Helikopteri, droga dhe promovimi
i modeleve të shëmtuara estetike

Helikopteri, droga dhe promovimi<br />i modeleve të shëmtuara estetike
Vjeshta karakterizohet nga freskia si stinë, por, edhe pse natyra bën përpjekje të ulë temperaturat e larta, e kundërta ndodh me aktualitetin politik në Shqipëri, që vazhdon t’i ngjajë një zjarri, që më shumë se sa ngroh, nxjerr tym të zi. Në përpjekjet e opozitës shqiptare për të bërë detyrat e saja të mungura, vihet re përpëlitja për të gjetur “argumente” bindës që opinioni publik të shohë të vërtetat e keqqeverisjes së majtë.

Nëse këto argumenta do të kishin si bazë përmirësimin e punës së qeverisë, apo - më mirë akoma - thelbi i tyre do të ishte përgjegjësia ndaj qytetarëve dhe mirëqënies së tyre, kjo do të ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme për nivelin e demokracisë së arritur. Por nëse argumentat bazohen në një luftë “kundërshtarësh” të kapur në grackë, atëherë sheh se të qënurit në opozitë të tjetërson kaq shumë mendjen, sa të gjitha përpjekjet përqëndrohen, siç thotë populli, “në lënien e kopilit në derë”.

Pa dashur të bëjë retorikë boshe, do të hyj në thelbin e këtij shkrimi, në atë çfarë më ngacmoi. Do javë më parë, ndoqa në lajme aksionin e policisë në bashkëpunim me ushtrinë në veri të vendit për asgjësimin e parcelave me kanabis sativa. Pa asnjë reserve, ky ka qenë lajmi që më ka ngazëllyer më shumë që kur filloi kjo përpjekje në Lazarat, jo sepse duhet t’u tregonim partnerëve tanë se e luftojmë krimin, por sepse jam nënë, kam qënë dikur mësuese dhe kam parë se si një cigare hashash e nisur për lojë, ka sjellë tragjedi në jetët familjare.

Ndërsa ndiqja lajmet u ndieva krenare për policët, ushtarët dhe pilotët e helikopterit “të famshëm” që guxuan, që e bënë detyrën për të cilën janë betuar. Deri në këtë moment nuk pata asnjë ngacmim të shkruaj, sepse në fund të fundit të bësh detyrën mendoj se është përgjegjësi jo thjesht morale, edhe pse jo gjithmonë është kuptuar kështu. E meqë jemi në kuadrin e lajmeve, pasi opozita bëri “gjëmën” se helikopteri na ishte ngritur pa leje, përsëri m’u kujtua një tjetër shprehje e popullit tonë të mençur “kurva krihet, fshati digjet” (kërkojë ndjesë për lexuesin).

Jo thjesht sepse ky debat është shterpë, sidomos kur bëhet për luftë kundër një trafiku që rrezikon fëmijët tanë dhe na kthen në një dele të zezë, por edhe pse kjo opozitë e ka keqpërdorur imazhin e ushtrisë, duke e vënë në shërbim të modeleve të shëmtuara estetike. Mjafton të shohësh një klip muzikor, ku ushtria, imazhi i forcave të armatosura dhe pikërisht ky helikopteri “problematik” zhvishen në lakuriqësi dhe transmetohet kjo shëmti estetike pafund në orë e pa orë, duke e tjetërsuar në sytë e shqiptarëve rolin që luajnë Forcat e Armatosura.

Sigurisht, gjithkush mund të thotë se klipi muzikor ështe zgjedhje individuale, se shijet artistike janë personale dhe deri këtu jam plotësisht dakord. Por, kush zbulon se pas kësaj shijeje, ose - më mirë - për ndihmesën logjistike, nuk qëndron individi vetë, por një dikaster që përfaqëson Forcat e Armatosura, pyet: “Ky është imazhi që Ministri i Mbrojtes së asaj kohe kishte për Forcat e Armatosura?” Si aktor i hershëm, edhe kjo zgjedhje regjisoriale më duket e dobët Personalisht pëlqej më shumë rolin e tij të Benit, marinarit atdhetar e serioz te filmi “Ballë për ballë”.

Si qytetare e përfshirë në debatin e një helikopteri që qenka ngritur pa leje për të luftuar trafikun e drogës dhe dy helikopterëve të ngritur me leje të posaçme për të treguar “hiret” e një aspiranteje për këngëtareje, që demostron dhunë me imazhin e Forcave të Armatosura, më duhet ta them sot me këtë shkrim publikisht: Unë zgjedh të paguaj taksat e mia si qytetare për riparimin e këtij helikopteri të goditur në luftë kundër krimit. Dhe të ngre zërin se Forcat e Armatosura janë modeli më i mirë i edukimit në mbarë botën e qytetëruar me disiplinë dhe vetëmohim.

Ndaj, t’ua ngremë lart imazhin pa i përbaltosur me klipe që vetëm molepsin mendjet e fëmijëve tanë. Këtu e mbyll dhe këtë përbaljje mes helikopterit të goditur nga trafikantët dhe helikopterëve lakuriq të opozitës.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 21 Shtator 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 


 

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë