Mereme Sela ka depozituar një kërkesë të re në Gjykatën e Shkallës së Parë, ku kërkon sigurim padie dhe pezullimin e zgjedhjeve të 23 majit për kreun e Partisë Demokratike.

Në padinë e saj, ajo ka kundërshtuar zhvillimin e procesit zgjedhor brenda PD-së dhe ka paditur ish-kryeministrin Sali Berisha lidhur me këtë çështje.

Kërkesa e korrigjuar është dorëzuar pranë gjykatës, ndërsa pritet që institucioni të shqyrtojë pretendimet dhe të vendosë nëse do të pranojë ose jo pezullimin e zgjedhjeve për drejtimin e partisë. Zgjedhjet për kreun e Partisë Demokratike janë parashikuar të mbahen më 23 maj.

Mereme Sela, me profesion mjeke, kërkoi të bëhej pjesë e garës për zgjedhjen e kreut të ri të Partisë Demokratike. Aplikimi i saj u pranua, ndryshe nga Ervin Salianji, Alesia Balliu dhe Evi Kokalari, por nuk u legjitimua me argumentin se nuk plotësonte kriteret bazë.

Në këtë moment, Mereme i është drejtuar dyerve të gjykatës duke mos hequr dorë nga zgjedhjet e 23 majit ku i vetmi kandidat është Sali Berisha.