Po. Ka.
Është sfiduesi, improvizuesi, alternativi, eksperimentuesi, rrezikuesi, sakrifikuesi, i palodhuri, i pamposhturi Hervin Çuli.
"Paçe me gazeta", programi televiziv me komente gazetash gjatë ngrënies së Paçes, ky spontanitet i gjallë, ky fllad i freskët Lirie kundër konvencionalizmit asfiksues të të gjitha sajesave të tjera televizive, është thagma e fundit e Hervin Çulit.
Ka kohë që programet mëngjezore televizive me lexime gazetash dhe telefonata janë bërë të padurueshme. Turlilloj mileti; mitomanë, maniakë, spiunë, derdimenë, lëshojnë "Thirrje" dhe "Kushtrime" çdo mëngjez; Kryeministrit, "Trupit diplomatik akredituar në Tiranë", "Qeverive perëndimore" etj. etj. për bllokime ujrash të zeza, probleme me faturat e korentit dhe të ujit. Janë bërë aq bajate dhe aq kot këto muhabete sa të rrish e t'i dëgjosh, pas pesë minutash mpihesh, të duket vetja idiot edhe pse s'ke asnjë cen psikik, ndjehesh i sëmurë më zgjebe edhepse nuk të vjen për tu krruajtur asgjëkundi, qorr edhepse sy ke, shurdh edhepse veshët i ke pipëz. Dhe jo vetëm programet mëngjezore. Bashkë me to edhe pothuaj të gjitha programet me biseda me të ftuar dhe interaktivitet janë njëlloj të gërrditshëm dhe të neveritshëm.
Me përjashtim të njërit.
Programit të Hervin Çulit. Brenda të cilit Hervin Çuli bërtet, Hervin Çuli klith, Hervin Çuli uluret, Hervin Çuli përpëlitet, Hervin Çuli djersitet, Hervin Çuli lutet, Hervin Çuli qan, dhe duket sikur thotë; O budallenj; Mjaft me kopjime se na ngordhët, mjaft me imitime se na vdiqët, mjaft me servilizën ndaj të huajve se na turpëruat, mjaft me klishe' se është e padenjë, mjaft me përsëritje se është gomarllëk, ejani në vete, bëhuni pak kreativë, lodheni mendjen, pak, fare pak, mos e mbani atë mendje vetëm te paret, se është turp për ju, është gjynah për ata që duke mos pasur të tjerë, duan-s'duan j'u ndjekin vetëm ju, por pa dëshirë, pa qef, duke parë të lodhur gjithçka që ju u sillni në ekran, duke mos u trokitur, madje duke ua shembur derën, drejt e në dhomë, drejt e në kuzhinë, drejt e në divan, pa pik' lezeti, pa pik' stili, çka dëmton ata, dhe ju, dhe të gjithë ne.
Është tepër e përhapur një modë në Shqipëri; personazhet televizivë nuk venë t'i japin ata televizionit, por televizioni t'u japë atyre, nam dhe natyrisht pare.
Hervin Çuli është e kundërta e këtij realiteti pervers që, jo po e shkatërron, dhe as e ka shkatërruar, por nuk po e lejon të ndërtohet një media pakashumë normale.
"Paçe me gazeta" është produkti televiziv rrebel më i shëndetshëm, para së cilit të gjitha përpjekjet e tjera, si ata ekzistueset dhe të rejat, janë kosha plehrash, janë llumra konformistë, janë gromësima, janë pështyma, janë vjellje, janë viroza, janë helme vdekjeprurëse për shëndetin artistik dhe psikik të shqiptarëve.
Në kohën e kurvit po udhëtonim një herë me tren unë me një mik. Në ndënjësen përballë nesh ishin dy komunista, dy lebër të moshuar të ngrysur me kasketa kineze. Njëri nga komunistat po lexonte një nga gazetat e kohës, sa më kujtohet, gazetën Bashkimi ku ka punuar Andrea Stefani. Miku im, një mjeshtër i vërtetë në shakapërdhimin e këtyre lloj serioziteteve, i tha atij që i përpirë lexonte gazetën,
-A ka noi gjo me të '*ime aty ?
Për këto lloj pyetjesh të rrasnin brenda. Por gjenialiteti i mikut tim pikërisht aty qëndronte. Ai e bëri atë pyetje në mënyrë të atillë, që komunistat u nxinë por nuk e zgjatën. Vështrim i tyre përçmues nga ndejtësja përballë sikur thoshte; ai që foli ishte një i çmendur. I çmendur-i pa çmendur miku im j'a arriti qëllimit për ta shkatërruar seriozitetin e klyshave të kurvit. Në fakt, prej atij episodi, mes meje dhe mikut tim, ka mbetur një problem; Miku thotë se klyshi i kurvit e pëlqeu shakanë me të "ime. Unë them nukj e pëlqeu, se klyshat e kurvit nuk e kanë atë ndjeshmëri. Lexuesi, si i squt që është, e gjen vet cili prej nesh ka të drejtë, prandaj të mos e zgjasim.
Ja pra, si ata klysha kurvi me ato poza serioziteti të shtirur janë shumica e atyre që bëjnë sot televizion. Dhe po aq sfidues sa miku im në tren është i madhi Hervin Çuli.
Paçja mëngjezore e Hervin Çulit është i vetmi oaz antikonformomizmi të pastër në krejt saharën mediatik shqiptare, plot me beduinë të etur që gjujnë kokrrën e lekut si pikën e ujit, dhe deve gungaçe që presin të martohen përmes ekranit.
Hervin Çuli mund ta kishte pagëzuar programin e vet, ta zemë, "Sultiash me gazeta", "Patllixhana me revista", "Tav kosi me blogje", "Kim me pseudonima", "Sallat me tituj". Por jo. Gjenia improvizuese e Hervin Çulit nuk bie në ato gracka. Napoleon Bonaparti kur e kishin degdisur në Elbë nuk hante patllixhana dhe sallata, por paçe koke viçi. E bënte këtë sepse koka, së cilës mund t'i hash çdo ditë nga një gjë të ndryshme, nuk të mërzitet kurrë. Prandaj Hervin Çulin e pagëzoi atë program "Paçe me gazeta".
Po mjedisi, si është vallë mjedisi i Hervin Çulit ku hahet paçja dhe lexohet gazeta ?
Nuk kam fjalë për një mrekulli të tillë. Është një gjë aq e vërtetë, aq autentike, aq e gjallë, sa unë i mësuari tashmë me gjëra të vdekura, nuk kam aftësi ta përshkruaj atë kioskë aq të gjallë. Ku dera që kërcet duket sikur vajton. Ku, në sfondin e Hervinit, një grua e bëshme që ha paçe në një qoshe duket si Monaliza. Ku çdo prekje luge mbi pjatën me paçe është një notë vagneriane. Ku çdo marrje dhe ngulje piruni është një uverturë e tërë. Ku çdo fjalë është një perlë. Ku çdo shaka bën një mijë dollarë. Ku një të shkelur syri s'e blen dot me pare as Bill Gates-i.
Paçellarët e Hervin Çulit ? Miqtë e tij të hatashëm ? Të lutem ata mos m'i nga. O Hervin Çuli o t'shtifsha n'dhe'. Po ku i ke gjet ata yje njëri më flori se tjetri o burr' i dheut ? Ore paçellarët e tu ma mërzitën Nino Manfredin po të them, ma gërrditën Udi Allenin, ma nxorrën nga qefi Antonio Banderasin, pas tyre s'du ta shof mo me sy Giovanni Minolin, s'bëhem mo merak për Carlo Mazarelën që rahmet pastë, për Daniele Piombin so tu m'ra mo në men, s'më duhet mo Lorenc Olivieri, Bad Spenseri është kot, Marcelo Mastroiani zero me xhufkë, ça po m'hyn n'punë Alberto Sordi, ta *ifsha Raul Bovën, ta dhjefsha Klint Istvudin me gjith' Kevin Kostnerin.
Paçellarët e Hervin Çulit janë nga të paktët shqiptarë që "Hallatin 176" nuk u duhet ta shkulin se nuk e kanë pasur kurrë brenda.
Një këshillë për ty Hervin dhe për ju paçellarë; Kujdes nga producentët injorantë, se s'kuptojnë. Por më tepër kujdes nga producentët që kuptojnë pak, që janë më të rrezikshëm se friksohen mos po u bëni hije.
Vazhdo Ervin. Forca paçellarë.
Banakët e tyre janë hale, paçja juaj është qiell. Ju jeni të pastër, ata janë të pisët. Ju jeni plot dritë, ata janë obskurë. Ju jeni të drejtë ata janë të krrusur. Ju jeni të shëndetshëm, ata janë të sëmurë. Ju jeni të bukur, ata janë për ibret. Ju jeni të gjallë, ata janë të vdekur.
Shkrimi u publikua ne gazeten MAPO
(sg/shqiptarja.com)