TIRANË- Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto inspektoi sot dy impiantet e trajtimit të ujërave të përdorura në zonën bregdetare Shëngjin - Velipojë, investime madhore për gjithë infrastrukturën dhe për shërbimin që i bëhet banorëve të kësaj zone, por edhe vizitorëve gjatë sezonit turistik që vijnë këtu.
Gjatë vizitës në impiantin e Shëngjinit, një investim tashmë i realizuar prej 4.7 milion euro, i cili i shërben rreth 60 mijë banorëve, ministri Haxhinasto tha se ky është një investim shumë i rëndësishëm për gjithë infrastrukturën e zonës dhe për shërbimin që i bëhet banorëve të saj, duke sjellë një cilësi krejt tjetër edhe të mjedisit në zonë.
Funksionimi normal i këtij impianti ka sfidat e veta, si ato që kanë të bëjnë me kostot e operimit. Ky është një problem i përgjithshëm i gjithë sistemeve tona të ujësjellës-kanalizimeve. Në strukturën e kostove të tyre elementi i energjisë elektrike është shumë madhor, e cila bën që shteti të jetë vazhdimisht i angazhuar për të subvencionuar këto kosto për të qenë të përballueshme nga qytetarët, u shpreh ministri.
Ministri Haxhinasto e konsideroi këtë një sfidë të madhe për Drejtorinë e Përgjithshme të Ujësjellës- Kanalizimeve dhe për të gjithë ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve që të punojmë së bashku, për të përmirësuar efiçencën e sistemeve të ujësjellës-kanalizimeve, me qëllim që të ulim sa më shumë kostot dhe të kemi mundësi që të ardhurat që gjenerohen të vazhdojnë të përdoren edhe për investime të tjera, me qëllim që të përmirësohet sa më mirë shërbimi i ujësjellës-kanalizimeve.
Ai gjithashtu shtoi se në Lezhë së shpejti do të realizohet edhe një investim tjetër shumë i rëndësishëm prej rreth 11 milion eurosh për sistemin e rrjetit të ujësjellësit të qytetit. "Ky investim do të ketë një impakt shumë të rëndësishëm për Lezhën, Shëngjinin, për gjithë këtë zonë që është një nga zonat me potencial turistik shumë të madh të vendit", tha Haxhinasto
Më pas, ministri vizitoi edhe impiantin e trajtimit të ujërave të përdorura në Velipojë. "Ky investim është gjithashtu një zhvillim shumë pozitiv për infrastrukturën e ujësjellës-kanalizimeve të kësaj zone me një potencial turistik të jashtëzakonshëm", tha ai, duke e konsideruar këtë si një nga projektet më të rëndësishme për trajtimin e ujërave të zeza, ku aktualisht ka përfunduar faza e dytë.
"Është realizuar investimi për pjesën kryesore të impiantit të trajtimit të ujërave të zeza që do t'i shërbejë rreth 55 mijë banorëve. Sfidë e madhe në këtë moment mbetet lidhja e kolektorëve të sistemit me përdoruesit e ndryshëm", tha ai.
Njëkohësisht ministri Haxhinasto kërkoi një mbështetje më të madhe nga ana e pushtetit lokal për këtë çështje. "Është shumë e rëndësishme që të angazhohet fuqishëm edhe pushteti vendor, pasi Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës Kanalizimeve dhe ajo e zonës këtu, janë të angazhuara plotësisht dhe do të japin mbështetjen e tyre maksimale. Do të shikojmë mundësinë e mbështetjes edhe nga buxheti i shtetit, por projekti është konceptuar për të pasur një angazhim të drejtpërdrejtë edhe të banorëve të kësaj zone, pasi ndryshimi që mund të realizojmë nëpërmjet plotësimit të të gjithë rrjetit të ujësjellësit dhe të kanalizimeve në këtë zonë është i jashtëzakonshëm për vetë tiparet dhe veçoritë mjedisore që ka zona e Velipojës, si një zonë ekologjikisht nga më të pastrat e Shqipërisë, pra për t'a ruajtur atë si të tillë dhe për të shfrytëzuar potencialin e madh turistik që ajo ka", tha ministri Haxhinasto. Afati i përfundimit të këtij projekti në tërësinë e tij, është fillimi i vitit 2016.
Ministri foli edhe për problematikat që ka patur turizmi është dhe derdhja e ujërave të zeza në liqene, lumenj apo në bregdet. "Akoma Shqipëria ka nivele të ulta të trajtimit të ujërave të përdorura në nivelet rreth 25%. Pra rruga që duhet të bëjmë është mjaft e gjatë dhe sfida jonë është që të angazhojmë dhe të programojmë investimet për të realizuar trajtimin e këtyre ujërave, por para së gjithash duhet të bëjmë funksionale të gjithë impiantet ku ne kemi investuar" u përgjigj për median ministri Haxhinasto./ATSH/