Heroina në formatin e një buke vjen e shkon nëpër Shqipëri dhe paratë e saj kanë depërtuar aq fort në jetën ekonomike, sociale dhe politike dhe bëjnë ligjin në zona të tëra të vendit që në çdo qeveri janë thjesht tërritore me ekstreme pasurie dhe varfërie dhe me kriminalitet të frikshëm. Rëndom mes gazetarëve zona nga Fushë-Kruja deri në Lezhë cilësohet si “trekëndëshi i Bermundës”. Eshtë kjo zonë që ka shumë pranë aeroportin e Gjadrit, aq shumë të përfolur.
Çuditshëm kryeprokurori Llalla përmendi dje se ka në dorë një hetim, që do të ndryshojë të ardhmen e vendit?!! A ka lidhje kjo me avionin e Divjakës, që do të ngarkohej me drogën e Fushë-Krujës, ndonjë emër të njohur apo grup-emrash, këtë nuk e di askush. Ajo që dihet dhe që nuk e mohon askush është se njerëzit e dinë se kush bën trafik droge, nga vjen dhe ku shkon kjo drogë, cili oficer policie, zyrtar apo politikan e deputet mbështet këmbët mbi këtë biznes të fëlliqur. Të gjithë e dinë: edhe Rama e di, edhe Kryeprokurori, shefi i SHISH-it, Presidenti i Republikës, edhe drejtuesit e opozitës e dinë. Thjesht nuk ka vullnet për bashkëpunim në mënyrë që të krijohet një aleancë për t’i hequr çdo mbështetje politike fenomenit. Frika është se, nëse X-in e lë një parti, atë e rrëmben menjëherë partia tjetër dhe kjo frikë nuk është pa vend, sepse ka ndodhur dhe me gjasa do ndodhë vazhdimisht deri sa synimi kryesor te jetë pushteti.
Nëse ka lajme se po kapet hashash, apo edhe avionë që tentojnë ta trafikojnë, ky nuk është aspak një lajm i keq, përkundrazi. Lajm i keq është fakti që nuk po kapet heroinë, në një kohë kur Shqipëria cilësohet nga çdo raport ndërkombëtar si rrugëkalimi tranzit i drogës së fortë, që vjën nga Turqia. Dy aktorët e tentativës së dështuar të Divjakës janë njomëzakë, që me shumë gjasa u përdorën për të dhënë ndonjë spektakël në një skemë të qartë, ku mafia kërkon të bëjë edhe politikë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit foli për “kollare” që sulmojnë policinë, një deklaratë shumë e rëndë kjo që, në rradhë të parë, bën përgjegjës direkt atë se përse asnjë nga këto “kollare”, apo “bosë krimi”, që po kërkojnë të bëhen politikanë, përveçse trafikantë, nuk përfundojnë pas hekurave të burgut. Të gjithë akuzojnë të gjithë, se askush nuk dënohet.
Këtu trafikantët janë bërë pothuajse të paprekshëm, aq sa shumë shpejt, nëse lihen të lirë, do të kenë në dorë edhe fuqinë politike. Ata kanë fuqi ekonomike dhe, në një moment dëshpërimi, mund të vendosin të pranojnë paratë e drogës në shkëmbim të votave në një kohë kur janë mesë të bindur se këtë gjë bëjnë edhe politikanët. Nëse ndodh kjo, atëherë fundi ka ardhur për këtë vend. Deklarimet për balanca pushteti, respektim institucionesh, fakte, mungesë faktesh janë thjeshtë justifikime të pavlera që më shumë se mirë na bëjnë keq. Shqipëria nuk është ende një shtet që duhet të kujdeset për respektimin e pavarësisë së sistemit të Drejtësisë, kur ky sistem është korruptuar deri në nivele të paimagjinueshmë. Gjykatat veçanërisht duhen ribërë për të hequr qafë të korruptuarit, që fshihen pas ligjit, kur bëhet fjalë për postet e tyre dhe shkelin ligjet me të dyja këmbët, kur lirojnë trafikantët nga burgu.
Nuk duhet asnjë stepje për të ribërë nga e para Policinë e Shtetit, kur kjo polici për 20 vjet nuk qe e aftë të mbajë nën kontroll territorin, të mos lejojë kultivimin e hashashit e trafikun e heroinës. Trafiqet, korrupsioni, paratë e fituara lehtë janë arsyeja që Shqipëria ka mbetur më e varfra në Europë dhe më mbrapa për çështjen e Integrimit. Nëse koka e këtij gjarpri, që ka mbërthyer vendin, do të pritej, atëherë të gjithë do të merrnim frymë më lirisht...
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)