Zhurmë po, ama rezultate jo. E zakonshme kjo në Kuvendin e Kosovës. Këtu gjithmonë debatohet, siç thotë populli, sa për sy e faqe.

Dorën në zemër, deputetët duhet arsyetuar pagën e tyre, e cila thuajse është pesë herë më e madhe se sa është paga mesatare në Kosovë.

Privatizimi i fabrikës së amortizatorëve në Prishtinë nga vëllezërit Devolli nga Peja, ka qenë temë debati në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës.

U fol shumë, por në fund thuajse asgjë nuk ndodhi. Një komision parlamentar do të hetojë mënyrën e privatizimit (kështu më parë ndodhi edhe me faturat e fryra të KEK-ut. U hetuan. U krijuan raporte, dhe në fund sikur asgjë nuk ndodhi).

Ndërkaq, kërkesa që ndërmarrja në fjalë të shkojë në ritenderim, nuk mori shumicën e votave të deputetëve të pranishëm në sallë, në këtë rast të Partisë Demokratike të Kosovës dhe partnerëve të saj të koalicionit, partitë serbe e boshnjake, si dhe Aleanca e Behgjet Pacollit.

Ky kohë pas kohe është kritik i proceseve të mëdha të privatizimit në vend, edhe pse në disa nga to, direkt dhe indirekt ka qenë i implikuar ai vetë.

Ky (Behgjet Pacolli) ku ka pasur suksese nuk ka bërë zë, e aty ku dështoi nuk la të zezë pa e thënë. Hetimi i privatizimit të Ndërmarrjeve Shoqërore (NSH), e sidomos ato që janë privatizuar me Spin-Of special është më se i domosdoshëm.

Mirëpo, selektimi i tyre për marketing politik, është tejet i dëmshëm dhe në mënyrë automatike proceset tjera të dyshimta i lë në hije. Privatizimi i gjigandëve ekonomikë siç është hoteli “Grand” në Prishtinë, “Ferronikeli” në Drenas, Fabrika për prodhimin e Çimentos “Sharr Cem” në Han të Elezit të gjitha janë storie. Për të gjitha këto është shkruar gjerë e gjatë, por askush s’po flet për to.

Privatizimi i “Ferronikelit” në Drenas, në atë kohë ka qenë temë e nxehtë debati mes partisë në pushtet (atë kohë Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës) dhe partisë në opozitë PDK-së. Këta të fundit kishin akuzuar në atë kohë Bujar Dugollin për privatizim të korruptuar të kësaj ndërmarrje. Por, së fundi gjërat ndryshuan krejtësisht.

Akuzat heshtën, pasi që lideri i PDK-së mori pjesë në prerjen e shiritit. Nga ajo kohë, askush nuk e foli qoftë një fjalë të vetme e të keqe për këtë, pavarësisht problemeve që ka shkaktuar kompania në atë anë.

I pazakontë dhe krejtësisht larg syve të opinionit ka qenë edhe privatizimit i fabrikës së çimentos “Sharr Cem” në Han të Elezit.

Të gjitha të dhënat, mënyra, shuma, por edhe detajet tjera të privatizimit të këtij gjiganti ekonomik kanë qenë larg syve të opinionit.

Thënë më qartë dhe shkurt ka qenë një proces konfidencial i privatizimit të një ndërmarrje të madhe ekonomike e cila ka punësuar direkt rreth 1000 punëtorë.

Tash për dështime të gjithë po i kritikojnë ndërkombëtarët. Mirëpo, nga fillimi i procesit e deri në fund, rol vendimmarrës kanë pasur edhe vendorët. Ahmet Shala që nga fillimi i procesit ka qenë zëvendësdrejtor i Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Gjatë kohës sa ushtronte këtë funksion ai është kritikuar dhe është akuzuar për montim të proceseve. Madje, nëpër prokurori janë deponuar dosje prej më shumë se 2000 faqesh. Mirëpo, në fund, në vend se të japë llogari për procesin e korruptuar dhe të dështuar të privatizimit, ai u avancua, duke u dërguar ambasador i Kosovës në Japoni.

Marre nga "Zeri"