Ish-ministri i Bujqësisë i Kosovës Faton Peci është marrë në pyetje sot si i pandehur në hetimin për grantet e ndara nga Ministria e Bujqësisë në kohën që ai udhëhiqte me këtë dikaster.
Lajmi është konfirmuar mediat kosovare nga zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Nora Luta
“Faton Peci është intervistuar në cilësinë e të pandehurit në rastin e granteve, i cili është në trajtim nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës”, tha ajo.
Rasti lidhet me dyshime për keqpërdorim të parave publike përmes ndarjes së granteve nga Ministria e Bujqësisë. Afera ‘shpërtheu’ në muajin nëntor të vitit 2024 pas denoncimeve nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) se Ministria e Bujqësisë i kishte dhënë grant në vlerë rreth 100 mijë euro kompanisë “Alda Farm Ria” në pronësi të Blerim Pacolli, vëllait të ish-kryetares së Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Fitore Pacollit. LDK e bëri kallëzimin penal ndaj Pecit më 19 nëntor të vitit 2025.
Pas marrjes në pyetje, Peci dha sqarime për kallëzimin penal të ngritur nga LDK-ja në Facebook.
“Sot isha në Prokurori për të dhënë përgjigjet dhe sqarimet e mia në kallëzimin penal të ngritur nga LDK-ja përmes ish-deputetit të saj të zgjedhur nga votat e vjedhura të mërgatës, Paris Guri. Në prokurori, sikur gjithmonë gjatë jetës sime, isha transparent, i qartë dhe i drejtpërdrejtë në lidhje me shpjegimet rreth çështjes dhe rolit që kam pasur si Ministër në procesin e granteve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Shumë shpejt, do t’iu drejtohem organeve të drejtësisë me një kallëzim penal kundër kallximit të rrejshëm penal ndaj ish deputetit me vota të vjedhura të mërgatës. Sepse ai permes orkestrimit udhëhoqi një fushate, shpifjesh e insinuatash të paqena, që çuan deri te një kallëzim i rrejshëm penal kundër meje si minister. Për fund, dua të përsëris dhe t’ju siguroj se sulmet, akuzat e pabaza, gënjeshtrat, shpifjet, kërcënimet e përpjekja për baltosjen e emrit tim, nuk më ndalin nga punët e mira e punët e mëdha për Kosovën”, thuhet në reagimin e Pecit.
Komente









