Në ditën e dytë të punimeve të Këshillit të Ministrave të Transportit të BE-së, Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto zhvilloi takime me krerët e transportit dhe infrastrukturës së Malit të Zi dhe Maqedonisë, Ivan Brajovic dhe Mile Janakieski.

Në diskutimet me homologun malazez vend të veçantë zuri intensifikimi i përpjekjeve për materializimin e punës për projektin e përbashkët të korridorit Adriatiko-Jonian, duke filluar me përfshirjen e tij në planifikimin strategjik të nivelit rajonal, në Observatorin e Transportit të Evropës Jug-Lindore, dhe në atë të korridoreve evropian TREN-T. Kjo do i hapte rrugë studimit të fizibilitetit, projektimit dhe më pas zbatimit të këtij korridori kaq të rëndësishëm për të gjithë bregun perëndimor të Ballkanit.

Haxhinasto takon homologun maqedonas Janakieski
Ndërsa me homologun maqedonas biseda u fokusua drejt koordinimit të punës si në transportin rrugor, dhe atë hekurudhor.

Ministri Haxhinasto i kërkoi homologut Janakieski koordinim në pjesën maqedonëse të rrugës së Arbërit, si një urë e rëndësishme lidhëse ekonomike dhe sociale.

Gjithashtu, ministri Haxhinasto theksoi se trajtimi i lidhjes hekurudhore Shqipëri-Maqedoni si një e tërë është parakusht për implementimin e suksesshëm të këtij projekti të rëndësishëm për dy vendet./ATSH/