Hebrejtë dhe shqiptarët, dëshmi e
dokumente, pse u mbrojtën hebrejtë

Hebrejtë dhe shqiptarët, dëshmi e<br />dokumente, pse u mbrojtën hebrejtë
Ka ngjarje në historinë e njerëzimit që shënojnë epokat ose i venë vulën e tyre periudhave të ndryshme. Lufta e dytë botërore, me sasinë e viktimave (50 milionë), është një nga ngjarjet më tronditëse e më të tmerrshme të gjithë qënies mijravjeçare të shoqërisë njerëzore. Në kuadrin e saj, holokausti, zhdukja fizike e gjashtë milionë viktimave të pafajshme, vetëm e vetëm në sajë të prejardhjes racore apo përkatësisë një besimi fetar, apo një etnie të caktuar është një nga njollat më të zeza që, ajo kohë, la në nënëvetëdijen e njerëzimit në përgjithësi, por kryesisht në ndërgjegjen e atij brezi njerëzish që e shkaktuan, bënë të mundur, apo lejuan një tragjedi njerëzore të përmasave të tilla.

            Prej disa vitesh 27 janari është dita e kujtesës, e rikthimit ideal në thelbin e asaj tragjedie të stërmadhe, në matjen e përfytyruar me të e pasojat e saj, në një bilanc të heshtur të çdo populli me përmasën e përgjegjësisë së tij në mëdyshjen brejtëse të asaj që bëri, që mund të bënte, që nuk e bëri.... Ky bilanc vjen natyrshëm në çdo 27 janar, kur historia na paraqet llogarinë, duke na përballuar jo vetëm me të shkuarën, por edhe me të sotmen ku, në forma e përmasa të ndryshme, vazhdojmë të ballafaqohemi me dukuri t’urryera.

            Për shqiptarët 27 janari, krahas dhimbjes njerëzore për miliona jetë të flijuar në altarin makabër të racizmit më të egër, është dhe një ditë krenarie. N’atë bilanc të heshtur t’atyre ngjarjeve, përgjegjësive e pasojave, n’atë gjyq të përfytyruar të ndërgjegjeve të popujve, të kombeve, të klasave politike, të fuqive ushtarake të një kontinenti të tërë, në një nga epokat më të errëta të Evropës së qytetëruar, ne, shqiptarët dalim ballëlartë e me ndërgjegjen e pastër : nga toka shqiptare që për pesë vite qe e pushtuar nga trupat e huaja, nga ushtritë italiane e gjermane, asnjë hebre nuk shkoi në kampet e çfarosjes. Në tokën shqiptare gjetën strehë e mbrojtje 2265 vetë, banorë të këtij trualli, apo t’ardhur n’ata vite të vështiura nga Vende të tjera fqinje, apo më të largëta.

            Në vitin 1937, në Shqipëri banonin gjithsej 191 hebrenj. (“Hebrenjtë në Shqipëri” Katalog dokumentash të A. Q. Sh. të Republikës së Shqipërisë” nga Nevila Nika dhe Liliana Vorpsi) “Në vitet 1941 – 1942 vërehen shpërnguljet më të mëdha të hebrenjve nga vendet e rajonit ballkanik (Jugosllavi, Bullgari) dhe vendosja e tyre në kampe përqëndrimi në qytete dytësore të Shqipërisë, duke pasur kujdesjen shtetërore për ushqim, strehim, veshje dhe nevoja të tjera.

            Deri në fund të Luftës II botërore numri i hebrenjve në Shqipëri u dhetëfishua. Asnjë hebre s’u bë viktimë e luftës.”
             Janë disa nga përfundimet e kreut të dytë të vëllimit “Hebrenjtë në Shqipëri Prania dhe shpëtimi”, i shkruar nga Prof. Shaban Sinani dhe i botuar më 2009.
            Shifrat e pranisë së hebrenjvet e shpëtimit të tyre në trojet shqiptare ndryshojnë nga një autor tek tjetri, ato nuk janë të përcaktuara plotësisht, mbasi studimet mbi to kanë filluar në dhjetëvjetëshin e fundit dhe ende nuk janë të përfunduara, falë vështirësive që hasen në shqyrtimin e mijra dokumentave të arkivave, por edhe të mos paraqitjes në dokumenta të shumë veprimeve t’asaj kohe. Por të gjithë studjuesit janë të një mëndjeje se shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri nuk është një legjendë, por një fakt i pakundërshtueshëm e, si i tillë, mbetet një nga të paktat dukuri të tilla në të gjithë Evropën e asaj periudhe.

            Në shqyrtimin e një dukurie të tillë bëhet i detyrueshëm krahasimi me përvojat e popujve të tjerë në të njëjtën periudhë e në të njëjtat kushte historike. Nga vëllimi “Hebrenjtë në Shqipëri nën fashizmin Një histori për t’u rindërtuar”, italisht, me autorë Laura Brezzo e Michele Sarfatti, shkëpusim këtë paragraf që i referohet disa të dhënave të studjuesve M. Grmek dhe B. Kovacic në “Messager européen” N.5 1991 : “Vetëm nga dora e regjimit ustasha të Paveliçit u masakruan gjatë luftës së dytë botërore 300.000 serbë, 26.000 hebrenj, 16.000 romë.”

            Nga i njëjti vëllim në kapitullin “Shoah në Serbi e Maqedoni” (1941 – 1943) të studjuesit Milovan Pisarri jepen këto shifra : “Në këto krahina më 1941 jetonin rreth 21.000 hebrenj, prej të cilëve 13.000 në Serbi e 7762 në Maqedoni. Në Serbi kishte veç tyre dhe 5000 – 6000 hebrenj të shpërngulur nga Evropa Lindore, në pritje për të vazhduar rrugën për në Palestinë. Në fund të luftës mbijetuan më pak se 3.000 vetë.

            Më 22 mars 1943 u nis treni i parë që mbartëte 2409 hebrenj maqedonë. Vend mbërritja, më 28 mars, mbas një udhëtimi nëpërmjet Serbisë dhe Evropës Qëndrore, ishte Treblinka. Më 25 e 29 mars u nisën dy trena të tjerë me, përkatësisht 2399 dhe 2550 vetë. Asnjë prej këtyre nuk u kthye i gjallë. Në të njëjtën ditë u përzunë nga Thraka, me rrugë lumore nëpër Danub deri në Vjenë, 4221 hebrenj vendas.”

            Dhe ja përfundimi : “Sa vetë arritën të ikin në Shqipëri nga Serbia e nga Maqedonia, fatkeqësisht, nuk është e mundur të përcaktohen me saktësi, së paku tani për tani. Këta refugjatë janë një pjesë e pak hebrenjve, që arritën t’i mbijetojnë Shoahut në Serbi e Maqedoni : pak më shumë se 10% në krahinën e parë, rreth 5% në të dytën.” 
            Simbas këtyre shifrave, të dhëna nga studjues të huaj, del qartë se Shqipëria bëri një përjashtim në Ballkan, në praktikën e përndjekjes së hebrenjve, që ishte një strategji globale e hitlerianëve, të cilët e kishin pushtuar Ballkanin. Qeveritë shqiptare, jo vetëm nuk dorëzuan hebrenjtë vendas, por u bënë edhe shpëtimtarë të shumë të tjerëve, që arritën të hyjnë në kufijtë e Shtetit të tyre.

Kjo dukuri ka një vlerë morale shumë të madhe, është një nga meritat më të shkëlqyera të kombit në të gjithë historinë e tij, një motiv krenarie të ligjëshme në ndihmesën e dhënë qytetërimit botëror. Ky i fundit nuk është vetëm arritje veprash madhore në fushat e ndryshme të dijes, artit, shkencës etj., është dhe pohim e mbrojtje vlerash universale, siç është jeta njerëzore, madje ky duhet të jetë edhe synimi më i lartë i tij.

            Nëse të tjerët na e venë këtë kurorë dafinash të mirënjohjes e vlerësimit mbi kokë, ne vetë jemi refraktarë kundrejt vlerave tona. Për një gjysëm shekulli të regjimit komunist nuk u zu në gojë asnjëherë dukuria e shpëtimit të hebrenjve në tokën shqiptare. Ajo ishte varrosur, së bashku me shumë të vërteta të tjera të periudhës së luftës, siç ishte bashkimi i trojeve shqiptare më 1941 – 1944. Mbas tjetërsimit të sistemit, studjues të ndryshëm, ndër të parët z. Mërgim Korça, dëshmitar në vetë të parë i një episodi të rëndësishëm t’asaj dukurie, filluan të shkruajnë për të vërtetën historike.

Politika, natyrisht, e mori argumentin për t’a nxjerrë në pah që prej disa vitesh kur, më 1 nëndor 2005, Asambleja e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara vendosi përkujtimin e Shoas për datën 27 janar, në përputhje me datën e rrëzimit të portave të kampit të Aushvicit, si pasojë e hyrjes së ushtrisë sovjetike në rrugën e saj për në Berlin.
            Politika dhe mediat, në pjesën dërmuese të tyre, mbasi zbuluan “thesarin” e krenarisë kombëtare, filluan të japin dhe ftillimet e tyre, duke e paraqitur atë dukuri, shpëtimin e hebrenjve, si një meritë të vetme të familjeve shqiptare që strehuan ata në shtëpitë e tyre, madje dikush evokoi dhe një miqësi të lashtë mijëvjeçare mes dy popujve. Ky ftillim paraqiste vetëm një pjesë të së vërtetës, por anashkalonte rolin e autoriteteve qeveritare italiane e të komandës gjermane në Shqipëri, nga njëra anë, dhe qeverive shqiptare t’asaj periudhe, nga ana tjetër.

Thjeshtimi i interpretimit të një dukurie, tepër komplekse në zhvillimet e saj, ishte një mënyrë e tërthortë dinakërie, për të mbuluar të vërtetën historike. Duke zhvendosur nga teatri i ngjarjeve klasën politike shqiptare t’asaj periudhe e rolin e saj në shpëtimin e hebrenjve, jo vetëm që opinionit publik shqiptar e të huaj i servirej një përrallë me mbret, aspak bindëse, por bihej ndesh me vetë faktet historike e dokumentat pasqyruese të tyre. Ishte një përpjekje, në vazhdën e njohur të historiografisë mashtruese komuniste, jo për të zbuluar një të vërtetë historike, në tërë përbërësit e saj, por për t’a tjetërsuar atë me metoda manikeiste qesharake deri në marrëzi.

Në këtë grackë ranë dhe autoritetet shtetërore e të politikës që në këta vite, duke u ballafaquar me problemin në mjedise ndërkombëtare, bënë një figurë jo të mirë kur dikush u tha se hebrenjtë, në rradhë të parë, i ishin mirënjohës qeverive “kolaboracioniste” shqiptare, që luajtën rolin vendimtar në shpëtimin e tyre.

            Në këtë treg idesh, faktesh e interpretimesh meriton një vëmëndje të veçantë studimi i Prof. Shaban Sinanit “Hebrenjtë në Shqipëri  prania dhe shpëtimi”, një përpjekje objektive e shkencore për t’a paraqitur dukurinë në termat e saj të vërteta. “Një nga arsyet që kjo pjesë e historisë shqiptare s’njihet mirë është dhe frika se, duke njohur këtë realitet, mund t’i njihet tërthorazi ndonjë meritë edhe mbretërisë apo fashizmit. Në të vërtetë, kjo vetëm do t’a nderonte historinë e vendit dhe asgjë më shumë.” shprehet autori. Përgëzime atij për këtë diagnozë të saktë të studimeve tona historike, nga praktika e të cilave, nëpërmjet kësaj vepre, duket se don të shkëputet. Uroj që të jetë një hap i madh përpara, për të shërbyer tempullin e shkencës dhe së vërtetës, duke braktisur demagogjinë politike që ka prodhuar vetëm shtrembërime të tyre.

            Në faqen 127 të librit gjejmë dëshminë e rëndësishme, të shkëputur nga libri me kujtime të Mëkëmbësit të Mbretit, Francesco Jacomoni, me titull “Politika e Italisë në Shqipëri”, në dobi të Kryeministrit Kruja e Qeverisë së tij, në lidhje me kërkesën gjermane për dorëzimin e hebrenjve në Kosovën shqiptare dhe masat e marra për të mos e zbatuar atë. Më poshtë autori bën pyetjen :

            “Por ç’ndodhi me qeveritë bashkëpunuese, kuislinge, që ishin në dijeni të hyrjes së hebrenjve në Shqipëri, që nuk e penguan ardhjen e tyre, përkundrazi, lejuan dhe fshehjen e identitetit, dhe së fundmi nuk u a dhanë listat që kërkuan autoritetet naziste, për t’i çuar hebrenjtë e Shqipërisë në të njëjtin fund katastrofik ?” për t’u përgjigjur po vetë, i bazuar në gjashtëqind dokumentat që ruan A.Q.Sh. shqiptar, në të cilin profesori ka qenë drejtor : “Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri është i lidhur me faktin thelbësor që asnjëra prej qeverive bashkëpunuese, megjithëse të ngritura në pushtet me fuqinë e armëve të fashistëve apo nazistëve, nuk hartoi e nuk përshtati asnjë ligj antihebraik, në një kohë kur në ligjet antihebraike në vendet e tjera të kontrolluara nga këto ushtri dhuna antihebraike u detajua deri në një të tetën...”

            Aq është e vërtetë kjo tezë sa që, në librin e sipërpërmendur të Brecos e Sarfatit, sillet një fragment shumë i rëndësishëm i kujtimeve të Jakomonit : “Një tjetër çështje qe objekt kundërshtie me Romën : ajo e shtrirjes së ligjeve raciale në Shqipëri. Udhëzime për t’u shpallur u dhanë vazhdimisht, por me shfaqjen gjithmonë të  problemeve të reja nuk u arrit të bëhej gjë.” Duhet theksuar në këtë rast fakti se Roma zyrtare e kishte hartuar dhe miratuar dekretin kundër-hebraik që më 14 maj 1939. Ai dekret përbëhej nga 21 nene, në të katërtin e të cilëve thuhej : “ Hebrenjtë e huaj që, në datën e shpalljes së këtij dekreti gjenden në Mbretëri, duhet të lëshojnë menjëherë territorin e saj, brënda një muaji  (pastaj 6 muaj) nga data e botimit të vetë dekretit.”

            Ky dekret nuk u bë as i njohur në opinionin publik shqiptar sepse asnjë qeveri  nuk pranoi t’a shpallte, mbasi binte ndesh me traditat e mikpritjes së hershme shqiptare e përbënte një shkelje të ligjeve e zakoneve të mbrendëshme të popullit tonë. I mbetet lexuesit të krijojë nga këta fakte opinionin e tij mbi ngjarjet dhe personazhet e asaj epoke, të paraqitura me ngjyrat më të errëta për gati tre të katërtat e shekullit. Në këtë kuadër është për t’u përmendur marrëveshja ndërmjet Qeverisë shqiptare dhe Komandës gjermane më 17 tetor 1943, mbas kapitullimit të Italisë, të cilën studjuesi Sinani e sjell në faqen 142 të librit të tij : “ Burimet arkivore shqiptare dëshmojnë se marrëveshja midis qeverisë së Shqipërisë dhe komandës politike e ushtarake të ushtrisë gjermane u arrit mbështetur në formulën : “Të trajtohen armatat gjermane si ushtri kalimtare, me kusht që nga autoritetet e Reich-ut të mos ndërhyhet në qeverisjen e brëndshme të shtetit shqiptar”.....

Duke iu referuar formulës së paktit dhe reagimit të institucioneve të Reich-ut, mund të përfundohet pa gabuar se, në vështrimin e autoriteteve naziste, në Tiranë çështja hebreje quhej “çështje e brëndshme”.
            E veçanta e kësaj marrëveshjeje, e pakonceptueshme për kushtet e kohës, do t’a bënte studjuesin amerikan H.Sarner të shprehej : “Fraza për “ mosndërhyrje në punët e brendshme” mori një rëndësi të posaçme për fatin e hebrenjve, kur komanda naziste i kërkoi regjencës që të dorëzonte listat e tyre në tërë Shqipërinë”.

Madje është mjaft interesante konsiderata e Sarnerit për Ministrin Xhafer Deva e veprimet e tij në mbrojtje të hebrenjve : “...Sedra nacionale e ministrit Deva doli më e fortë se anti-semitizmi i tij i njohur. Ai mori përsipër të kundërshtonte kërkesën e nazistëve. Deva ia doli që t’i bindte ata që të tërhiqeshin nga kërkesa për dorëzimin e listave të hebrenjve.”
            Në libër gjejnë pasqyrim edhe përpjekjet e klerit katolik për shpëtimin e hebrenjve, nëpërmjet kthimit të tyre në besimin e krishterë. Në këtë drejtim përmenden emrat e Dom Shtjefën Kurtit dhe të At Pjetër Meshkallës. Po i mbyll këto konsiderata për objektivitetin e Prof. Shaban Sinanit duke sjellë një pohim që tregon jo vetëm profesionalizëm por edhe ndershmëri intelektuale:

            “Shumëve u duket si i tepruar ngulmimi për rolin pozitiv të autoriteteve qeverisëse shqiptare gjatë luftës për shpëtimin e hebrenjve. Këta mendojnë se asnjë fjalë e mirë nuk mund të thuhet për kolaboracionistët, meqë ata e penalizuan veten me qeverisjen nën armët e ushtrive naziste. Por njerëzit e thjeshtë kishin në dorë t’u jepnin hebrenjve bukë, punë dhe strehë. Njerëzit e thjeshtë nuk i kishin listat e tyre. Këto lista i kishin autoritetet qeverisëse dhe nuk i dhanë. Ato arin e Shqipërisë e dorëzuan, por këto lista jo. Ka pasur funksionarë të qeverive bashkëpunuese që jo vetëm nuk kanë dorëzuar lista hebrenjsh, jo vetëm kanë raportuar se në juridiksionin e tyre nuk ka hebrenj, por madje kanë kërkuar prej komandës naziste të lirojë ata hebrenj që ajo i kishte kapur gjatë mërgimit nga thellësitë e Ballkanit drejt Shhqipërisë (Kruja, Hurshiti, Mulleti, Korça, Çoba, Preza).”

            Ja dhe përfundimi i autorit me të cilin pajtohem plotësisht : “Hebrenjtë në Shqipëri nuk i shpëtoi as nacionalizmi, as komunizmi, as ndonjë faktor tjetër politik, por etnotipi shqiptar, në thelbin e të cilit është mbrojtja e tjetrit në rrezik. Ky është një tipar që shqiptarët e kanë përsëritur shpesh në sjelljen me “tjetrin”.
            Së fundi, duke zgjeruar pak konceptin e profesorit, më duket me vend që në kujtesën historike të popullit tonë të kenë vendin e merituar ata që “etnotipin shqiptar” e shpalosën në çdo kohë, edhe në atë të luftës së dytë botërore, duke i lënë bashkatdhetarëve të tyre krenarinë e përkatësisë një kombi që, në rastin e shpëtimit të hebrenjve, ka mishëruar vlerat madhore e të përjetëshme të vetë njerëzimit.

            Janar 2013    
             Eugjen Merlika



Shkrimi u publikua sot (02.02.2014) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Militantë të Berishës protestojnë kundër Ramës në Londër (VIDEO)

Militantë të Berishës protestojnë kundër Ramës në Londër (VIDEO)