Partia e Lirisë e konsideron propozimin e socialistëve për uljen e numrit të bashkive në 46, tërësisht me qëllime elektorale. Harta e re sipas saj, do të largojë shërbimet nga qytetarët dhe do të shpopullojë akoma dhe më shumë vendin duke e centralizuar jetesën vetëm në disa qytete.

Deklarata e deputetes të Partisë së Lirisë, Znj. Brunilda Haxhiu.

"Propozimi më i fundit i Partisë Socialiste për reduktimin e mëtejshëm të numrit të bashkive nuk është as reformë, as modernizim. Ky projekt është një atentat i pastër ndaj decentralizimit, sepse grabit edhe ato pak kompetenca që u kanë mbetur njësive vendore dhe për të përqendruar çdo gjë në dorën e korruptuar të Edi Ramës.

Retorika politike per konsensus me opoziten dhe per te degjuar qytetaret ishte vetem nje farse , ashtu sikurse dihej. Alternativa e “Rilindjes”, është forca e verbër e centralizimit. Përmes pakësimit të numrit të bashkive, ata kërkojnë largimin e mëtejshëm të shërbimeve nga qytetarët dhe përshkallëzimin e shpopullimit të Shqipërisë. Te gjithe shqiptaret e kane te qarte qe kjo është një hartë e pastër elektorale e vizatuar në zyrat e pushtetit për të vjedhur zgjedhjet e radhës!

Dëshmia më ulëritëse e këtij dështimi dhe e kësaj babëzie është plani i turpshëm për të shkrirë Bashkinë e Divjakës dhe Bashkinë e Patosit. Këto dy treva me plot pasuri e potenciale të jashtëzakonshme zhvillimi, sot po tradhtohen hapur nga Rilindja!

Divjaka eshte një zonë ku fermerët punëtorë po braktisen çdo ditë përballë rritjes galopante të çmimeve të plehrave, farave dhe naftës, ku subvencionet mbeten vetëm skema korruptive në letër dhe ku tregu i shitjes nuk ekziston . Zgjidhja e kësaj qeverie është të largojë bashkinë e t’i nisë banorët në Lushnje! Çfarë do të përfitojë një fermer i Divjakës që duhet të bëjë dhjetëra kilometra rrugë thjesht për të kërkuar një shërbim apo të drejtën e tij minimale? Kjo është zhvatje ekonomike dhe harresë e qëllimshme!

E njëjta dramë po luhet edhe me Patosin. Banorët e Marinzës dhe të fshatrave përreth jetojnë prej vitesh mes një ndotjeje alarmante të ajrit dhe ujit nga industria e naftës. Sëmundjet kancerogjene dhe ato respiratore shtohen çdo ditë në mënyrë tragjike. Dhe në vend që këta banorë të mbështeten, qeveria kërkon që edhe ato pak taksa e rentë minerare të menaxhohen nga Fieri, duke harruar totalisht dëmin e madh mjedisor dhe shëndetësor. Kjo është një vjedhje e hapur e djersës dhe e pasurisë së Patosit.

Banorët e Divjakës, Patosit dhe të gjithë Shqipërisë janë zgjuar. Ata nuk pranojnë më të njihen si numra në llogaritë elektorale të Edi Ramës. Ata po zgjohen dhe po kundërshtojnë me forcë këtë projekt mafioz të centralizimit.Qytetarët do t'i japin përgjigjen e merituar këtij sekti antikombëtar përmes protestave të fuqishme, të cilat nuk do të ndalen deri në zmbrapsjen e kësaj çmendurie!

Kjo që po bën Rilindja është përmbyllja e planit te tyre për shpopullimin e vendit. Reforma territoriale e vitit 2014 dështoi plotësisht. Ajo prodhoi të kundërtën e premtimeve, largoi shërbimet, rriti ndjeshëm shpopullimin dhe i mbushi bashkitë ekzistuese me patronazhistë e militantë partiakë që paguhen me paratë e taksapaguesve.

Përballë këtij dështimi dhe këtij centralizimi korruptiv, opozita ka një alternativë të qartë, dinjitoze dhe efikase,  Projektin për 100 njësi vendore. Ky është projekti që i përgjigjet drejtpërdrejt nevojave të qytetarëve. Kjo është alternativa që korrigjon dështimet e kaluara, afron shërbimet te qytetari dhe i kthen dinjitetin çdo komuniteti. Alternativa e opozitës është një kontribut i rëndësishëm e jetik për të ndaluar shpopullimin dhe për të nxitur politikat e ripopullimit dhe zhvillimit të vendit.

Është koha për të mbështetur kudo këtë projekt! Ky projekt do ti behet i njohur të gjithë shqiptarëve, në çdo qytet, në çdo bashki dhe në çdo fshat. Çdo qytetar duhet ta njohë këtë projekt që i jep fund centralizimit mafioz të pushtetit vendor në duart e një njeriu të vetëm.

Partia e Lirise eshte  në krah të qytetarëve, në krah të fermerëve të Divjakës, në krah të naftëtarëve dhe banorëve të Patosit. Zëri ynë do të jetë i fortë në parlament, në sheshe dhe kudo. Ne nuk do të lejojmë shkrirjen e bashkive dhe izolimin e qytetarëve tanë.

Pushteti u takon qytetarëve! Bashkë do ta ndalim këtë plan antikombëtar!"