Komisioni hetimor për serverin e tatimeve duhet të shtyhet. Kjo ka qenë kërkesa e të djathtëve sa i takon punës së këtij komisioni, nga i cili ekspertët kanë nisur hetimet për ndërhyrjet që u bënë në rrjet, në kohën kur sistemi doli jashtë funksionit për disa ditë.
 
Në mbledhjen e sotme të këtij komisioni, të majtët kanë deklaruar se ky komision e ka kryer detyrën e tij, por opozita është e mendimit se ai duhet të shtyhet për të paktën edhe një muaj.
 
Arben Ristani ka thënë se: “Ta shtyjmë me 1 muaj” ndërkohë që menjëherë ka ardhur reagimi i Ervin Bushatit që ka thënë se, “Ky komision e ka kryer detyrën e tij” por të djathtët përsëri kanë insistuar se nëse palët kanë dakortësi për termat puna e komisionit duhet të shtyhet, pasi sipas tyre në rast të kundërt ata, si grup parlamentar, do i drejtohen parlamentit.

Do i kërkojmë Parlamentit të zëvëndësojmë kohën e humbur" mësohet të tketë thënë Arben Ristani.
 
 Komisioni Hetimor ka nisur punën për hetimin parlamentar mbi skandalin me serverin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ku në muajin nëntor të vitit 2013 u konstatua zhdukja e rreth 4.3 milion të dhënave tatimore.

Hetimi parlamentar u krijua pasi opozita konsideroi skandal ndërhyrjen në serverin e tatimeve, me pasojë zhdukjen e të dhënave.
Ky komision ka për kryetar Arben Ristanin, nënkryetar Bledni Klosin, ndëkrohë që anëtar të tij janë Blerina Gjylameti, Florion mima, Jorida Tabaku, Helidon Bushati, Vasilika Hysi, Ervin Koçi, Ervin Bushati e Përparim Spahiu.

Në janar të 2014-s, në media u dha qartë se shefi i IT-së pranë qeverisë, Ermal Beqiraj dhe deputeti i LSI Spartak Braho, kryetar i komisionit të Sigurisë Kombëtare, kishin hyrë në drejtorinë e Tatimeve.

Demokratët dërguan çështjen në Gjykatë Kushtetuese, e cila prillin e vitit të kaluar rrëzoi vendimin e shumicës së majtë për bllokim të hetimit parlamentar. Vendim i cili gjeti zbatim vetëm pas gjashtë muajsh.


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)