TIRANE- Krerët më të lartë të Policisë së Shtetit, si edhe personat që kanë drejtuar policinë gjatë qeverisë Berisha, do të raportojnë në Komisionin Hetimor. Kërkesa është miratuar me konsensus nga mazhoranca dhe opozita, ku në listën fillestare u shtua edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri si edhe ish-nëndrejtori i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj.

Prania e tyre në Komisionin Hetimor u cilësua si e nevojshme nga ana e deputetëve, pasi në pjesën më të madhe të dosjeve të policëve të shkarkuar apo të emëruar që kur u bë rotacioni politik, atyre u mungojnë dokumentet e vlerësimeve, si edhe dëshmitë e penaliteteve. Për këtë gjë, në “panelin e dëshmitarëve” në Komisionin Hetimorë do të ulen Artan Didi, Hysni Burgaj, Agron Kuliçaj, Muhamet Rumbullaku, Altin Qato, Sokol Bizhga, Erzen Breçani etj, pra ish-krerët më të lartë të Policisë së Shtetit, së bashku me drejtorin e ri të përgjithshëm.

Mbledhja
Por pavarsisht konsensusit të arritur për listën e personave që do të raportojnë në komision, debati ndërmjet mazhorancës dhe opozitës nuk ka munguar. Debati lindi për shkak se në raportimin e bërë nga specialisti i PD-së, Gazmend Bardhi, doli në pah se personat e riemëruar në policinë e shtetit nuk kanë dëshmi penaliteti në dosjet e tyre. Kjo gjë solli edhe acarimin e deputetit Paulin Sterkaj, i cili tha se shqyrtimi i dosjeve duhet bërë me më shumë kujdes dhe kërkoi që deputetët të ndaheshin në grupe dhe të fillonin hetimin e tyre.

Por kjo gjë nuk u pranua nga opozita, e cila drejton edhe komisionin duke shprehur se për këtë gjë janë akredituar specialistët në komision. “Faleminderit për kritikat që më bëre. Unë kam 9 vjet këtu dhe jam deputeti më i votuar dhe këtë gjë e di edhe Berisha. As ti nuk ke mundur që të m’i vjedhësh votat e mija”,- theksoi Sterkaj i cili solli edhe acarimin e Ristanit i cili i bllokoi të drejtën e fjalës deputetit. Por më pas, socialisti Sterkaj mori fjalën sërish duke vijuar akuzat e tij ndaj Ristanit. “Më le t’i them edhe dy fjalë se nuk ta përmend më atë. Ironin tënde mos ma përdor mua. Unë jam vlerësuar me medaljen Shqiponja e artë. Ti mos më fol duke qesh nëpër korridore sikur jemi shok të ngushtë. Mbaj qëndrim edhe aty dhe do të shohësh se si do të ndahesh me mua”, - tha Sterkaj.

Krahas debatit me tone tepër të larta ndërmjet deputetëve, një problematikë tjetër që doli nga mbledhja ishte dhe çështja e afatit të funksionimit të komisionit. Deputeti Balla theksoi se Komisioni Hetimor ka afat deri më 17 prill, dhe është një kohë tepër e limituar dhe për këtë duhen përshpejtuar procedurat. Por skepticizmin e shfaqën edhe vetë demokratët, ku deputeti Strazimiri tha se sipas të gjitha gjasave, komisioni nuk do t’ia arrijë dot qëllimit për shkak të vonesave.

Shkrimi u publikua sot (29.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)