Presidenti rus Vladimir Putin ka ironizuar qëndrimin e vendeve europiane për dërgimin e trupave ushtarake në Ukrainë pas përfundimit të luftës, duke paralajmëruar se një veprim i tillë do ta rikthente konfliktin në pikën e nisjes. Gjatë një takimi të zhvilluar në Kremlin me negociatorët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, Putin tha se Moska e ka bërë të qartë vazhdimisht se vendosja e trupave të huaja në Ukrainë është e papranueshme për Rusinë. Megjithatë, sipas tij, vendet europiane vazhdojnë të deklarojnë se synojnë të dërgojnë forcat e tyre ushtarake atje pas përfundimit të konfliktit.
Presidenti rus kritikoi gjithashtu Brukselin, duke thënë se aktualisht refuzon të diskutojë për sigurinë europiane në tërësi dhe preferon ta trajtojë këtë çështje vetëm pasi të arrihet paqja në Ukrainë.
“Por kur të vendoset paqja në Ukrainë, ata synojnë të dërgojnë trupa dhe kjo do të thotë vazhdim i luftës. Do të ktheheshim sërish në pikën e nisjes”, paralajmëroi Putin.
Për të shpjeguar atë që e konsideron një qëndrim kontradiktor të europianëve, presidenti rus vendosi të tregonte një barcaletë.
“Kemi një barcaletë shumë të vjetër për këtë temë. Duke pasur parasysh situatën aktuale, mendoj se është mjaft e përshtatshme. Le të imagjinojmë një hajdut që ka ndërtuar disa vila pranë Kievit dhe që thirret për t'u marrë në pyetje, le të themi, nga NABU (Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit e Ukrainës)”, nisi Putin.
“Ata e pyesin: ‘Ku i gjete paratë?’ Ai përgjigjet: ‘Te komodina pranë krevatit’. ‘Mirë, po kush i vendosi paratë në komodinë?’ ‘Gruaja ime’. ‘Po gruaja ku i gjeti paratë?’ ‘Ia dhashë unë’. ‘Po ti ku i gjete paratë?’ ‘Te komodina’. Dhe kështu vazhdojmë të sillemi në rreth. Njësoj është edhe me europianët”, u shpreh Putin.
Përmes kësaj historie, presidenti rus ironizoi atë që ai e sheh si një kundërshti në qëndrimin e vendeve europiane, të cilat, sipas tij, kërkojnë përfundimin e luftës, por njëkohësisht planifikojnë të vendosin trupa ushtarake në Ukrainë pas arritjes së paqes.







Komente
Komento