Hasan Reçi, si u la në harresë piktori e aktori që hodhi themelet e Teatrit Kombëtar

Hasan Reçi, si u la në harresë piktori e aktori që hodhi themelet e Teatrit Kombëtar

Hasan Reçi fotografia e bërë si aktor në Itali

Ne revistën italiane “Ombre Parlanti”, të Tetorit të vitit të largët 1932, që botohej në Romë, mes 4 aktorëve të shquar italianë, bie në sy edhe një aktor shqiptar. Me sy të mëdhenj, një kapele të zezë në kokë, me një vështrim plot protagonizëm, e një çibuk disi butaforik ndezur në këtë fotografi ai shquhet mes të tjerëve. Aktori shqiptar quhet Hasan Reçi. Në këtë revistë, janë shkruar edhe komentet speciale për cilësitë dhe origjinalitetin e aktrimit të djaloshit shqiptar, i përzgjedhur dhe i vlerësuar krahas atyre italianë si Flavio Giussepe, Aurelio Lupi, dhe Tomassi Giovannimo. 

Në kopertinën e revistës “Ombre Parlanti”, që sipas Shpëtim Reçit ishte “prestigjioze për kohën”, është aktorja e famshme italiane Nella Croci.
Një aktor dhe piktor me kontribut të madh në Shqipëri, Hasan Reçi, ka mbetur një emër i panjohur për publikun e gjerë dhe i injoruar në mënyrë të pafalshme nga institucionet e larta të kulturës. 

Intervista

Shpëtim, ju jeni i biri i Hasan Reçit?
-Po në këtë pikturë janë unë këtu, në moshën 9-vjeçare. Babai im lindi në Shkodër. Ishte nga një familje myslimane dhe në fillore u edukua me katolikët  e Shkodrës. Ai rrinte mes tyre, Ata kishin shkolla të mira për artin, muzikën e më gjerë. Kur erdhi në Tiranë, në vitin 1932 hyri në shkollën e mesme. Ai e braktisi Shkodrën që në vitin 1930, për të vijuar shkollën. Babai kishte përfituar shumë nga nxënësit e shkollës françeskane, me të cilët lidhi një miqësi të madhe. Ishte një natyrë shumë e shkathët, por edhe hokatar e çapkën në fëmijëri. Ai në vitin 1939 ka shkuar në Romë për të ndjekur Akademinë e Arteve të Bukura. Në Tiranë, babi ndenji vetëm 6 muaj në shkollë, sepse ndodhi që bëri një kompozim për Ahmet Zogun dhe ky kompozim u bë shkas që ai të merrte një bursë për të studiuar në romë. Madje ne kemi dokumente ku konfirmohet se gjendja ekonomike e babait tim ka qenë e varfër dhe i takonte të merrte bursë. Në Romë pati sukses, si aktor dhe sidomos si piktor. Në Romë, kur mbaroi Akademinë, profesori i madh Carls Siqiero, që vinte njëherë në muaj t’i shihte studentët, sepse ishte edhe profesor i Mbretit, siç kujtonte babai e lëvdonte shumë, u thoshte studentëve të tjerë se “Vetëm Hasani është artist këtu, ju thjesht bëni piktura”. Por babai im nuk qëndroi në Romë, edhe pse e kërkuan asistent profesor në Romë. Më tregonte se nuk e linte nostalgjia për atdheun. Dhe ai bashkë me Kel Kodhelin kanë ardhur me një kaçator të rastit në atdhe, sepse ishte gjendje lufte në Itali. Po të vihet re, tek pikturat e babait tim mbizotëron pikturimi tradicional me tendenca të artit bashkëkohor, por me një përpikmëri të rrallë. Kjo i vjen edhe nga shkolla e pikturës në Romë, sepse ai tregon se profesorët nuk i pëlqenin shumë tendencat që e çlironin artin nga përpikmëria, i quanin tendenca të kota. 

Ju më treguat se ai ka qenë edhe aktor, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Itali, si hyri në rrugën e aktrimit babai juaj?
-Karrierën e nisi në vitet ‘40 si aktor. Ai ishte ndër aktorët e parë të teatrit shqiptar me Mihal Popin,  Mihal Stefa,  Marie Logoreci, Prokop Mima, etj. Babai nisi të luante në Shkodër në teatrot e shoqërive patriotike  “Vllaznia” e “Shkëndia” etj. Fillimisht futet në Teatrin e Ushtrisë dhe më pas në 1945 në Teatrin Popullor. Ka luajtur dramën e parë “Invadimi” ku luan rolin e Fryherit, të vënë në skenë nga fashistët. Në Tiranë ai filloi direk tek Radio- Tirana në vitet 1942-‘44 me Marije Logoecin, Mihal Popin, Mihal Stefën. Këta ishin aktorët e parë që luajtën edhe ne teatrin popullor, dhe ka vu në skenë shumë pjesë, “Njeriu që pa vdekjen me sy, “Prefekti”, “Qypi me flori”. Në ‘48-n im atë shkëputet nga dramaturgjia se ra një zjarr e mori flakë skena e tetrait në kohën që do të vinte një delegacion nga Jugosllavia. Babai tregonte se shpëtuam nga një marangoz që preu litarët e skenës që morën flakë. Pas kësaj erdhi sigurimi i shtetit, dhe babai iu tha “ta lëmë njëherë të mbarojnë shfaqjen, pastaj bëni ç’keni për të bërë. Pas këtij incidenti të rëndë, babai im hoqi dorë nga teatri dhe u mor vetëm me pikturën. Ai ka 21 piktura në fondin e Galerisë Kombëtare, por nuk flitet për to.

Si ka mundësi, që ka një pasuri të tillë dhe institucioni nuk e ka përmendur kurrë emrin e tij?
-Nuk e di. Kjo është një heshtje misterioze rreth krijimtarisë së tim ati. Pikturat e tij prej 13 vjetësh janë të fshehura në bodrumet e galerisë kombëtare dhe nuk ka asnjë të ekspozuar edhe në sallën e piktorëve të traditës. Ka 21 vepra në Galerinë kombëtare të arteve të Hsan Reçit, dhe nuk ka pasur të pasqyruar asnjë vepër. Unë falënderoj ish drejtorin e Galerisë Kombëtare, Artan Shabani që me rastin e ekspozitës së piktorëve të ‘900-s që u hap në rezidencën e Ambasadës italian, nisi të interesohej se kush ishte në të vërtetë ky piktor, kur vuri re që veprat e tij ishin të punuara me një profesionalizëm të lartë dhe i bëri publike ato. Heshtja rreth veprave të babait tim nuk është e justifikueshme, sepse dihet që ai është vlerësuar edhe çmime kombëtare kur ka qenë gjallë, por tani është një emër që është fshirë në një mënyrë misterioze nga kujtesa e artit shqiptar, ku duhet të ishte krahas Guri Madhit, Kel Kodhelit. 

Ndërsa si aktor nuk është përmendur pothuajse fare?
-Nuk është zënë në gojë ky kontribut. Unë kam në arkivën time një revistë  prestigjioze italiane të artit, “Ombre Parlanti”, të vitit 1932, që botohej në Romë, dhe portreti i babait tim është mes aktorëve të shquar italianë: Flavio Giussepe-s, Aurelio Lupi-t dhe Tomassi Giovannimo-s. Fotografia e tij me një kapele dhe një çibuk në gojë është vlerësuar edhe si fotografi artistike në atë kohë. Profesioni bazë i tij ishte piktor, dhe sot por sot askush nuk flet për të. Babai ishte aktor, regjisor, piktor skene. Madje në fillim ai u regjistrua në 1937 në Bukuresht për vizatim dhe nisi studiojë për aktor, por më pas ndërroi drejtimin dhe vazhdoi studimet për pikturë në Itali, ku ka lënë gjurmë edhe në Akademinë e Romës.    

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen