Një javë nga helmimi i banorëve në Fushë-Arrëz, Report Tv ka siguruar raportin e Institutit të Shëndetit Publik për rastin e shpërthimit të ‘Gastroenteritit’.

Sipas këtij raporti konfirmohet ndotja e ujit të pijshëm përgjatë sistemit të furnizimit.

“Në periudhën 24.08.2026–02.09.2026, në Qendrën Shëndetësore Fushë-Arrëz janë regjistruar 139 raste me shenja gastrointestinale. Shumica e rasteve (128; 91.7%) kanë vendbanim në Fushë-Arrëz, me përqendrim të raportuar veçanërisht në Lagjen Demokracia dhe Lagjen Nushaj. Rasti tipik paraqitet me diarre dhe simptoma të sipërme gastrointestinale; 89.9% kanë raportuar të vjella dhe 71.5% temperaturë.

Rezultatet mikrobiologjike të ujit (Laboratori i Mikrobiologjisë së Ujrave, ISHP, 04.09.2026) konfirmojnë ndotjen e ujit të pijshëm përgjatë sistemit të furnizimit. Të gjitha mostrat klinike (17 tamponë rektalë) rezultuan negativë për patogjenët bakterialë dhe viralë të kërkuar. Situata epidemiologjike paraqet një tendencë  në përmirësim, me paraqitjen e 5 rasteve të reja më datë 03.09.2026.

Duke marrë në konsideratë të dhënat mjedisore dhe epidemiologjike, përqendrimi i rasteve në një zonë urbane të furnizuar nga i njëjti sistem ujësjellësi, përfshirja e grupmoshave të ndryshme, dinamika dhe kohëzgjatja e kurbës epidemike, si dhe evidentimi i kontaminimit mikrobiologjik të ujit, përbëjnë një tregues të fortë për një burim të përbashkët ekspozimi të lidhur me sistemin e furnizimit me ujë”, thuhet në raportin që disponon Repot Tv.

Lajm në përditësim…

Kliko këtu per të lexuar dokumentin e plotë