Hetimi i CEZ, mbledhja pa
kuorum përplas Spahon e Shalsin

Hetimi i CEZ, mbledhja pa<br />kuorum përplas Spahon e Shalsin
Hetimi paralel i parlamentit në një anë nga opozita e në tjetrin nga mazhoranca, për çështjen “CEZ” ka sjellë përplasjet e para. Marrja e dëshmisë së Kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit, është bërë vetëm me praninë e 4 nga 11 anëtarë të komisionit, ku mungonte mazhoranca. Kjo e fundit e quan dëgjesën të pavlerë teksa është bërë në mungesë kuorumi.

Komision Hetimor i drejtuar nga opozita “Për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe mbrojtjes së interesave financiare të shtetit shqiptar, si dhe procedurave dhe rrethanave të nënshkrimit të marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, a.s.” zhvilloi një seancë dëgjimore me Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj.

Në fjalën e tij, Leskaj tha se KLSH ka audituar procedurat e ndjekura për marrëveshjen ku është konstatuar se është shkaktuar një dëm prej 479 milion eurosh. Kjo dëshmi do të administrohet si provë nga komisioni.

Dëshmia
“Ne nuk bëjmë politika, por auditojmë zbatimin e tyre. Audituam procedurat, negociatat, strategjinë e grupit të punës. Kemi audituar korrespondencën mes institucioneve, si dhe dy konsulentëve ndërkombëtarë. Audituam edhe pasqyrat financiare të CEZ dhe KESH. Janë shkaktuar shkelje të rënda procedurale si dhe nuk u morën parasysh opinionet e konsulentëve ndërkombëtarë. U shkaktua një dëm prej 479 milionë eurosh”, tha Leskaj. Gjithashtu, Leskaj u ndal edhe tek vendimi i Prokurorisë për pushimin e hetimeve për Ministrin e Energjisë, Damian Gjiknuri dhe Avokates së Shtetit, Alma Hiçka, lidhur me dosjen e CEZ-it. “Dëmi i shkaktuar ishte i rëndë. Kjo na detyroi të depozitojmë në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzimin penal të datës 12.10. 2015 së bashku me materialet e tjera ndaj z. Damian Gjiknuri, në cilësinë e kryetarit të grupit të punës dhe Alma Hicka, Avokate e Shtetit me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.  Dua t’i bëj me dije këtij komisioni se më datën 28.7.2016 Prokuroria e Përgjithshme, përcolli në KLSh vendimin e pushimit të procedimit penal të datës 06.06.2016. Nga shqyrtimi i këtij vendimi, kemi arritur në përfundimin që nga ana e prokurorit të çështjes, nuk janë zhvilluar si duhet hetimet në lidhje me fakte ,çështje dhe pretendime të ngritura në kallëzimin penal të KLSH-së”, sqaroi Leskaj.

Reagimi
Nënkryetari i Komisionit Hetimor për Çështjen CEZ, Eduard Shalsi ka reaguar nga Athina ku ndodhej në një vizitë zyrtare bashkë me kryeparlamentarin Meta, duke e cilësuar mbledhjen një shkelje. “Me keqardhje informojmë për shkeljen flagrante të Kryetarit të Komisionit Hetimor “Për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe mbrojtjen e interesit të shtetit shqiptar nga realizimi i marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, a. s.”, i cili sot në shkelje të hapur të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, ka zhvilluar mbledhjen e Komisionit pa patur kuorumin e nevojshëm. Kemi informuar zyrtarisht Partinë Demokratike që për arsye objektive, anëtarët e Grupit Parlamentar të Partisë Socialistë e kishin të pamundur që të merrnin pjesë në këtë mbledhje”,-tha Shalsi.

Sipas tij, dëgjesa është një provë e pavlefshme. “Mbledhja u zhvillua pa kuorum, pra nga 11 anëtarë mbledhja u mbajt me 4 anëtarë, 6 nga mazhoranca dhe 5 nga opozita. Qëndrime të tilla të mbajtura nga anëtarët e Partisë Demokratike në Komision, nuk i shërbejnë punës së këtij Komisioni dhe çështjes për të cilën është ngritur. Partia Demokratike ka vijuar me sjelljen e saj tërësisht politike me këtë shoë mediatik. Dëshmia e dhënë në këtë seancë nuk mund të shërbejnë si provë për këtë komision hetimor sa kohë që procedura e marrjes së kësaj dëshmie është në kundërshtim të hapur me Rregulloren e Kuvendit dhe me ligjin “Për Komisionet hetimore””,-tha Shalsi.


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

'Më fal, nuk ia dola dot!' Policia gjen letrën e pedagogut amerikan në Tiranë që mbyti gruan e 2 qentë me litar e vari veten

'Më fal, nuk ia dola dot!' Policia gjen letrën e pedagogut amerikan në Tiranë që mbyti gruan e 2 qentë me litar e vari veten