Heqja e lapidarit të UÇPMB-së,
Tirana: Ndalni stuhinë e albanofobisë

Heqja e lapidarit të UÇPMB-së, <br />Tirana: Ndalni stuhinë e albanofobisë
TIRANE - Tirana zyrtare ka reaguar në lidhje me heqjen e lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë. Nëpërmjet një njoftimi për mediat, qeveria shqiptare ka dënuar aktin e heqjes së përmendores së heronjve të kombit shqiptar që ranë për liri dhe dinjitet kombëtar, kundër regjimit barabar të Millosheviçit. Qeveria i ka bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare të ndalin stuhinë e albanofobisë që po shfaqet rëndom në rajon.

“Qeveria Shqiptare dënon aktin e largimit me autoblinda, mitroloza dhe terror, nga autoritetet e Beogradit, i përmendores së heronjve të kombit shqiptar në Luginën e Preshevës që ranë për t’u bërë të pavdekshëm në luftë për liri dhe dinjitet njerëzor dhe kombëtar kundër regjimit barabar të Millosheviçit. Qeveria shqiptare e konsideron këtë një dëshmi tjetër të albanofobisë së autoriteteve zyrtare të Beogradit që dëshmon qartë se trashëgimia raciste antishqiptare e Slobodan Millosheviçit është e gjallë dhe dominon politikën zyrtare të Beogradit”, thuhet në njoftimin e qeverisë shqiptare.

Më tej në njoftimin zyrtar thuhet se autoritetet serbe kanë shkelur hapur konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe minoriteteve.

“Me këtë akt të rëndë autoritetet e Beogradit kanë shkelur haptas ligjet dhe konventat ndërkombëtare, si Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Minoriteteve të Këshillit të Europës, si dhe Kartën Europiane të Autonomisë Rajonale dhe Lokale të Kongresit të Autoriteteve Lokale të Europës, të cilat Serbia i ka firmosur dhe është e detyruar t'i zbatojë”, thuhet në njoftimin e qeverisë shqiptare.

Në fund të njoftimi, qeveria shqiptare shpreh mbështetjen për qytetarët shqiptarë në Preshevë dhe u bën thirrje institucioneve ndërkombëtare të ndalin stuhinë e albanofobisë që po shfaqet rëndom në rajon.

“Qeveria shqiptare vlerëson dhe mbështet plotësisht qëndrimin e matur të autoriteteve vendore dhe qytetarëve shqiptare të Luginës së Preshevës ndaj terrorit serb dhe i siguron ata se Shqipëria ka mbështetur dhe do mbështesë pa asnjë lëkundje liritë dhe të drejtat njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilët nuk mund të kenë në asnjë rast standarde të tjera nga ato që kërkohen nga Beogradi për serbët në Mitrovicën e veriut. Qeveria shqiptare iu bën thirrje institucioneve ndërkombëtare të ndalin stuhinë e albanofobisë që po shfaqet rëndom në rajon si një faktor që kërcënon paqen dhe stabilitetin e tij”, thuhet në njoftimin e qeverisë shqiptare.

MPJ: SERBIA INJOROI DIALOGUN, DESHMI E POLITIKES DISKRIMINUESE
Në lidhje me heqjen e lapidarit të UÇPMB-së sot në Preshevë nga strukturat serbe, ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë.
Në një njoftim për mediat, MPJ theksoi se me veprimin e sotëm Serbia injoroi dialogun me Kosovën, duke dëshmuar një politike diskriminuese dhe agresive e autoriteteve të Beogradit kundrejt pakicës shqiptare në Serbinë e Jugut.

Më tej MPJ ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar të reagojë menjëherë në mbrojtje të të drejtave të pakicës shqiptare në Serbinë e Jugut dhe njëkohësisht u bën thirrje autoriteteve lokale në Luginën e Preshevës dhe popullsisë të përmbahen kundrejt këtyre provokimeve në vazhdimësi.

“Ministria e Punëve të Jashtme ka ndjekur me shqetësim zhvillimet në Luginën e Preshevës. Lajmi i sotëm për heqjen e monumentit të dëshmorëve nga xhandarmëria serbe, në mënyrë të njëanshme dhe duke injoruar dialogun e nisur mes autoriteteve lokale dhe qendrore nën kujdesin e faktorit ndërkombëtar është një tjetër dëshmi e një politike diskriminuese dhe agresive e autoriteteve të Beogradit kundrejt pakicës shqiptare në Serbinë e Jugut. MPJ e dënon ashpër këtë akt dhe i bën thirrje faktorit ndërkombëtar, të reagojë menjëherë në mbrojtje të të drejtave të pakicës shqiptare në Serbinë e Jugut. MPJ u bën dhe një herë thirrje autoriteteve lokale në Luginën e Preshevës dhe popullsisë atje të përmbahen kundrejt këtyre provokimeve në vazhdimësi, duke i mbështetur plotësisht ata në kauzën e tyre, se askush nuk do të mund të mohoje a tjetërsojë luftën e drejtë për lirinë dhe të drejtat njerëzore që u bë ndaj regjimit antishqiptar serb”, thuhet në njoftimin për mediat të MPJ-së.

JOZEFINA TOPALLI: DENOJ BURRACAKERINE E PRIMITIVEVE SERBE
Reagimeve të sotme lidhur me heqjen e Lapidarit të UÇPMB-së nga xhandarmëria serbe në Luginën e Preshevës i është shtuar edhe ai i kryeparlamentares Topalli, e cila dënon burracakërinë e primitivëve serbë, siç bëhet e ditur në deklaratën e zyrës së shtypit të Kuvendit.

"Në emër të Kuvendit të Shqipërisë dënoj me ashpërsinë më të madhe burracakërinë e primitivëve që hoqën me autoblinda, fadroma, ushtarë e policë, monumentin e Preshevës. Skenë që nuk ndodh kund në Europë, skenë që të sjell në mend kohët e Millosheviçit", lexohet në njoftimin për shtyp.
Për kryeparlamentaren Topalli, ngjarja e sotme sjell në vëmendje fobinë ndaj shqiptarëve.

"Ngjarja e sotme është ogur i keq, që shkon tamam në të kundërtën e parimeve e vlerave europiane, e që risjell edhe sot në vëmendje fobinë ndaj shqiptarëve. Ata, sot hoqën monumentin, por ngritën më lart shqiptarizmën e frymën e bashkimit të shqiptarëve në të gjitha trojet, e kudo që janë. Qeveria Serbe, sot dëshmoi të njëjtën urrejtje të shekullit e shekujve të kaluar", bën të ditur zyra e shtypit e Kuvendit. Sipas Topallit, kjo nuk është rruga e duhur për të ecur para me dialogun mes vendeve.

RAMA: SERBIA NE HIJEN E TE SHKUARES, DESHMORET E GJITHE KOMBIT SHQIPTAR
Në një bashkëbisedim me gazetarët pas takimit më kryesinë, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka reaguar për aktin e heqjes së lapidarit të UÇMPB-së, duke theksuar se kjo është një shprehje e faktit që Serbia vazhdon nën hijen e të shkuarës. Rama i ka quajtur dëshmorët e luftës në luginën e Preshevës dëshmorë të të gjithë kombit shqiptar.

“Në kujtim të të rënëve për një çështje të drejtë. Kjo është një shprehje e qartë e faktit se në Beograd vazhdon të vërtitet hija e një të shkuara që Serbia nuk po arrin të ndahet, nga ana tjetër vendi i zbrazur forcërisht nuk mund të lihet bosh dhe thirrja ime do të ishte që çdo qytetar, çdo familje në Preshevë ta mbushte atë vend me lulet në kujtim të të rënëve. Ata janë të rënët e të gjithë kombit shqiptar, jo vetëm të luginës së Preshevës dhe në respekt të tyre ne të gjithë përulemi. Atol ule do të flisnin edhe më fortë sesa përmendorja e hequr forcërisht”, u shpreh Rama.

PDIU: SERBIA NUK KA HEQUR DORË NGA “DOKTRINA MILLOSHEVIÇIANE”
Ndërkohë që më herët ka reaguar edhe Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe Klubi i Patriotëve të Rinj, duke dënuar ashpër heqjen e memorialit të UÇPMB-së nga qendra e Preshevës. Në njoftimin për mediat të PDIU-së dhe KPR-së theksohet se me këtë veprim “Serbia tregoi dhe një herë që nuk ka hequr dorë nga “doktrina millosheviçiane”, e cila në themel të saj ka dhunimin e shqiptarëve”.

“Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe Klubi i Patriotëve të Rinj dënojnë ashpër heqjen e memorialit të UÇPMB-së nga qendra e Preshevës. Me këtë veprim, Serbia tregoi dhe një herë që nuk ka hequr dorë nga “doktrina millosheviçiane”, e cila në themel të saj ka dhunimin e shqiptarëve. Të frikësuar nga reagimi i paralajmëruar i shqiptarëve të Luginës së Preshevës por edhe më gjerë, Beogradi dërgoi me qindra forca xhandarmërie, vetëm e vetëm për të hequr një memorial. PDIU dhe KPR i bëjnë thirrje autoriteteve shqiptare që të reagojnë dhe t’i kërkojnë llogari ambasadorit të Serbisë në Tiranë lidhur me këtë veprimi fyes ndaj atyre ushtarëve që dhanë jetën për liri. Është e detyrim kushtetues i Shqipërisë për t’u kujdesur për shqiptarët kudo që ndodhen. Edhe një herë PDIU dhe KPR i bëjnë thirrje Serbisë të shkëputet nga fantazma e Millosheviçit dhe të heqin dorë nga sulmet dhe provokimet ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, thuhej në njoftimin për mediat.

AK: AKT KERCENUES, MOSREAGIMI I QEVERIVE DESHTIM I DIPLOMACISE

Aleanca Kuq e Zi ka dënuar me forcë vendimin e qeverisë së Serbisë për heqjen e “Memorialit të UÇPMB-së” në Preshevë, memorial që sipas AK dëshmon sakrificën e kombit shqiptar kundër racizmit serb të modelit të Millosheviçit. AK e konsideron veprimin e policisë së Serbisë një akt provokues dhe kërcënues për shqiptarët në Luginën e Preshevës, të cilët sot u zgjuan nën terrorin e ushtrisë dhe snajperave të xhandarmërisë serbe.

“Aleanca Kuq e Zi me keqardhje dënon dhe mosreagimin në kohë të dy qeverive në Shqipëri dhe Kosovë, të cilat si përherë dëshmuan se janë të paaftë të mbrojnë dhe sigurojnë të drejtat e shqiptarëve në trojet e tyre etnike. Mosreagimi apo reagimi i vonuar i dy qeveri është dëshmi e dështimit të diplomacive dhe ndikimit që ato kanë tek faktori ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e AK-së.

FRD: ZGJIDHJA ME DIALOG, JO ME ULTIMATUME NACIONALISTE
Fryma e Re Demokratike reagon për heqjen e lapidarit të UÇPMB-së dhe shpreh mbështetjen për qëndrimet dhe veprimet e drejtuesve shqiptar të Preshevës. Kreu i FRD-së, Bamir Topi u shpreh për zgjidhja me dialog dhe jo me ultimatume nacionaliste.

“Shiqptarët janë dhe mbeten faktor paqeje në rajon. Qeveria shqiptare të jetë më pranë banorëve të Preshevës, është detyrim kushtetues”, tha Topi.

LSI: PROVOKIM, BEOGRADI JO XHANDARE PO DIALOG ME SHQIPTARET

Për heqjen e Lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë, ka reaguar edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, duke dënuar këtë akt si provokim për shqiptarët.

“Dënojmë aktin e heqjes së memorialit të dëshmorëve. Është provokim për shqiptarët. Beogradi jo xhandarë, po dialog me shqiptarët. Dëshmorët e UÇPMB-së janë dëshmorë të kombit shqiptar” u shpreh sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë