TIRANË - Galeria "Art Saranda", është vetëm një pjesë në hapësirën muzeale të qytetit. Ky kompleks përfshin Muzeun e Traditës, Muzeun Arkeologjik, Limanin me gurët cilindrikë, ku lidhen varkat e vogla të peshkimit. Po kështu, pjesë e këtij ansambli është sheshi i shtruar me pllaka guri dhe më tej spiranca-simbol i detarisë, që lartësohet poshtë banesës shekullore, tipike bregdetare, e cila në vite ka plotësuar shërbime të ndryshme komunitare: konsullatë, Bashki, Hotel, qendër biznesi. E gjitha kjo qëndron në mes të gjelbërimit, të bukonvileve, që njihet me sinonimin "lule Saranda", në kurorat e palmave shekullore. Si nyje lidhëse mes tyre janë shkallaret. Të gjitha bëjnë një unitet dhe ndërtojnë imazhin më tërheqës, dëshmi të qytetërimit të këtij qyteti kulturor,mijëravjeçar. Mbishkrimi i vendosur tek spiranca monumentale "Hidhe edhe ti spirancën tënde në këtë qytet", është kuptim-plot dhe bujar. Këtë bënë në thelb edhe tre piktorët: Qirjako Meniko, Buron Kaceli e Vasil Kaçi: hodhën spirancën e tyre në Galerinë e qytetit. Është ky një investim i Bashkisë së Sarandës, një mundësi për t'u ekspozuar dhe vlerësuar krijimet e tyre nga publiku dhe nga ata që, duke ardhur në këtë qytet për të pushuar, e kanë atë një pikë të vizitueshme dhe një pikë të interesit turistik.
Pra: Meniko, Kaceli, Kaçi, që të tre piktorë të kavaletit në interior, si edhe në eksterier, na vijnë në këtë ekspozitë me vepra të dimensioneve që ekspozohen bukur në hapësirat e Galerisë. Ato përcjellin mesazhin estetik të problematikës bashkëkohore. Vizitorët e shumtë, duke lënë impresionet e tyre në shumë gjuhë të botës, në librin e Galerisë, vlerësojnë performancën e lartë të autorëve dhe prezantimin e tyre cilësor e profesional. /ATSH/