ai tha se dhe pse pjesmarrës në sallë, bazuar mbi këto argumente, vota e tij do të jetë kundër. Ndërsa Shpëtim Idrizi deklaroi votën pro, duke shënuar partinë e vetme opozitare që e mbështet reformën territoriale.

Pak përpara nisjes së debatit për reformën territoriale në Kuvend, kryeministri Edi Rama shkroi në rrjetin social Facebook se “kjo reformë historike do të riorganizojë Shqipërinë si shtet modern, përmes ndarjes së re administrative”.

Projektligji “Për ndarjen Administrativo – Territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”. (shumicë e cilësuar) Duhen të paktën 84 vota pro për miratim.
Në parim: 88 pro
1 kundër
1 abstenim
Nen për nen: Miratohet (vetëm Vangjel Dule abstenim)

Në tërësi: 
Kundër 1
Pro 88
1 abstenim

Votimi për amendamentet:
Amendamenti I i Vangjel Dules, nuk miratohet: 
1 abstenim (vota e Ilir Metës)
3 vota pro
Të tjerat kundër
Amendamenti II i Vangjel Dules, nuk miratohet
1 abstenim (vota e Ilir Metës)
3 pro
Të tjerat kundër
Amendamenti III i Dules dhe Idrizit, votohet 
Asnjë kundër 
Asnjë abstenim
Amendamenti IV i Dules, i njëjtë me amendamentin e grupit të deputetëve të PS dhe LSI, votohet 
1 abstenim (vota e Shpëtim Idrizit)
Amendamenti V i Vangjel Dules, nuk votohet: 
1 abstenim (vota e Ilir Metës)
3 pro 
Të tjerat kundër
Votimi për amendamentet e Martos:
Amendamenti I: Livadhjaja të quhet bashkia Finiq, miratohet
1 abstenim (vota e Bashkim Finos) 
Të tjerët pro
Amendamenti II: Qendra e bashkisë nga Livadhja të quhet Dyrmysh, miratohet
1 abstenim (vota e Bashkim Finos)
Të tjerët pro

parlament

Diskutimet për reformën territoriale 

ORA 16:50 Rama: Nuk ka një çështje Himarë, po keqpërdoret, është si gjithë bashkitë e tjera. 

Reforma territoriale dhe diskutimet që ajo ka ngjallur në vend u është bërë pjesë edhe kryeministri Edi Rama në sesionin e fundit parlamentar. Në fjalën e tij, para votimit të kësaj reforme, Rama, teksa vlerësoi rëndësinë ekonomike dhe sociale që ajo sjell, u ndal kryesisht tek çështja e shumëdiskutuar e minoriteteve në Himarë.
 
Kryeministri i Shqipërisë, tha se Himara është si gjithë bashkitë e tjera ndërsa hodhi poshtë akuzat se shkelet konventa e të drejtave të minoriteteve, duke shtuar se sipas tij nuk ekziston një çështje “Himara” por se diçka e tillë po keqpërdoret.
 
Rama ripërsëriti se nuk ka asnjë dallim mes minoritetit dhe shqiptarëve në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe se Himara është një territor shqiptar ndërsa nënvizoi se edhe historia ndër vite është dëshmitare e kësaj.
 
“Sigurisht nuk mund t’i shmangem debatit lidhur me minoritetin, dhe si unë dhe Dule kemi respekt për Milon por jemi të bindur se Milo ka më shumë respekt për Eqerem Çabej se veten. Për mua dhe për të gjithë, Himara është njësoj si të gjitha bashkitë e tjera që u krijuan mbi bazën e kritereve që të jenë funksionale dhe fakti që këtu jeton një pjesë e minoritetit grek. Nuk tregon asgjë veçse detyrimin për të repsketuar minoritetin. Po rikthehem tek Çabej i cili në 1936 punonte si inspektor në arsim dhe im atë kishte ca telashe që çuditërisht historia flet se i kishte me një Bollano. Dhe Ministria e Arsimit nis Çabejn për të inspektuar dhe ai harton një dokument. Ai shkruan: Himara në tërësinë e saj ka qenë dhe është një krahinë shqiptare ku në disa zona sundojnë disa karakteristika më shumë se në krahina të tjera. Për to flasin këngët e vajtimet e tyre që janë shqip, traditat e tyre. Ata e dinë se janë një fis me lebërit e Vlorës. Ky qështë Çabej në ‘36 dhe për t’i dhënë fund barsaletave të javëve të fundit dua t’ju sjell një fakt tjetër të kryepleqve të Himarës që i janë drejtuar Papës së Romës për ndihmë. Himariotët nënshkruajnë përfshirjen e tyre me Vlorën. Letrat origjinale janë në Vatikan. Kështu që çështja e Himarës nuk është çështje veçse nëse përdoret për tu keqpërdorur për vite të tëra dhe është ora për ta mbyllur këtë kapitull dhe për të nënvizuar që Himara është një nga 58 bashkitë e reja të ngritura mbi zonat funksionale dhe që garanton integrimin urban, ekonomik dhe social dhe nga ana tjetër dua të rikthehem tek shprehja e krenarisë së ministrit Çuçi.” theksoi në fjalën e tij Kryeministri Edi Rama
 
"Krenar që jam kryeministër, jepet e drejta vendit për të mos u përulur para askujt"
Duke vijuar më tej, Rama theksoi se është krenar që është kryeministër i Shqipërisë në një ditë të një reforme kaq të rëndësishme për vendin, duke shtuar se reforma territoriale është në respektim të të gjitha konventave evropiane dhe një shembull për të gjithë fqinjët.

Sipas tij sot vendit i jepet e drejta për të mos u përulur para askujt
 
“Pikërisht se kjo reformë sanksionon diçka që është përtej konventës së të drejtave të minoriteteve të vendeve që ende nuk e kanë ratifikuar. Dhe unë jam krenar që jam kryeministër në ditën që votohet kjo reformë sepse kjo është Shqipëria jonë dhe i jep të drejtën të mos përulet me nënshtrim para askujt, duke dhënë një shembull të bukur për Greqinë motër dhe për të gjithë të tjerët dhe për të pozicionuar Shqipërinë me forcën e shembullit dhe jo me shembullin e forcës. Nëse dikush do të na jepte një shembull të ngjashëm në të gjithë Evropën, sigurisht që ne nuk do të ndiheshim të vetëm në këtë akt fqinjësie të mirë dhe dashurie të vjetër e të re për fqinjët tanë.” nënvizoi Rama

"PD t'i japë fund bojkotit, po kthehet në komedi" 
Rama u ndal edhe tek mungesa e opozitës për gjetjen e një konsensusi për këtë reformë. Ai tha se fakti që territorialja miratohet në ditën e fundit të sesionit parlamentar vjen për shkak të pritjes së PD nga ana e mazhorancës për tu ulur së bashku në një tryezë diskutimi për këtë çështje.
 
Rama i bëri thirrje opozitës t’i japë fund bojkotit pasi sipas tij kjo çështje po kthehet në një komedi.
 
"Dy fjalë për opozitën që sot vijon mungesën por që dua t’ju them se nëse kjo reformë historike diskutohet sot në ditën e fundit, kjo nuk vjen se u vonuam ne, por pritëm ata. Kjo jo se vepruam me forcën e kartonit, por hezituam të ngrinim kartonin. Kjo jo se nuk duam të flisnim por se opozita hezitoi të flasë. Unë nuk di se çduhet bërë më shumë me këtë opozitë, që refuzon të flasë edhe kur si asnjëherë ne shkojmë aty ku opozita diskuton, jashtë parlamentit dhe sërish asgjë. Kam një përshtypje që mendojnë se bojkoti funksionon dhe se historia mund të përsëritet, dhe kur përsëritet kthehet në komedi, dhe kjo është një komedi se opozita nuk ka kauzë. Ka mbetur akoma tek shkulja e veshit ndërkohë që ne do të donim edhe opozitën për të shkulur një sistem kanceroz të administrimit të vendit që e ka gërryer Shqipërinë në të gjithë territorin." tha Rama

rama

Fino: Falenderoj Nishanin për heshtjen dhe Bashën për mbështetjen shpirtërore
Ora 16:27
Kryetari i komisionit të Reformës administrative territoriale ka shprehur vlerësimet për reformën territoriale dhe për zhvillimin që merr vendi përmes kësaj reforme. Fino ka folur edhe për konsensusin e munguar me opozitën pavarësisht mundësive dhe realizimit sipas tij të çdo kërkese të bërë nga ana e tyre duke krijuar edhe komisionin e posaçëm. Në përfundim të fjalës së tij Fino ka falënderuar edhe Nishanin për heshtjen e tij dhe për Bashën për mbështetjen e dhenë për reformën pavarësisht se nuk është vënë në praktikë.
 
“Me ndarjen e vjetër territoriale, shumë nga komunat shërbenin për të marrë rrogat krerët e komunave. Në shtator premtuam një reformë të thellë territoriale duke i dhënë fund fragmentizimit të pushtetit lokal. Në të gjitha raportet ndërkombëtare na është rekomanduar domosdoshmëria e re formës territorial.  Mazhoranca ka përpara një opozitë penguese mosbashkëpunuese për projektet madhore. Qeveria u tërhoq duke krijuar komisionin e posaçëm, por opozita që e kërkonte këtë komision shpalli bojkotin. Thirrjeve iu përgjigjën me një mur shurdhërie të pakalueshëm. Janë angazhuar 8 dëgjesa publike me përfaqësues të njësive lokale. Në muajt qershor-korrik janë realizuar konsulta në të gjithë territorin e vendit. Me kënaqësi se rezultatet e konsultave publike janë mëse të kënaqshme. Mbi 60% mbështesin reformën administrative territoriale. Njësitë vendore të opozitës thyen bojkotin duke shprehur mendimin e tyre.E qartë se njësitë vendore janë pro reformës. Këto reforma nuk mund të kënaqin 100% të popullit, por në bazë të kushteve kjo është harta më e mirë e vendit dhe i hap rrugë decentralizimit. Falënderoj kreun e Kuvendit, Meta, për mbështetjen pa kushte. Falenderoj anëtarët e komisionit për seriozitetin e treguar. Nuk mund të rri pa falënderuar PDIU, që gjeti kurajën për t’u bërë pjesë e reformës. Komisioni ishte një mundësi më shumë për të kuptuar se edhe kur jemi të gjithë dakord do të gjejmë. Falenderoj Nishanin për heshtjen e tij dhe Bashën për mbështetjen me shpirt, por në pamundësi për ta mbështetur praktikisht.”- tha Bashkim Fino.

bashkim fino
Petrit Vasili: Përdorëm gjithçka për një bashkëpunim me opozitë, por atyre u duhej një alibi
Ora 16:17
Për kryetarin e grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili është e qartë se opozita nuk donte të merrte pjesë në kryereformë, siç e cilëson ai. Lidhur me pakënaqësitë e shprehur Vasili shton se nuk kishte se si të ndodhte ndryshe.
  
“Konsiderohet me të drejtë kryereformë pasi larmia e ndërhyrjes e bëjnë që të jetë e tillë. Ky proces duhet të nënvizojë një proces nga më të suksesshmit. Kjo mbështetje ka mbështetje të shumtë dhe reagues të plotë. Bëmë gjithçka mundëm për krijimin e një konsensusi, por patëm refuzim nga pala tjetër. Komisioni operoi në disa kritere që bashkë ndante edhe opozita. Nuk u prodhua një variant i vetëm, por 5 të tilla. E qartë që opozita nuk donte të merrte pjesë, pasi donte të krijonte një alibi. Decentralizimi do jetë një reformë pas ndarjes së re territoriale. Jemi të qetë pasi kemi përdorur çdo instrument për bashkëpunim me opozitën. Reforma ka pasur pakënaqësia dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe.  Ka pasur edhe një debat të madh për Himarën. Varianti i ruajtjes së Himarës ashtu siç ishte, është i papranueshëm. Dëgjuam me vëmendje 2 variantet e tjera të cilët ishin të pranueshëm. Madhësia e reformës nuk mund të zbehet dhe as mund të zhbëhet. Impenjim madhor për të vijuar me reformën e decentralizimit. Gjithçka e mirë për këtë reformë nuk do vonojë të vijë. “-tha Petrit Vasili.

petrit vasili
Peleshi: Opozita bëri zgjedhjen e vet, Harta e re na jep mundësi për plane zhvillimi
Ora 16:05
Sipas zëvendëskryeministrit Peleshi pavarësisht mundësive që iu është ofruar opozitës për konsensus ajo e ka bërë zgjedhjen e vet duke mos marrë pjesë në reformë.BE mbështet zhvillimet rajonale, jemi duke përgatitur struktura që i përgjigjen BE-së. Harta e re na jep mundësinë për plane rajonale zhvillimi dhe modernizimi.”-tha zv/kryeministri Peleshi. 244 milionë dollarë mund të kursehen në 4 vite me reformën e re sipas Peleshit, të ardhura të cilat do të shkojnë për zhvillimin e njësive vendore.

“Opozita bëri zgjedhjen e vet, ne shprehim keqardhje. Reforma duhet të jetë e tillë që të mundësojë investime të nevojshme.  Ndarja e re sjell shërbime më të mira. 70% e komunave kanë më pak se 5000 banore. Për 4 vite ne do të kursejmë 244 milionë dollarë dhe mund të ndërtohen 2000 ujësjellësa, landfille për mbetje urbane etj. Bashkitë do të kenë kapacitete të mjaftueshme ekonomike për të rritur efiçencën e tyre. Për pjesën më të madhe të njësive vendore ka qenë e pamundur për të dhënë shërbime. Në shumë komuna mbetjet hidhen në shtratin e lumenjve.  Brenda 4 viteve të mandateve të para të bashkive të reja, nga të ardhurat që përfitohen mund të rehabilitohet e gjithë struktura shkollore në të gjithë Shqipërinë. Në 1 vit zgjidhet problemi i  mbetjeve urbane. Ujësjellës-kanalizimet  që kanë vetëm një njësi vendore janë shumë më tepër efiçente se sa ato që mbulojnë disa. Shumë njësi vendore nuk kanë investuar asnjë gjatë vitit 2012. Janë 73 projekte që po transformojnë qendrat e bashkive dhe komunave. Në komunat që kanë më pak se 1000 banorë. Zhvillimi i territorit në 20 vite shembulli i një zhvillimi të paqëndrueshëm. Sot jemi në kufijtë e një emergjence kombëtare të ndërtimeve pa leje. Nuk mund të flitet për zgjedhje të lira në shumë komuna, dominon votimi fisnor. BE mbështet zhvillimet rajonale, jemi duke përgatitur struktura që i përgjigjen BE-së. Harta e re na jep mundësinë për plane rajonale zhvillimi dhe modernizimi.”-tha zv/kryeministri Peleshi.

Idrizi: PDIU pro territoriales! Reagimi i Greqisë qesharak, Dule nëse nuk voton do mbahet mend si tradhtar!
Ora 15:37 Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet ripërsëriti edhe në sesionin e fundit parlamentar vullnetin për të votuar ndarjen e re territoriale të Shqipërisë me 61 bashki. Ishte vetë kreu i kësaj partie Shpëtim Idrizi i cili teksa konfirmoi votën pro reformës territoriale, kundërshtoi qëndrimin e kreut të PBDNJ Vangjel Dule dhe reagimin e Athinës zyrtare duke e cilësuar qesharak.
 
Sipas Idrizit, Greqia është vendi i fundit i cili duhet të flasë për të drejtat e minoritarëve duke shtuar se ishte i njëjti vend që ushtroi genocid ndaj popullit shqiptar.
 
Shpëtim Idrizi theksoi më tej se shteti helen nuk është shembulli për t’u ndjekur, duke shtuar se  është i vetmi vend europian i cili nuk njeh minoritetet dhe mbi të gjitha nënvizoi Idrizi “nuk ka ratifikuar në Kuvend konventën e minoriteteve.”
 
“Ditë më parë kemi dëgjuar se një nënkryetar i Kuvendit, që nuk përfaqëson askënd, bredh qyteteve të vendit për protesta, dhe prej protestave të tij, shteti grek ka hyrë me arrogancë në punët e shtetit tonë. Kjo është qesharake. Territori i Shqipërisë, nuk ka asnjë territor të vendeve të huaja,  përkundrazi një pjesë e mirë e jona gjendet jashtë Shqipërisë. Unë mendoj se minoriteti grek, dhe Çamëria është ura lidhëse mes dy vendeve. Madhështia e kombit tonë është kjo, ne i respektojmë minoritetet edhe pse ata kanë ushtruar genocide ndaj nesh. Si shqiptar, të parët tanë janë përzënë me horror nga shteti ankues, prandaj ne i kuptojmë më mirë se kushdo ankesat e minoritetit. Me bindjen e vetëdijen e respektimit të të drejtave të njeriut, ne nuk e pamë kurrë krijimin jashtë konventave ndërkombëtare të ndarjes së re, por kërkuam vetëm korrigjimin e ndarjes administrative. Greqia të nderuar kolegë nuk është shembulli më i mirë për t’u marrë parasysh. Ata janë i vetmi vend europian që nuk i njeh minoritetet, i vetmi vend që nuk e ka ratifikuar në Kuvend të drejtat e minoritarëve. Madje mban në fuqi ligjin e luftës. Veç kësaj nuk pranon që të krijohen njësi vendore me shumicë minoritete.” theksoi në fjalën e tij kreu i PDIU
 
Gjatë fjalës së tij, Idrizi dha një mesazh edhe për kreun e PBDNJ Vangjel Dule, duke u shprehur se nëse nuk e voton ndarjen e re, atëherë ai do të mbahet mend sipas Idrizit si një tradhtar.
 
“Përgjigja e duhur që duhet t’i jepnim është shembulli grek, këtë meritonte Venizellos e nënkryetari ynë i Kuvendit, por nuk e meritonin vëllezërit tanë minoritarë. Ne nuk shohim as Bollanot që shkatërruan bregdetin shqiptar. Ne nuk shohim tek minoriteti Greqinë që largoi me dhunë vëllezërit tanë. Ne, në gjithë këtë që parashtruam duam të tregojmë jo vetëm që nuk jemi kundër, por duam të respektojmë vëllezërit tanë minoritarë. Edhe pse alteranivat janë të shumta, ndarja e re është e saktë dhe e drejtë. Fatkeqësisht PD nuk mori pjesë për të krijuar variantin më të mirë. Nëse dikush nuk voton se i bindet qeverisë së huaj, është një tradhtar dhe nëse nuk ndiqet penalisht, moralisht do të mbahet mend.” nënvizoi Idrizi

idrizi

Ndoka: Reforma jo konsensuale, të kalojmë nga 12 qarqe në 6 rajone

Ora 15:20 Kreu i Partisë Demokristiane, deputeti Nard Ndoka ka deklaruar votën e tij kundër reformës territoriale duke e cilësua si jo konsensuale dhe një reformë nga e cila është përjashtuar gjysma e vendit duke përcaktuar qendrat e zhvilli,it urban. Ndërkohë Ndoka ka propozuar ndarjen nga 12 qarqe në 6 rajone pasi sipas tij kjo ndarje do të ishte më e mirë për zgjedhje parlamentare duke kthyer Parlamentin me 120 deputetë, 20 për çdo rajon.
 
“Nuk do të jeni krenarë për një reformë të pakonsultuar me opozitën dhe grupet e interesit. Ndarja administrative është një reformë pa konsensusin e opozitës. Për të krijuar një terren për konsensus duhet tolerance, mirëkuptim. Tentoni ta kaloni dhunshëm ne kuvend një projektligj kaq të rëndësishëm për vendin. Ju po përcaktoni qendrat e zhvillimit urban te vendit, keni përjashtuar më shumë se gjysmën e vendit nga vendim marrja. Nga reforma punonjësit e komunave mbete pa punë,  vijoni me demogagjinë se disa prej tyre do të mbahet në pune pasi do të qëndrojnë disa zyra. Nëse do mbahen disa zyra hapur. Çfarë kuptimi ka reforma. Keni mungesë të vizionit, pasi kjo reformë duhet të jetë përfshirëse përtej një ndarje territoriale duke i paraprirë një reforme akoma më të gjerë. Te kalohet me 6 rajone duke u dhënë mundësi që çdo rajon të zgjedhë nga 120 deputete. Kështu garantohet funksionimi normal. Projekti i sotëm nuk është një reformë territoriale, por një përmbysje territoriale. Në Shkodër eliminohet krahina e Dukagjinit, duke e zhytur akoma më keq në varfëri banorët e asaj zone."-tha Nard Ndoka.

ndoka

Çuçi i përgjigjet Dules: Pse referendum për Himarën? Bëmë lëshime si asnjë vend i Europës
Ora 15:13
Në replikë me kreun e PBDNJ-së, ministri i Çështjeve Vendore Bledi Cuci, mbrojti bindshëm këtë reformë duke deklaruar se lëshimet që janë bërë ndaj zonave minoritare, nuk janë bërë në asnjë vend të Europës.

Ai tha se nëse PBDNJ kërkon referendum për Himarën, atëherë nuk duhet të ketë përjashtime, por të bëhet në të gjithë Shqipërinë.

“Në komision kemi miratuar një kriter të veçantë për mbrojtjen e zonave që kanë shumicë minoritare. Asnjë vend në Europë nuk ka pasur kriter përjashtues. Madje duke cënuar dhe funksionalitetitn e bashkive fqinje duke i dhënë vetë mundësinë atyre që të vendosin për të drejtat e tyre.

Në lidhje me Himarën: Ajo zonë është përcaktuar nga ekspertët si zonë funksionale dhe ai konfigurim, është një propozim i ardhur nga një analizë e detajuar e të gjithë ekspertëve të përfshirë në këtë proces.

Nëse do të bëhet referendum të bëhet në të gjithë Shqipërinë, pse të bëhet vetëm në himarë? Kemi bërë një lëmshim që se ka bërë asnjë vend i Europës”, tha ministri Cuci.
 
Territorialja, Dule: Vota kundër, nuk e engociaoj Himaren...vetem referendum
Ora 14:58
Kreu i Partisë për Bashkimin e të Drejtave të Njeriut, Vangjel Duke ka deklaruar nga foltorja e Kuvendit votën kundër reformës administrativo-territoriale duke e vlerësuar ndarjen e re të hartës së Shqipërisë, të bazuar mbi elementë elektoralë.

“Reforma më anti-europiane e këtyre 24 viteve në lidhje me të drejtat e pjestarëve të minoriteteve etnike, veçanërisht atij grek. Për të qenë i qartë dhe transparent, partia jonë favorizon reformat dhe ne jemi bërë pjesë e një koalicioni dje opozitar dhe sot qeverisës. Vetëm se reformat duhet vizion dhe standarde e parime në implementim. Dhe kështu nisi kjo reformë, por si përfundoi? Elementët elektroale spikasim mbi vizionin dhe parimin. E kundërshtojmë”, tha Dule

Ndërsa sa i përket Vranishtin i cili me hartën e re bashkohet me Himarën, element ky i kundërshtuar nga PBDNJ, Dule tha se qeveria përpiqet “t’i përdorë si mish për top, si një trup elektroale që do të tjetërsojë sipas planeve të tyre vullnetin e banorëve të Himarës për të mbajtur peng autoritetet vendore të Himarës për t’i humbur identitetin, historinë dhe krenarinë e tyre”.

“Nuk mund të bëhem pjesë, theksoi Dule, “duke votuar këtë projektligj. Sigurisht që vota është kundër, është e prapranueshme për partinë tonë kjo reformë”, përfundoi ai. 

dule

Çuçi: Nga reforma territoriale përfitojnë të gjithë, është historike
Ora 14:57  Ishte ministri për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, ai që nisi diskutimin mbi projektligji për reformën territoriale. Në fjalën e tij ai tha se nga reforma administrativo-territoriale përfitojnë të gjithë.

“Reforma  territoriale është historike. Nga kjo reformë përfitojnë të gjithë, çdo qytetar, çdo komunitet. Qyetetarët më do të kenë më shumë peshë në vendimarreje.  Do të nderohen njësi më të mëdha për njësitë vendore që krijojnë më shumë të ardhura ekonomike dhe do të kenë më shumë burime financiare. Këto njësi do të kenë më shumë kapacitet, do të bëjë të mundur decentralizmin e më shumë reformave.  Njësitë e mëdha promovojnë demokracinë vendore. Analizat e ekpertëve të pavarur tregojnë se njësitë e mëdha do të sjellin një përfitim nga 3 miliardë deri në 6 miliardë të njësive vendore. Ky efekt do të sjellë nga 5 deri në 10 % të të ardhurave të njësive vendore.  Qeveria e ndërmori këtë reformë bashkë me procesin decetralizimt ku njësitë vendore do të marrin më shumë kompetenca. Këto reforma janë përkushtim i qeverisë pëë të çuar sa më shumë fonde në nivelin e njësive vendore. Edhe përvoja e vendeve të tjera me zvogëlimin e njësive vendore ka treguar se ka sjellë rezultate pozitive, po marr një shembull si Danaimarka apo Suedia. Edhe Franca së fundmi ka marrë një iniciativë për një refomë të tillë.  Kjo reformë nuk u zhvillua pas dyerve të mbyllura por me diskutime, si dhe në zbatim të kushtetutës. Edhe pas gjithë kësaj pune dera për opozitën është gjithmonë e hapur", ka thënë ministri për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi.


Burime per A1 REPORT: Marto voton pro reformes territoriale
Burimet për A1 REPORT bëjnë të ditur se deputeti i Partisë Socialiste Andre Marto i cili në komisionin e posaçëm parlamentar për këtë reformë votoi kundër, sot në seancë parlamentare do të japë votën e tij pro. Deputeti Marto ka paraqitur një amendament drejtuar kryeparlamentarit Meta, i cili pritet të votohet. Përmes këtij amendamenti kërkohet që bashkisë së Livadhjasë t’i kalojnë fshatrat Kardhiq, Pece, Muzinë nga Bashkia e Delvinës.
 
Po ashtu mësohet se edhe Partia Për Drejtësi Intergim dhe Unitet do të votojë pro kësaj reforme, pas paraqitjes së një tjetër mendimi, ku kërkon që bashkisë së Livadhjasë t’i jepen fshatrat Vagalat, Sopik dhe Pandelejmon duke ia hequr bashkisë së Konispolit.

 propozimi

Ndoka dhe PDIU vijnë në Parlament për reformën territoriale
Ora 14:55 Ndonëse opozita ka shpallur bojkotin ndaj Parlamentit, deputeti i Partisë Demokristiane Nard Ndoka dhe deputetë të Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, janë bërë pjesë e seancës parlamentare të së enjtes, ndërsa filloi të diksutohej Projektligji “Për ndarjen Administrativo -Territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”. 

pdiu


Rama: Reforma do e bëj Shqipërinë një shtet modern
Ora 14:35 Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar historike reformën territoriale. Pa nisur diskutimet në Kuvendin e Shqipërisë, në një statusr në rrjetin social Facebook ai shkruan se kjo reformë do të riorganizojë Shqipërinë si shtet modern përmes ndarjes së rë administrative.


ramaaa











Seanca e fundit e parlamentit, test i "rebeleve" per pr/ligjet me 84 vota
Kuvendi i Shqipërisë mbajti seancën e fundit plenare, për këtë sesion parlamentar. Pa praninë e opozitës, e cila ka njoftuar prej kohësh bojkotin, mazhoranca votoi ligjet me shumicë të cilësuar. Pas mungesës në votim për ligjet me 84 vota, precedent që krijoi te gjithë zhurmën mediatike për përçarje në PS, mazhoranca është konsoliduar. Nga lista e gjatë me 23 ligje që u diskutuan sot në seancë, gjashtë janë ligjet që kërkusn 84 vota, ku nder me kryesoret eshte reforma territoriale. Vendimi i kryeministrit Rama për të zhvilluar mbledhjen e grupit të partisë socialiste një ditë përpara zhvillimit të seancës plenare nuk ka qenë rastësor. Mesazhi për deputetët e majtë dje në mbledhjen e grupit ishte i qartë: Mazhoranca duhet të jetë e bashkuar, votimi duhet të jetë unanim.

Diskutime te tjera ne seancen parlamentare

Beqaj: Basha sulmon shëndetësinë me Koduzin që ndiqet penalisht për dëm 2 mln dollarë
Ora 11:45
Teksa në parlament diskutohej projekligji për barnat dhe shërbimin farmaceutik, kurse në një hotel të tiranës opozita analizonte 300 ditët e shëndetësisë nën qeverisjen Rama, ka qenë Ministri Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili ka deklaruar se është për të ardhur keq se në tavolinën e liderit të opozitës ka vend për mjekë, që janë akuzuar për shpërdorim detyre. Fjala është Gazmend Koduzin, një fytyrë në fakt jo e panjohur për shqiptarët, për shkak se ka qenë njëri ndër mjekët që ndiqte shëndetin e grevistëve të larguar nga administrate, të “ngujuar” në cadra pranë kryeministrisë.

“Pretendojnë se po disktutojnë sot në një hotel të Tiranës për 300 ditët e mjerimit të shëndetësië, por nuk thonë asnjë fjalë për spitalet që u mungionin barnat bazë, nuk thonë edhe mungesa të mëdha që në 8 vitet e qeverisjes së tyre ndodhën në shëndetësinë shqitpare. Më vjen keq që kishte zgjedhur një person që ishte paditur për shpërdorim detyre, kur ai kryente përkohësisht detyrën e drejtorit të përgjithshëm të Mjekut, me një veprim të paligjshëmduke shkaktuar dëm 2 milionë dollarë në vit. Këtë zgjodhi t’i bëntë prezantimin për 300 ditëshin e vet. Prokuroria do të bëjë punën e saj”, tha ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj.

beqaj

Tahiri: Ngritja në karrierë jo sipas gradave, po sipas meritës…ndaj lamë vetëm “inspektor”
Ora 12:25
Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri prezantoi në Kuvendin e Shqipërisë projektiligjin “Për Policinë e Shtetit”. Duke iou përgjigjur interesit të deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama se përse janë hequr gradat e nëninspektorit dhe kryeinspektorit, Tahiri tha se ligji i ri ndryshon filozofinë e ngritjes në karrierë, e cila nuk lidhet më me postin, por me meritën.
 
Pyet Luan Rama:
Është hequr grada nën inspektor dhe kryeinspektor dhe ka vetëm inspektor, sa është numri që do mbajnë këtë gradë?
Cfarë ndodh me punonjësine policisë kur mbaron afati në një gradë dhe nuk fiton dot një gradë tjetër?

Tahiri: “Ky ligj nga njëra anë rikthen Policinë e Shtetit në shinat e meritokracisë dhe e përcakton karrierën jo si rrugë të shtrembër ku shpesh qokat, miqtë, nderet zënë më shumë vend se rezultatet, eficenca dhe përkushtimi në detyrë.  Për këtë arsye në një sërë nenesh kemi përcaktuar si rekrutohesh në polici, duke nisur që me arsimin, kemi krijuar modelin e arsimit të lartë duke i bërë dalje mediokritetit.
Në ligjin e mëparshëm s’ishin grada për të përcaktuar shkallën e meritës, por për të njëjtën punë mund të ndodhte që të kishte punonjës policie me grada të ndryshme. Në Drejtorinë e Policisë së Shtetit në një hotel ishin më shë se 800 punonjës, një pjesë e mirë me grada të larta pavarëssht se bënin detyrën e një specialisti të thjeshtë. S’e të punosh aty jo detyrimisht duhet të kesh një gradë të lartë. Kemi ndryshuar filozofinë e ngritjes në karrierë, jo sipas postit po sipas meritës. S’është e thënë të kësh një gradë të lartë që të punosh në Drejtorinë e Policisë”, u shpreh ministri Tahiri nga foltorja e Kuvendit.

saimiri tahiri

Bushati: Strategjia e sigurisë “udhërrëfyes” i veprimtarisë së institucioneve dhe politikbërjes

Ora 10:52 Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati paraqiti nga foltorja e Kuvendit pikat kyçe të strategjisë së re të sigurisë kombëtare, duke e vlerësuar atë si një dokument të rëndësishëm që do të orientojë veprimtarinë e institucioneve.

“Dokumenti, i drejtohet jo vetëm institucioneve shtetërore, por gjithë spektrit politik. Strategjia e re vazhdon me traditën më të mirë të eksperttizës ndërkombëtare, pasqyron përgjigjet tona ndaj realititet të ri të sigurisë kombëtare, rajonale e globale. Bazohet në reformë në të gjithë komponentët e sigurisë, jo thjesht një dokument politik. Mbështet siguri institucionale në fushën e sigurisë. Identifikon cështjet prioritare për politikbërjen, përqëndrohet tek parandalimi, përgatitja dhe përgjigja ndaj një spektri të gjerë kërcënimesh dhe rreziqesh. Ekspertiza ndërkombëtare na ndihmoi për një dokument të gjallë, të orientuar drejt veprimit, duke e konsideruar sigurinë e vendit si një proces që nuk mbyllet me votimin e strategjisë sot”, u shpreh ministri Bushati nga foltorja e Kuvendit për projektligjin “Për miratimin e strategjisë së sigurisë kombëtare të Republikës së Shqipërisë”.   

Domosdoshmëritë strategjitke që do të orientojnë veprimtarinë e institucioneve
Përmirësimi i së drejtës dhe garnantimin e qeverisjes së mirë
Forcimi i institucioneve publike
Nxitja e zhvillimit të qendrueshëm ekonomik
Zhvillimi i një sistemi arsimor cilësor
Fuqizimi i sektorit të sigurisë dhe mbrojtjes
Forcimi i kohezionit shoqëror dhe identititetit kombëtar
Forcimi i rolit rajonal të Shqipërisë

bushati

Redaksia Online
(e.c/Gre.M/a.h/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

KFOR-i, EULEX-i dhe Policia monitorojnë situatën në Varage të Zubin Potokut, pas shpërthimit në kanalin e ujit Ibër-Lepenci

KFOR-i, EULEX-i dhe Policia monitorojnë situatën në Varage të Zubin Potokut, pas shpërthimit në kanalin e ujit Ibër-Lepenci