Edmond Haxhinasto, Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës ka marrë pjesë në një konferencë për ekonominë ‘’Ekonomia e dijës’’ ku ishin pjesëmarrës të rinj të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ministri u shpreh se duhet shumë punë që niveli i produkteve dhe shërbimeve shqiptare të jetë garues me ato të vendeve evropiane dhe për të arritur këtë duhet të investohet në arsimimin dhe kualifikimin profesional të rinisë. Rritja profesionale do të garantonte një balancë midis sektorit privat dhe atij shtetëror.
 
‘’Duhet të jemi të qartë që të gjithë, sepse  për të qenë garues në Europë duhet të kemi të njëjtin nivel të produkteve me vendet e tjera të Europës. Për të arritur këtë duhet të përballojmë shumë sfida duke u vazhduar të investojmë në arsimin dhe kualifikimin profesional të rinisë. Orientimet tona duhet të japin impaktin e duhur në realitet’’, tha ministri.
 
‘’Tregu ka nevojë për shumë më tepër nevojë për menaxherë sektorialë të cilëve duhet tu krijojmë edhe disa mundësi për të përvetësuar disa aftësi të veçanta. Sistemi aktual i rekrutimit nuk është akoma i duhuri, nuk kemi nju sistem që arrin të marrë në struktura të administratës ajkën që arsimohet, ata më të mirët, e kjo është një sfidë që i përket të ardhmes.
 
Në të gjitha vendet e botës ka një konkurrencë midis sektorit privat dhe atij publik, ku privati konkurron duke u ofruar pagat më të larta punonjësve, por karriera dhe qëndrueshmëria i drejton njerëzit tek publiku, ne duhet të përpiqemi të arrijmë një balancë midis këtyre të dyjave. Ne kemi një sfidë reale për të konkurruar me sektorin privat
’’, nënvizoi Haxhinasto.
 
‘’Rritja ekonomike  e Shqipërisë ka nevojë për politika të reja më të fokusuara të bëra nga njerëz të ditur si ju’’, u tha Haxhinasto të rinjve të pranishëm në sallë.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com