Hetimet për skandalin e EULEX
mbërrin në Prishtinë zyrtari i BE

Hetimet për skandalin e EULEX<br />mbërrin në Prishtinë zyrtari i BE
Brukseli ka dërguar në Kosovë Kenneth Deane, Udhëheqës i Operacioneve Civile të BE’së, për të hetuar skandalin e shpërthyer së fundmi të EULEX mbi akuzat për korrupsion.

Ardhja e Deane në Kosovë është konfirmuar nga zyrtarët në Bruksel të cilët kanë thënë se ai tashmë ndodhet në vend, ku sëbashku me shefin e ri të misionit është duke hetuar atë që po ndodh në EULEX. Skandalet për korrupsion nga EULEX kanë shpërthyer ditë më parë pasi prokurorja Mariah Bamieh ka akuzuar zyrtarë të këtij misioni se kanë pranuar shumë të mëdha parash për të ndryshuar proçese gjyqësore.

Ndërkohë Bamieh është pezulluar nga EULEX dhe ka nisur një hetim administrativ dhe ndaj saj. Misioni Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, është përfshirë në skandalin më të madh që prej fillimit të mandatit, ku prokurorëve e gjykatësve ndërkombëtarë po u lakohen emrat në publik si pengues të drejtësisë dhe të dyshuar për korrupsion.

Skandali i publikuar në një seri shkrimesh në gazetën “Koha Ditore” gjatë javës, u pasua nga pezullimi i prokurores së EULEX-it, Maria Bamieh, e cila, edhe pse mohonte pjesëmarrjen në shkrimin e artikujve, doli hapur për të mbështetur faktet e dala në shtyp.

Ajo akuzon eprorët e saj, se kanë ndërhyrë në disa çështje të bujshme të krimit dhe korrupsionit në Kosovë dhe se askush nuk i kushtoi rëndësi dyshimeve dhe akuzave të saj për pengimin e drejtësisë, në çështje si ajo e ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, dhe vrasjen e trefishtë në urën e Kaçanikut.

Për misionin e EULEX-it, në fillim të mandatit të tij në Kosovë, ishin krijuar shumë pritje se do të luftonte krimin e organizuar dhe korrupsionin. Por, pas shtatë viteve punë, ky mision shihet i padobishëm dhe një vazhdimësi e misionit të OKB-së, UNMIK, që kishte vepruar në Kosovë nga paslufta.



Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zjarr në fshatin Kurqele të Klosit, flakët rrezikuan banesat

Zjarr në fshatin Kurqele të Klosit, flakët rrezikuan banesat