Prokuroria e Durrësit ka kërkuar sekuestrimin e dokumentacionit për tenderin e rehabilitimit të argjinaturës së lumit Erzen. Ky vendim vjen pas situatës katastrofike nga përmbytjet masive që regjistruan gjithashtu dhe 1 viktimë duke nxitur Prokurorinë për të nisur hetimet për 3 vepra penale’; “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”.

Çarja e argjinaturës së lumit Erzen përmbyti kryesisht fshatrat Katund i Ri, Sukth dhe Fllakë ku përveç tokave bujqësore, nuk kurseu as banesat. Rreth 1 mijë banesa përllogariten të prekura nga përmbytjet, mbi 300 banorë u evakuuan dhe mbi 300 biznese u dëmtuan.  

Situata u rëndua dhe më tej kur 54-vjeçari Astrit Hysenaj, punonjës i pastrimit në Bashkinë e Durrësit, nuk u kthye më në shtëpi pas punës. Hysenaj u gjet i vdekur në kanalin e zonën së ish-repartit ushtarak nga polumbarët pasi e kishte marrë rrjedha e fortë e ujit.

“1. Të bëj sekuestrimin pranë Bashkisë Durrës, sa më poshtë vijon:

1.1- Dokumentacioni i procedurës së prokurimit, zbatimit dhe marrjes në dorëzim për objektin "Rehabilitim i argjinaturës, ngritjes së bankinës dhe sistemimi i argjinaturës së lumit "Erzen".

1.2- Dokumentacioni tekniko-ligjor i të gjithë procedurës së lejes së ndërtimit për objektin "Rehabilitim i argjinaturës, ngritjes së bankinës dhe sistemim i argjinaturës së lumit "Erzen".

2. Një kopje e vendimit te sekuestrimit t'i vihet në dispozicion personit përgjegjës pranë Bashkisë Durrës.

3. Sekuestrimi i dokumentave të kryhet nga oficeri i policisë gjyqësore Erind Gjoni. 4. Për dokumentimin e zbatimit të këtij vendimi të hartohet procesverbali përkatës, një kopje e të cilit, bashkë me dokumentet përkatëse duhet t'i bashkëngjitet fashikullit të prokurorit.

5. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës nga i/pandehuri apo personi/subjekti të cilët i janë sekuestruar dokumentet provë materiale”, thuhet në vendimin e Prokurorisë së Durrësit të firmosur nga prokurorja e çështjes Suela Beluli.