KOSOVË- Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që të nisë një hetim për pakot me fletëvotime të ardhura nga Serbia. Në reagimin e tyre zyrtarë, VV-ja thekson se ato pako kanë mbërritur në Kosovë jo nëpërmjet postës, siç e kërkon ligji, por në rrugë të paligjshme dhe në mënyrë të organizuar nga shteti i Serbisë.
"Helmimi i punonjësve të operacionit të votimit përmes postës ka shqetësuar familjarët e stafit, por edhe opinionin publik. Autoritetet shtetërore duhet të hetojnë shkaqet e këtij helmimi, ashtu siç duhet të hetojnë pakot e ardhura nga Serbia në mënyrë të organizuar nga shteti i Serbisë.
Këto pako me fletëvotime nuk kanë ardhur përmes postës, ashtu siç e kërkon ligji për zgjedhje, por janë sjellë kundërligjshëm nga zyra ndërlidhëse e Serbisë.
Këto fletëvotime të sjellura kundërligjshëm duhet të refuzohen. Ndërsa shërbimi profesional i KQZ-së duhet ta vazhdojë punën në vlerësimin dhe numërimin e saktë të votave të ardhura nga mërgata. Pakot me fletëvotime të dërguara nga bashkatdhetarët, e të cilat janë verifikuar dhe vlerësuar, duhet të dërgohen në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve për t’u numëruar', shkruhet në njoftimin e VV-së.
Mediat kosovare raportojnë se 26 numërues votash, mes tyre dy gra shtatzënë, kanë qenë duke numëruar në Qendrën e Numërimit të Rezultateve dhe në kohën kur janë hapur pesë kutitë me zarfe të ardhura nga Serbia, kanë shfaqur shenja alergjie në fytyrë dhe duar. 9 prej tyre janë shtruar në spital ku po marrin trajtim të nevojshëm mjekësor, ndërsa procesi i numërimit për votat e ardhura nga Serbia është ndërprerë.