TIRANE - Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet Rasim Hasanaj gjatë një interviste për gazetën “Shqiptarja.com” ka komentuar situatën e fundit e krijuar në qytetin e Përmetit. Hasanaj tha se Greqia nuk ka gisht, ndërsa përplasjen mes Kishës dhe Shtetit e quan të panevojshme.
 
Si i komentoni ngjarjet e fundit në Përmet?
Lidhur me ngjarjen në Përmet, mund të themi se është ngjarje e ndjeshme për gjithë opinionin, pasi përveç problematikës që ka brenda, është një konflikt mes një institucioni shtetëror (Bashkisë së Përmetit) dhe Kishës Ortodokse. Ky konflikt nuk është i ri, pasi siç dihet ka vite që është marrë vendimi i Gjykatës, por gjithnjë nga shteti është pritur të gjendet ndonjë zgjidhje që do të ishte e pranueshme për të dy palët. Gjatë këtyre 10 viteve janë bërë përpjekje dhe u mendua se po shkohet drejt një zgjidhje të përbashkët mes palëve.
 
A duhet që kisha (prifti) se bashku me besimtarët të hyjë dhunshëm në ambientet e pallatit të kulturës?
Dhuna në asnjë rast nuk është formë zgjidhjeje, por unë nuk mund të marr përsipër të komentoj përdorimin e forcës nga palët në konflikt në këtë ngjarje që solli një situatë të tensionuar e të panevojshme. Përmeti shquhet për qytetari. Edhe sot Kryetari i Bashkisë me priftin e kishës e dhanë këtë mesazh, duke pirë kafe në një nga lokalet e qytetit të Përmetit.

Po shkojmë drejt një urrejtjeje fetare...?
Nuk bëhet fjalë, përkundrazi bashkësitë fetare shqiptare e kanë bërë Shqipërinë një vend model në botë, për marrëdhëniet e shkëlqyera e harmoninë fetare, vlerë e cila po vlerësohet edhe nga vende të tjera. Në vlerësim e promovim të kësaj vlere shqiptare, gjatë këtij viti janë bërë dy aktivitete të mëdha me pjesëmarrjen e 70 shteteve.
 
A mendoni se ka gisht Greqia?
Lidhur me konfliktin në Përmet e thashë edhe më sipër se është një konflikt i vjetër dhe nuk ka arsye reale që Greqia të ketë nxitur acarimin e këtij konflikti, i cili në thelb është thjesht çështje pronësie. Gjithkush duhet ta kuptojë që kjo është çështje e brendshme e Shqipërisë, që do të gjejë zgjidhje së shpejti.
 
Komiteti i Kulteve e ka të përcaktuar me ligj se ku duhet të ndërhyjë, nëse ndonjë nga komunitetet përfshihet në konflikt?
Bashkësitë fetare kanë marrëveshje me Shtetin, të cilat tashmë kanë marrë një formë ligjore. Komiteti Shtetëror për Kultet, si institucion i ngarkuar për marrëdhënie të ndërsjella me bashkësitë fetare, ndihmon e bashkëpunon në mbështetje të veprimtarive fetare të tyre. Në të gjitha rastet që ka konflikte të kësaj natyre, mes komuniteteve apo brenda njërit prej tyre, ne kontribuojmë për gjetjen e zgjidhjeve të mundshme. Pa përmendur raste, kontributi ynë gjatë këtyre viteve ka qenë mjaft efektiv, me rezultate pozitive.

Shkrimi u botua sot në Gazetën Shqiptarja.com (print) 22.08.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)