Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto vizitoi të dielën stendat e bizneseve vendase dhe të huaja në eventin Binzes-Art-Bashkejetese, që po zhvillohet në Pallatin e Kongreseve nga “Klik Ekspo Group”.

Haxhinasto vlerësoi si mjaft të rëndësishëm këtë Panair duke u shprehur se pjesëmarrja e shumtë e kompanive të huaja në këtë Panair tregojnë për një interes në rritje për tregun shqiptar. Ai theksoi se, “gama e produkteve dhe shërbimeve që ofrojnë është shumë e larmishme për tre kolonat kryesore që ka ky panair, që janë energjia, kultura dhe biznesi në përgjithësi”.

Ministri Haxhinasto ndali edhe tek kompanitë kineze të cilat kanë shprehur interes në rritje për të investuar në infrastrukturën shqiptare atë rrugore dhe hekurudhore. “Fusha e hekurudhave është një nga sektorët e rëndësishëm ku po shfaqet interesi i vazhdueshëm edhe nga kompanitë kineze. Hekurudha jonë në fakt është lënë pak mënjanë nga këto 25 vitet e ndryshimeve”, tha Ministri Haxhinasto ndër të tjera.

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës vizitoi pavionet me të cilat prezantohet kjo ministri në Panairin e ‘Klik Ekspo Group’. “Shumë e rëndësishme për këtë panair është edhe pjesëmarrja me stendat e tyre të disa institucioneve të lidhura me Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës.
Kemi Aviacionin Civil, Drejtorinë e Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizimeve, Drejtorinë e Përgjithshme të shërbimeve të transportit, autoritetin rrugor shqiptar, Portin e Vlorës, Portin e Durrësit, Hekurudhën Shqiptare, të cilat kanë ardhur këtu dhe ofrojnë shërbimet e tyre. Jam i bindur që do të gjejnë një partneritet edhe me kompanitë e tjera, të cilat kanë ardhur nga shumë vende të botës në këtë Panair”, nënvizoi ministri Haxhinasto


Prononcimi i plotë i Ministrit Edmond Haxhinasto

Pyetje
: Prezenca e shumë kompanive të huaja dhe shqiptare, a përbëjnë interes edhe për ju si ministri për të gjetur fusha bashkëpunimi?
Haxhinasto: Së pari dua të vlerësoj cilësinë e Panairit. 90 % e komapnive vijnë nga jashtë, pra tregojnë një interes në rritje për tregun shqiptar. Edhe gama e produkteve dhe shërbimeve që ofrojnë është shumë e larmishme për tre kolonat kryesore që ka ky panair, që janë energjia, kultura, biznesi në përgjithësi. Është shumë e rëndësishme që disa nga kompanitë që pata mudnësi të kontaktoj dhe shikoj produktet e tyre janë kompani ndërkombëtare, të cilat janë duke eksploruar mundësitë e prezencës së tyre në tregun shqiptar, por dhe bashkëpunimin me bizneset shqiptare.

Një zhvillim shumë pozitiv do të thoja për ndërkombëtarizimin e shërbimeve tona dhe bërjen e tyre pjesë të kompanive apo rrjeteve të shërbimeve ndërkombëtare. Shumë e rëndësishme për këtë panair është edhe pjesëmarrja me stendat e tyre të disa institucioneve të lidhura me Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës. Kemi Aviacionin Civil, që jemi këtu në stendën e tyre, kemi Drejtorinë e Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizimeve, kemi Drejtorinë e Përgjithshme të shërbimeve të transportit, kemi autoritetin rrugor shqiptar, kemi Portin e Vlorës, Portin e Durrësit, Hekurudhën Shqiptare, të cilat kanë ardhur këtu dhe oforjnë shërbimet e tyre. Jam i bindur që do të gjejnë një partneritet edhe me kompanitë e tjera , të cilat kanë ardhur nga shumë vende të botës në këtë Panair.

Pyetje: A ka interes Ministria për shërbimet dhe ekspertizën e këtyre kompanive në shumë fusha ?
Sigurisht kemi nevojë për ekspertizën e tyre, produktet e tyre, teknologjitë e reja që sjellin, siç janë teknologjitë e reja në ndërtimin e rrugëve, teknologjitë e reja në menaxhimin e trafikut, teknologjitë e reja në ndriçimine rrugëve, siç pamë në një nga stendat këtu pranë. Sigurisht që janë shumë të rëndësishme, i vlerësojmë ato, i shikojmë  dhe patjetër që do t’i ftojmë në projektet tona për zhvillimin e infrastrukturës shqiptare.

Pyetje: Kontakte konkrete keni vendosur përsa i përket stendave për hekurudhën shqiptare, sepse pamë që ndaluat në disa komapni kineze?
Fusha e hekurudhave është një nga sektorët e rëndësishëm ku po shfaqet interesi i vazhdueshëm edhe nga kompanitë kineze. Hekurudha jonë në fakt është lënë pak mënjanë nga këto 25 vitet e ndryshimeve. Siç e shikoni edhe nga stenda atje, me pak përkujdesje më shumë mundësitë e saj fillojnë dhe realizohen. Veçanërisht po të keni parasysh dimensionin ndërkombëtar të saj. Pra lidhjet ndërkombëtare me Malin e Zi apo atyre potenciale me Maqedoninë. Kështu që jam plotësisht i bindur që do të ketë interes për bashkëpunim nga kompanitë e huaja me hekurudhën shqiptare./atsh