Arsim Bajrami kërkon të hyjë zyrtarisht në garë për president të Kosovës. Profesori universitar dhe një nga emrat që ka punuar në hartimin e Kushtetutës tha të enjten se është gati të vihet në dispozicion si kandidat konsensual për postin e kreut të shtetit.

Në një postim publik, ai u shpreh se synon të kontribuojë për unitetin kombëtar, forcimin e rendit kushtetues dhe stabilitetin institucional, duke e lidhur kandidaturën me fazën përmbyllëse të shtetndërtimit dhe perspektivën evropiane të vendit.

“Shpreh gatishmërinë time për të vënë veten në dispozicion të institucioneve dhe të spektrit politik dhe të qytetarëve të vendit si  njëri prej kandidatëve konsensual për President të Republikës së Kosovës, me përkushtim të plotë ndaj unitetit kombëtar, forcimit të rendit kushtetues, stabilitetit institucional dhe përmbylljes të procesit të shtetndërtimit, në shërbim të qytetarëve dhe të perspektivës evropiane të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.

Bajrami iu drejtua  krerëve të partive politike, duke kërkuar unitet për zgjedhjen e presidentit. Ai renditi përvojën e tij shumëvjeçare në fazat kyçe të shtetndërtimit që nga vitet ’90, përfshirë angazhimin në hartimin e akteve themelore kushtetuese dhe kontributin politik e juridik gjatë luftës së UÇK-së.

Në arsyetimin e tij, përmendi edhe përvojën ndërkombëtare në Rambuje dhe në procesin e Vjenës për pavarësinë e Kosovës, si dhe njohjen e sistemit kushtetues dhe mekanizmave institucionalë.

Në fund, ai vlerësoi qëndrimin e profesorit Murat Jashari dhe familjes Jashari, duke theksuar se do të vazhdojë angazhimin publik në mbrojtje të karakterit çlirimtar të luftës së UÇK-së dhe kundër çdo përpjekjeje për demonizimin apo rishikimin selektiv të saj nga Dhomat e Specializuara. 

Kuvendi i Kosovës ka kohë vetëm deri më 4 mars për ta zgjedhur presidentin e ri, pasi presidentes së tanishme, Vjosa Osmanit, i përfundon mandati në prill. 

Gjatë karrierës së tij rreth 20-vjeçare në politikë, Bajrami shërbeu si ministër i Administratës Publike nga vitit 2008 deri më 2010, si ministër i Arsimit nga viti 2014 deri në vitin 2017, si dhe si deputet në tri legjislatura të ndryshme.

Ai është gjithashtu anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, asaj të Shqipërisë, si dhe i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve.

Bajrami dha dorëheqje nga PDK-ja dhe u largua nga politika më 2019, pas rreth dy dekadave në shërbim të kësaj partie. Deri tani vetëm PDK-ja nga partitë politike ka thënë se mund të vijë me një kandidat, por nuk ka zbuluar emër, ndërsa presidentja Osmani e ka bërë të qartë se kërkon një mandat të dytë pesëvjeçar.

Bajrami duhet t’i sigurojë të paktën 30 nënshkrime të deputetëve për të garuar, ndërsa për t’u zgjedhur i nevojiten dy të tretat e votave në Kuvendin me 120 vende.

 

U.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 17 Mars, 11:47

    Shqipëria shpall Iranin shtet sponsor të terrorizmit, si e vlerësoni?