TIRANË- Për herë të parë, ish-ministri Arben Ahmetaj u paraqit në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku u pyet për rreth 6 orë nga oficerët e BKH-së. Ahmetaj u pyet si person nën hetim, në kuadër të hetimeve që po kryen SPAK ndaj Ahmetajt për 4 akuza, për shpërdorim detyre, korrupsion, pastrim parash dhe përfitime të paligjshme.

Ishte ora 12:00 kur Ahmetaj u paraqit në SPAK për t'u marrë në pyetje si person në hetim i shoqëruar edhe nga avokati tij Henrik Ligori. Pas rreth 6 orësh, ora shënoi 17:36 kur Ahmetaj la ambientet e SPAK, por për gazetarët refuzoi të japë detaje të shumta, duke theksuar se vetëm kishte ardhur për të sqaruar pozicionin e tij. I pyetur nga gazetarët nëse do të paraqitet sërish, ai tha se sa herë të jetë e nevojshme. Ndërkohë, pyetjes nëse i druhet arrestimit ish-ministri i Financave preferoi të mos i përgjigjet.

"Sqaruam pozicionin. Do vini sërish? Sa herë të duhet", tha Ahmetaj. 

Në prill të 2023 Gjykata e Posaçme e Apelit, ka refuzuar që të lirojë nga masa e sekuestros preventive një vilë në Hamallaj e një në Palasë, të cilat janë bllokuar për llogari të hetimit ndaj ish-zv/kryeministrit Ahmetaj.  Pas dyshimeve për “fshehje të pasurisë”, me kërkesë të SPAK, GJKKO vendosi nën sekuestro dy vila në bregdet, një në Palasë dhe një në Hamallaj. E Palasës është pjesë e një kompleksi rezidencial dhe dyshohet se zotërohet nga ish-bashkëshortja e ish-ministrit të Financave, Albina Mençka, por e poseduar me emrin e shoqes së kësaj të fundit Elda Dine.

Vetë ish-bashkëshortja e zyrtarit të lartë ka mohuar të ketë lidhje me këtë objekt. Ndërsa vila në Hamallaj i përket Arjola Hoxhës, bashkëjetueses aktuale të ish-zv.kryeministrit, Ahmetaj. Ambientet e të njëjtës vilë iu nënshtruan një kontrolli nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit në 8 mars, kontrolle të cilat u konsideruan të paligjshme dhe antikushtetuese nga Ahmetaj, por që e njëjta gjykatë, me të njëjtën trupë gjykuese, refuzoi shqyrtimin e ankimit. SPAK ka dyshime se dy godinat janë krijuar në burime financiare të jashtëligjshme dhe masa e sekuestros është marrë për të mos lejuar tjetërsimin e pronave. Ka qenë vetë Arben Ahmetaj që konfirmon akuzat në ankimin e bërë prej tij, lidhur me kundërshtimin e kontrollit të banesave nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Në këtë ankim, theksohet njëherësh se procedimi panel nr.771/1 për akuzën e shpërdorimit të detyrës lidhur me inceneratorin e Elbasanit,  dhe ai nr.30 për pastrim parash dhe korrupsion, pas kallëzimit që i është bërë për vilën në Hammallaj, janë bashkuar në një të vetëm. Ndërkohë, përveç kontrolleve dhe sekuestrimit të dokumenteve që kanë të bëjnë me blerjen e pasurive apo ndërtimin e tyre,

SPAK ka vijuar me marrjen në pyetje të disa personave. SPAK ka analizuar veprimet e Ahmetajt për procedurën e koncesionit që është dhënë në kohën kur ai ka mbajtur detyrën e Ministrit të Financave. SPAK ka mbledhur prova e të dhëna, përfshirë edhe ato nga kompjuterët e sekuestruara dhe të e-mail, që janë shkëmbyer mes Ahmetajt dhe fituesve të koncesionarit të inceneratorit të Elbasanit. Verifikime janë bërë edhe në sistemin TIMS për të provuar lëvizjet e ish-ministrit, hyrje-daljet e tij dhe nëse përkojnë me periudhat kur dyshohet se ka frekuentuar hotele dhe pushime luksoze me fatura të paguara nga Klodian Zoto pronari i kompanisë koncesionare të inceneratorit të Elbasanit, apo udhëtimet që mund të ketë me këtë shtetas, si dhe dy biznesmenët e tjerë të shpallur në kërkim, Stela Gugallja e Mirel Mërtiri.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:38
Arben Ahmetaj 6 orë në SPAK: Sqarova pozicionin tim, do vijë sa herë të jetë nevoja

 

Arben Ahmetaj ka dalë pas 6 orësh nga SPAK. Për gazetarët Arben Ahmetaj nuk foli gjatë. I pyetur nëse do kthehet sërish në SPAK, ai tha se do të shkojë sa herë të jetë nevoja.

Sqaruam pozicionin. faleminderit.

I druheni arrestimit? Faleminderit

Do vini sërish? Të jeni mirë të gjithë. Sa herë të duhet.