Një hetues i Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion (SPAK) dhe i Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) është diplomuar këtë muaj në Akademinë Kombëtare të FBI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një nga institucionet më të njohura në botë për trajnimin e strukturave të zbatimit të ligjit.
Bëhet fjalë për hetuesin Eduart Kaloshi, i cili ka përfunduar me sukses programin e specializuar të FBI-së, duke marrë njohuri dhe aftësi të avancuara hetimore. Lajmi është bërë publik nga Ambasada Amerikane në Tiranë, e cila e cilësoi diplomimin e tij si pjesë të bashkëpunimit të vazhdueshëm mes SHBA-së dhe Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Sipas ambasadës, oficerët shqiptarë që trajnohen në këto programe elitare janë ndër më të përkushtuarit dhe pritet që përvoja e fituar të përdoret drejtpërdrejt në hetimet që zhvillon SPAK në vend. Diplomimi i Kaloshit shihet si një vlerë e shtuar për institucionin dhe për përpjekjet për të goditur aktivitetet kriminale.
Postimi i plotë i Ambasadës:
“Çuarja përpara e bashkëpunimit në zbatimin e ligjit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë fillon me ofrimin e mundësive të trajnimeve të nivelit më të lartë për oficerët më të përkushtuar të Shqipërisë. Ne përgëzojmë hetuesin e SPAK/BKH, Eduart Kaloshi, për diplomimin e tij këtë muaj në Akademinë Kombëtare të FBI-së. Eduarti i bashkohet grupit të shquar të ish-studentëve ndërkombëtarë të FBI-së, duke sjellë aftësi dhe ekspertizë të re e të vlefshme në përpjekjet e vendosura të SPAK në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Arritjet e tij do të forcojnë më tej bashkëpunimin e Shteteve të Bashkuara me SPAK dhe do të ndihmojnë në ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt dhe më të begatë për Shqipërinë dhe qytetarët e saj.”
Komente











