Hetuesit e OKB-së gjejnë prova në rritje për krime lufte të forcave ruse në Ukrainë

Hetuesit e OKB-së gjejnë prova në rritje për krime lufte të forcave ruse në Ukrainë

Një raport i ri i Komisionit të OKB-së për Hetime në Ukrainë paraqet një mori provash gjithnjë e në rritje për krime lufte dhe krime të mundshme ndaj njerëzimit të kryera nga Rusia në luftën e saj të agresionit ndaj Ukrainës.

Raporti, që u paraqit të hënën përpara Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, paraqet një panoramë shkeljesh të gjera dhe abuzimesh me popullsinë civile, si dhe të shkatërrimit të qëllimshëm në masë të gjerë të infrastrukturës thelbësore.

"Komisioni është i shqetësuar nga provat e vazhdueshme për krime lufte të kryera nga forcat e armatosura të Rusisë në Ukrainë", tha Erik Mose, kryetar i komisionit.

"Ndërsa gjendemi në vitin e dytë të konfliktit të armatosur, populli në Ukrainë vazhdon të përballet me humbjen dhe me plagët e të dashurve të tyre, me shkatërrimin në masë të gjerë, me vuajtjen dhe traumën, si dhe me vështirësitë ekonomike që kanë rezultuar prej kësaj", tha ai. "Mijëra janë vrarë dhe janë plagosur, dhe miliona vazhdojnë të jenë të zhvendosur brenda vendit apo jashtë tij".

Rusia i bojkotoi punimet dhe nuk ishte e pranishme në sallë për t'iu përgjigjur këtyre akuzave. Në të kaluarën ajo ka mohuar të ketë vendosur në objektiv civilët. Shifrat më të fundit nga Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, flasin për 9,614 civilë të vrarë dhe 17,535 të plagosur, që kur Rusia sulmoi Ukrainën në shkurt 2022. Agjencia vë në dukje megjithatë se numri i viktimave mund të jetë shumë më i lartë.

Statistikat e agjencisë së OKB-së për refugjatët (UNHCR) tregojnë se 5.1 milionë persona janë të zhvendosur brenda Ukrainës, dhe 6,197,200 të tjerë janë larguar drejt vendeve të tjera si refugjatë. Që kur u krijua në mars 2022, komisioni prej tre anëtarësh e ka vizituar Ukrainën mbi 10 herë, për të mbledhur informacion nga autoritetet qeveritare dhe për të "dëgjuar dëshmitë tronditëse" nga viktimat dhe dëshmitarët e abuzimeve.

"Komisioni shpreh keqardhjen që të gjitha komunikimet e drejtuara Federatës Ruse vazhdojnë të mbeten pa përgjigje", tha zoti Mose.

Hetuesit raportojnë se "sulmet me armë eksplozive në zonat e populluara kanë shkaktuar shkatërrim të gjerë dhe dëme, dhe kanë qenë shkaku kryesor i vdekjeve dhe plagosjeve në radhët e popullsisë civile".

Ata kanë dokumentuar sulme me armë eksplozive ndaj godinave të banimit, një stacioni hekurudhor, magazinave tregtare, objekteve mjekësore dhe të tjera, që kanë ndërprerë shërbimet dhe furnizimet jetësore.

"Në shumicën e rasteve, dukej se nuk kishte një prani ushtarake në vendet e dëmtuara, ose në afërsi të tyre", tha zoti Mose.

Në Kherson dhe Zaporizhia, rajone që patën qëndruar gjatë nën pushtimin e forcave ruse, komisioni mblodhi prova të tjera që tregojnë se përdorimi i torturës nga forcat e armatosura ruse në zonat nën kontrollin e tyre ka qenë i përhapur dhe sistematik, duke vënë në dukje se objektivat kryesore të torturës ishin personat e akuzuar si informatorë të forcave të armatosura të Ukrainës.

Mose i tha këshillit se torturat bëheshin kryesisht në qendra të ndryshme të paraburgimit të kontrolluara nga autoritetet ruse dhe se "tortura u ushtrua me një brutalitet të tillë sa shkaktoi vdekjen e disa prej viktimave".

Ai tha se konflikti i armatosur ka patur pasoja shkatërrimtare për fëmijët dhe se komisioni po vazhdon të hetojë situata individuale të transferimeve drejt Federatës Ruse që mendohet se u janë bërë të miturve të pashoqëruar nga autoritetet ruse.

“Shprehim keqardhje që ka mungesë qartësie dhe transparence mbi përmasën e plotë, rrethanat dhe kategoritë e fëmijëve të transferuar”, tha zoti Mose.

Prokurori i Përgjithshëm ukrainas Andriy Kostin, duke iu drejtuar punimeve me një lidhje me video, kritikoi "mizoritë masive të kryera në një shkallë tronditëse nga Rusia gjatë luftës së saj të agresionit kundër Ukrainës".

Ai foli me pasion dhe zemërim për dëmin e shkaktuar ndaj më shumë se 19,000 fëmijëve ukrainas që janë transferuar dhe dëbuar me forcë nga vendi i tyre nga zyrtarët më të lartë të Rusisë.

“Fëmijëve ukrainas u hiqet shtetësia ukrainase dhe caktohen për birësim në familjet ruse”, tha ai. “Është një krim lufte dhe krime kundër njerëzimit, që gjithashtu mund të përbëjnë krime gjenocidi në përputhje me Konventën e Gjenocidit të vitit 1948”.

Mose tha se komisioni ishte gjithashtu "i shqetësuar për akuzat për gjenocid në Ukrainë".

Për shembull, ai tha se "një pjesë e retorikës së transmetuara në mediat shtetërore ruse dhe të tjera, mund të përbëjnë nxitje për gjenocid".

Ai tha se komisioni po vazhdon hetimet për çështje të tilla.

“Vazhdojmë përpjekjet tona për të mbledhur prova që mund të përdoren për qëllime të llogaridhënies gjyqësore”, shtoi ai./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit