Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano ka zhvilluar një takim me kreun e SPAK, Arben Kraja. Në fokus të takimit Nano-Kraja janë hetimet mbi grupet kriminale si dhe hetimet ndaj zyrtarëve të lartë. Në fokus të takimit edhe sekuestrimi i pasurive miliona euro të Anton Gjinajt.

Në botën e biznesit, Pashk Gjini njihej me emrin Anton Gjinaj. Në mesin e pasurive, është sekustruar edhe kompania e ndërtimit “Alesio 2014”, që ka fituar dhe disa tendera publikë, përfshirë disa biznese në Tiranë, Durrës e Kavajë, toka, apartamente dhe makina, shumica edhe në emër të familjarëve të tij.

Sipas SPAK, rezulton se Gjinaj dhe familjarët e tij kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se këto pasuri të paluajtshme apo të luajtshme, t’i kenë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale që ai ka zhvilluar në Shqipëri dhe Spanjë. Në vitin 2010, Drejtësia në Spanjë e ka dënuar me 8 vite burg e 9 muaj, për trafikimin e 50 kg heroine.

Anton Gjinaj u arrestua në prill të vitit 2021 në Malin e Zi nga Interpoli, aktualisht po vuan dënimin në burgun e Reçit në Shkodër, pasi është ekstraduar nga Spanja vetëm dy muaj më parë. Biznesmeni Anton Gjinaj është ndjekur nga DEA amerikane për drogën në Spanjë, e cila i ka sjellë provat autoriteteve shqiptare.