Heqja e barrikadave,
Riker: Bëni realitet deklaratat

Heqja e barrikadave,<br />Riker: Bëni realitet deklaratat
UASHINGTON – Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit Filip Riker deklaroi gjatë një bisede me një grup gazetarësh se, nuk mund të flitet për një Evropë të plotë, pa zgjidhur sfidat me të cilat ndeshet Ballkani Perëndimor.
Sipas tij, Shtetet e Bashkuara ndajnë me Bashkimin Evropian një vizion të përbashkët për Ballkanin Perëndimor – e ardhmja e rajonit është në radhët e BE.
“Ky është angazhimi i Shteteve të Bashkuara – qoftë për Serbinë, Kosovën, Bosnjen apo vende të tjera: synimi është të forcojmë paqen, të forcojmë demokracinë dhe stabilitetin. Këtë po e realizojmë me partnerët tanë evropianë”, tha Riker.
Zyrtari i lartë amerikan përshëndeti deklaratën e Presidentit të Serbisë Boris Tadiç, për largimin e barrikadave në kufirin e Kosovës me Serbinë.
“Kishin kërkuar prej muajsh që Beogradi të bënte një deklaratë sa më të drejtpërdrejt kundër dhunës dhe e përshëndesim këtë deklaratë dhe ashtu siç u shpreh Këshilli i Atlantikut Verior, tani presim veprime konkrete nga autoritetet serbe”, deklaroi ai.
Riker u shpreh optimist që palët janë rikthyer në bisedime, si i vetmi forum funksional për të zgjidhur mosmarrëveshjet.
Ai vlerësoi qëndrimin e deritanishëm të Prishtinës zyrtare, por u bën thirrje autoriteteve qendrore në Kosovë të bëjnë më shumë për të integruar pakicën serbe në veri.
“Ata duhet të përqendrohen edhe në politika për t’i zgjatur dorën e bashkëpunimit serbëve në veri, në mënyrë që të gjithë qytetarët e Kosovës ta kuptojnë se çfarë ofron qeveria e Prishtinës dhe në këtë mënyrë të eliminojë disa prej shqetësimeve të popullatës në veri”, përfundoi Riker.

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Bebe Rexha: 24 orët e mia të para në Kosovë kanë qenë një ëndërr

Bebe Rexha: 24 orët e mia të para në Kosovë kanë qenë një ëndërr