Arsim Bajrami kërkon të hyjë zyrtarisht në garë për president të Kosovës. Profesori universitar dhe një nga emrat që ka punuar në hartimin e Kushtetutës tha të enjten se është gati të vihet në dispozicion si kandidat konsensual për postin e kreut të shtetit.

Në një postim publik, ai u shpreh se synon të kontribuojë për unitetin kombëtar, forcimin e rendit kushtetues dhe stabilitetin institucional, duke e lidhur kandidaturën me fazën përmbyllëse të shtetndërtimit dhe perspektivën evropiane të vendit.

“Shpreh gatishmërinë time për të vënë veten në dispozicion të institucioneve dhe të spektrit politik dhe të qytetarëve të vendit si  njëri prej kandidatëve konsensual për President të Republikës së Kosovës, me përkushtim të plotë ndaj unitetit kombëtar, forcimit të rendit kushtetues, stabilitetit institucional dhe përmbylljes të procesit të shtetndërtimit, në shërbim të qytetarëve dhe të perspektivës evropiane të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.

Bajrami iu drejtua  krerëve të partive politike, duke kërkuar unitet për zgjedhjen e presidentit. Ai renditi përvojën e tij shumëvjeçare në fazat kyçe të shtetndërtimit që nga vitet ’90, përfshirë angazhimin në hartimin e akteve themelore kushtetuese dhe kontributin politik e juridik gjatë luftës së UÇK-së.

Në arsyetimin e tij, përmendi edhe përvojën ndërkombëtare në Rambuje dhe në procesin e Vjenës për pavarësinë e Kosovës, si dhe njohjen e sistemit kushtetues dhe mekanizmave institucionalë.

Në fund, ai vlerësoi qëndrimin e profesorit Murat Jashari dhe familjes Jashari, duke theksuar se do të vazhdojë angazhimin publik në mbrojtje të karakterit çlirimtar të luftës së UÇK-së dhe kundër çdo përpjekjeje për demonizimin apo rishikimin selektiv të saj nga Dhomat e Specializuara.

 

U.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 25 Shkurt, 09:49

    Kush e ka fajin për shembjen e rrugës Librazhd-Prrenjas?