Helikopterë me ndihma
ushqimore në Pukë e Dibë

Helikopterë me ndihma <br />ushqimore në Pukë e Dibë
TIRANE- I ftohti siberian nuk ka të ndalur. Temperaturat e acarta kanë kaluar -20 gradë. Reshjet e borës janë ndërprerë, dhe nuk ka stuhi ere. Për mijëra banorë të izoluar në Pukë, Tropojë, Kukës, Dibër e në zonat e thella të Qarkut të Shkodrës, kjo është një shenje e mirë, e cila bashkë me rrezet e diellit që kanë dalë që në mëngjes, i japin pak shpresë se ndoshta do bëhet më mirë.

Trashësia e borës në komuna të thella ka kaluar 1 metër e gjysëm, dhe banorët shpresojnë se me daljen e diellit, të paktën helikopterët të mund të fluturojnë për të shpërndarë ndihmat ushqimore, pasi dje stuhia e erës nuk i lejoi. Ndërkohë që rreth orës 09:00 nga rezervat ushqimore janë nisur kamionë ushtarakë me ndihma ushqimore. Nisen helikopterë me ndihma ushqimore në Pukë e Dibër. 


ORA 13: 30 - OLLI: 26 KOMUNA TËRËSISHT TË IZOLUARA
Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme, Alfred Olli, tha sot për ATSH se situata në vend është nën kontroll.
Sipas Ollit, “nga 66 komuna të bllokura dy ditë më parë, sot rezultojnë të jenë ende të bllokuara 28 të tilla”. Gjithashtu ai vlerësoi se zonat më problematike janë Tropoja, në qarkun e Kukësit, ku të gjitha komunat vijojnë të mbeten të bllokuara. Puka, në qarkun e Shkodrës, ku disa nga komunat vijojnë të mbeten të bllokuara, si edhe në zonën e Dibrës ku po hasen vështirësi.
Olli tha se gjatë ditës së sotme u nisën me helikopterë të ushtrisë drejt Pukës në qarkun e Shkodrës, pako me ushqime dhe detergjentë. Këto ishin dërgesat e para të kësaj natyre, ndërkohë që priten dërgesa të tilla gjatë ditës së sotme edhe në zonat e tjera të bllokuara në Tropojë e Dibër. Ndërkohë, edhe Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Zjarrëfikësve, Dilaver Laçi, i pyetur nga ATSH, deklaroi se edhe njësia që ai drejton është në gadishmëri të plotë për të ndërhyrë kur nevoja e kërkon.
“Aktualisht nuk kemi pasur sinjalizime për zjarr, por ne jemi në gatishmëri të plotë, edhe pse infrastruktura dhe mjetet ndihmëse që kemi në dispozicion nuk janë në gjendje optimale”, theksoi Laçi.

ORA 10: 00 NISEN HELIKOPTERET E PARE ME NDIHMA
Ka nisur paraditen e sotme shpërndarja e ndihmave me helikopter për banorët e zonave të izoluara nga dëbora në veri të vendit. Është nisur helikopteri i parë me 450 kg ushqime për banorët e komunës në Klenjë të Didrës. Po niset edhe helikopteri me ndihma ushqimore drejt banorëve komunës së Trebinjës, të cilët janë të bllokuar prej disa ditësh. Ndihmat konsistojnë në pako 22 kilogramëshe me miell, makarona. Drejt Pukës janë nisur 2 kamionë ushtarakë me 300 pako ushqime.


PUKE, 200 FAMILJE APEL PER NDIHMA USHQIMORE
Në Pukë Akset Fushë Arrëz- Kukës , Bajram Curri -Fushë Arrëz prej 9 ditësh vazhdojnë të jenë të bllokuara. Akset Pukë- Fushë Arrëz, Pukë-Shkodër janë të kalueshme me zinxhirë. Të gjitha fshatrat e rrethit të Pukës janë të bllokuara nga bora dhe rreth 200 familje bëjnë apel për ndihma ushqimore në mënyrë urgjente.
Në Iballë janë 40 familje të cilave u kanë mbaruar rezervat ushqimore, po 40 familje në fshatin Blerim, 80 familje në Fierzë, disa janë në gjëndje tepër kritike, ndërsa kanë humbur kontaktet me familjet e tyre në fshatrat Qafa e Kuqe dhe Lavër Dardhë, dy fshatra të thellë, që ndodhen në Bjeshkë. Prej ditësh mungon energjia elektrike në disa fshatra. Temperaturat kanë arritur ne - 20 gradë Celcius.  Problem mbeten dhe lagjet periferike të qytetit të Pukës, të cilat vazhdojnë të jenë të izoluara, dhe bashkia vazhdon të mos ndërhyjë për zhbllokimin e këtyre zonave.

KREU I KOMUNES GJEGJAN- NISHANIT: GJENDJA E PABESUESHME, KOMUNA IME PA DRITA DHE E IZOLUAR
Shqetësimi për situatën emergjente i është përcjellë dje edhe vetë ministrit të Brendshëm Bujar Nishani, nga kreu i Komunës së Gjegjanit, Ndue Cara.
“Firmat që mirëmbajnë rrugët e Pukës dhe CEZ kanë dështuar. Firmat e rrugëve nuk kanë mjetet e duhura për mirëmbajtjen e tyre. Gjendja është e pabesueshme, po të levizni në segmentin Fushë Arrez- Gjegjan, ku ndodhen edhe banoret e komunës time. Prej 6 ditësh mungon energjia elektrike, dhe askush nuk përgjigjet për këtë. CEZ po torturon komunitete të tëra.”- ka thënë dje zoti Cara në mbledhjen e Shtabit të Emergjecave, e cila u zhvillua në Pukë.
Nishani është përgjigjur se “Adresimet janë mjaft me rëndësi dhe ne nuk mund të lejojmë që CEZ të penalizojë komunitetet me ditë të tera. Do kërkoj vleresimin e situatës.”

PROBLEME DHE NE KUKES, DIBER, KORCE

Në Kukës janë të bllokuar 9 komuna. Mbeten të pakalueshme akset Kukës-Shishtavec,Kukës-Bushtricë. Kukës-Peshkopi. Në Dibër të gjitha komunat janë të izoluara. Aksi Peshkopi-Qafë Buall kalohet me vështirësi edhe me zinxhirë, ndërsa aksi Peshkopi-Librazhd, vijon të jetë i bllokuar
Në juglindje të vendit akset Korçë-Dardhe, Korcë-Voskopojë janë të kalueshme me zinxhirë, ndërsa nuk lejohet qarkullimi i kamionëve në aksin Kapshtice-Kozane. Mbeten të bllokuara komunat Lekas, Çlirim dhe Velçan.

(sg/aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjëgjesia?



×

Lajmi i fundit

Aksident në aksin Lezhë-Milot, 2 mjetet përfundojnë në parcelë! 3 të plagosur, 1 në gjendje të rëndë

Aksident në aksin Lezhë-Milot, 2 mjetet përfundojnë në parcelë! 3 të plagosur, 1 në gjendje të rëndë