Kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maksim Haxhia, ka reaguar pasi sot një nismë ligjore e deputetit të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, që synonte ndalimin me ligj të bojkotit kolektiv të seancave gjyqësore nga avokatët, u rrëzua në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik.

Lidhur me këtë zhvillim, në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, Haxhia tha se Blushi nuk sulmonte shkakun që e shkaktoi bojkotin në GJKKO (pra miratimin e rregullores së re të GJKKO-së, e cila ndalon avokatët të mbajnë celularë gjatë seancave gjyqësore), por sulmonte fenomenin.

Haxhia theksoi se në të gjithë botën Dhoma e Avokatisë është një institucion i lirë, i pavarur, i vetëdrejtuar dhe i vetë-administruar.

“Ne u lajmëruam ditë përpara, që në Komisionin e të Drejtave të Njeriut do të mbahej referimi dhe propozimi i deputetit Blushi për të bërë disa ndërhyrje në ligjin për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë. Dhe konkretisht duke marrë shkas nga bojkoti që ne sapo e ndërpremë për shkak të vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit, që vendosi edhe masë provizore pezullimin deri në shqyrtimin e gjithë çështjes. Në këtë komision u relatua nga iniciatori deputeti Blushi. Shkaqet pse kishte marrë këtë iniciativë dhe çfarë kërkonte. Ne parashtruam në mënyrë konçize shkaqet që ajo iniciativë nuk duhet të merrej në konsideratë nga ana e Komisionit, sepse ishte shqyrtimi në parim.

Nëse do kalonte aty, pastaj do kalonte nen për nen në Komisionin e Ligjeve dhe kështu sipas procedurave të tjera deri në seancën plenare të Kuvendit. Ne parashtruam shkaqet që e para e punës që është bërë tashmë zakon në Shqipëri që ndodh një fenomen dhe sulmohet fenomeni. Blushi sulmoi fenomenin, pra u mor me pasojën. Dhe jo me shkakun që e shkaktoi bojkotin. Dhe ajo që është kryesorja, pretendonte nga ana e Blushit se mund të përsëritet, krijon precedentë. Ndërkohë që ishte i pabazuar ky kërkim, sepse çdo veprimtari e Dhomës së Avokatisë, pavarësisht se është një institucion i lirë, i pavarur, i vetëdrejtuar, i vetë-administruar, që janë 4 shtylla botërore historike që në ditën e parë kur është krijuar avokatia në sistemin gjyqësor”, tha mes të tjerash Haxhia.

Haxhia vijoi më tej duke thënë se në Komision argumentuan se nisma e Blushit binte ndesh me Kushtetutën, Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, me Rezolutën e OKB-së dhe Rezolutën e Këshillit të Ministrave të Parlamentit Europian, që sipas tij 'sanksionojnë paprekshmërinë, jo në kuptimin për të marrë një pozicion suprimar të avokatisë, por për shkak të rolit dhe funksionit që ajo kryen.'

Në Komision, Haxhia tha se ia kishin bërë të qartë të pranishmëve se në Shqipëri, Avokatia është një institucion tërësisht i kontrolluar, nga Gjykata dhe Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë. Pas vendimit të Gjykatës për pezullimin e bojkotit, Haxhia tha se Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës u mblodh dhe vendosi të zbatojë vendimin e Gjykatës.

Për Haxhinë, bojkoti i seancave në GJKKO nga avokatët nuk u bë për interesa personale të avokatëve, por për një mbrojtje sa më efektivëve të të pandehurve.

“Të gjitha këto ne i thamë se bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, bie ndesh me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe me një Konventë të Këshillit të Europës të sapo miratuar tani dhe të ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Binte ndesh me praktikën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, me praktikën e Gjykatës Kushtetuese tonën, me Rezolutën e OKB-së të vitit 1990 dhe me Rezolutën e Këshillit të Ministrave të Parlamentit Europian, që sanksionojnë paprekshmërinë, jo në kuptimin për të marrë një pozicion suprimar të avokatisë, por për shkak të rolit dhe funksionit që ajo kryen.

Megjithatë ne ja bëmë të qartë edhe Komisionit që Avokatia është një institucion tërësisht i kontrolluar. Në radhë të parë kontrollohet nga Gjykata, për çdo vendimmarrje që në rastin konkret ishte vendim i marrë nga Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës, që është një Këshill i zgjedhur nga të gjithë avokatët e Republikës së Shqipërisë. Është një Këshill që vendimet e tij sipas ligjit janë të detyrueshme për zbatim.

Edhe në rastin konkret, meraku i Blushit ishte i pabazuar, sepse ja ndërhyri Gjykata dhe vendosi që konflikti duke u bërë konflikt gjyqësor, vendosi që të pezullohej. Dhe ne menjëherë u mblodh Këshilli i Përgjithshëm, ndërkohë që u pezullua, natyrisht do zbatohej vendimi i Gjykatës. Gjithashtu kjo çështje është bërë prezent në Gjykatën Kushtetuese, sëbashku me kërkesën e organizatës së mediave për të goditur dhe shfuqizuar atë rregullore që tashmë është bërë publike dhe është bërë pengesë qoftë për transparencën, qoftë edhe për realizimin e mbrojtjes në seancat gjyqësore, për ta bërë mbrojtjen sa më efektive dhe në dobi të personave që janë...”, shtoi Haxhia.

Seancat gjyqësore në GJKKO u bojkotuan nga 8 shtator deri më 2 nëntor dhe mungesa e avokatëve përveçse solli bllokim të seancave, pasoi me vendosjen e gjobave nga gjykata ndaj avokatëve.