Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti vendimin e Bashkimit Evropian për heqjen e masave ndëshkuese të vendosura në vitin 2023, duke i konsideruar si “të padrejta që nga dita e parë.”
Gjatë mbledhjes së ekzekutivit të premten, Kurti tha se institucionet e Kosovës “nuk ishin shkaktare të përshkallëzimit të situatës” në veri, por ulja e tensioneve në atë zonë “ishte pikërisht meritë e institucioneve të shtetit.”
Kurti solli në kujtesë dy sulmet me të cilat u përball Kosova, në shtator të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit, dhe në nëntor të vitit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit, duke përsëritur akuzat për përfshirjen e Serbisë.
“Situata e qetë, lëvizja e lirshme dhe funksionimi i institucioneve të shtetit në veriun e Kosovës, është pikërisht sepse ka triumfuar sundimi i ligjit dhe rendi publik”, theksoi ai.
“Republika e Kosovës, masat më të mëdha financiare, nuk i ka vuajtur nga Bashkimi Evropian, por nga opozita parlamentare. Me gjithë këto, gjatë gjithë kësaj kohe nuk kemi qenë asnjëherë të hidhëruar me BE-në. Kemi mbetur plotësisht të përkushtuar ndaj integrimit evropian, për përmbushjen e kritereve për anëtarësim”, tha Kurti.
Kurti kritikoi opozitën e cila nuk votoi Planin e Rritjes dhe tre marrëveshje me Bankën Botërore, në seancën e fundit para shpërndarjes së kuvendit në muajin nëntor.
Asokohe, partitë opozitare e akuzuan qeverinë në detyrë se po përdorte këto çështje si “instrument të lojërave të saj politike”.
Vendimi për heqjen e të gjitha masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës u morr të mërkurën më 17 dhjetor, në përmbyllje të Samitit mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani bëri të ditur se ky vendim do të zbatohet në dy faza kryesore: pjesa e madhe e masave do të hiqet menjëherë, ndërsa një pjesë tjetër do të hiqet në fund të janarit 2026.
BE-ja i vendosi sanksione Kosovës në vitin 2023 pas vendimit të qeverisë për t'i dërguar kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe në objektet komunale, gjë që përshkallëzoi situatën.
Komente











