Propozimi i PS për hartën e re territoriale që parashikon shkrirjen e 15 bashkive është kundërshtuar sërish nga Partia e Lirisë. Sekretari i Përgjithshëm, Tedi Blushi e cilësoi propozimin e mazhorancës si një nismë që cenon decentralizimin dhe autonominë vendore, duke e akuzuar qeverinë se synon përqendrimin e pushtetit në duart e ekzekutivit.
“Shkrirja e 15 bashkive nuk është një reformë territoriale që synon përmirësimin e shërbimeve publike apo rritjen e efikasitetit të administratës, por përqendrim i pushtetit vendor në duart e qeverisë qendrore, duke dobësuar komunitetet lokale, duke larguar administratën nga qytetarët dhe duke i kthyer bashkitë në një zgjatim të ekzekutivit”, tha Blushi.
Në një deklaratë për mediat, Blushi tha se drafti është hartuar në mënyrë të njëanshme, pa konsultim me komunitetet dhe pa një analizë të ndikimit financiar apo të përfitimeve për qytetarët. Sipas tij, ndryshimet bien ndesh me Kushtetutën dhe Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore, ndërsa në shumë zona rurale dhe malore do të rritet distanca e qytetarëve me administratën.
“Deri më sot, Edi Rama nuk ka zhvilluar asnjë konsultim real me qytetarët, nuk ka paraqitur asnjë analizë të ndikimit dhe nuk ka pyetur komunitetet që kërkon t’i heqë nga harta administrative”, tha Blushi.
Partia e Lirisë kërkon që Partia Socialiste të tërhiqet nga ky draft dhe çdo ndryshim për hartën territoriale t’i nënshtrohet referendumit, pasi bashkitë nuk janë vija në hartë që ndryshohen sipas interesave politike dhe elektorale.










Komente
Komento