Shqipëria për herë të parë do të organizojë Kampionatin Europian U-19 në volejboll për femra. Për këtë qëllim, në Tiranë është hedhur shorti i grupeve, ku kombëtarja e vajzave shqiptare do të përballet me Poloninë, Italinë dhe Bullgarinë.
Shqipëria merr pjesë si vend organizator dhe pritet që vajzat të marrin eksperiencën e duhur, për të bërë një hap më shumë në të ardhmen. Federata Shqiptare e Volejbollit do të organizojë më datat 1-9 shtator të këtij viti finalet e Kampionatit Europian të Volejbollit për kategorinë U-19 për vajza, event ku do të marrë pjesë edhe Shqipëria, si vend organizator.
Sot paradite, në kryeqytet, është hedhur shorti i këtij eventi, ku përveç drejtuesve të FSHV-së të pranishëm kanë qenë edhe drejtuesit e Federatës Europiane të Volejbollit, që kanë organizuar dhe monitoruar hedhjen e shortit.
Shqipëria, e cila drejtohet nga trajneri Roland Tarja, është pozicionuar në Grupin A, së bashku me ekipet e Polonisë, Italisë dhe Bullgarisë, ndërsa në Grupin B janë ekipet e Turqisë, Rusisë, Serbisë dhe Francës. Kjo është hera e parë që Shqipëria organizon një event të tillë madhor në sportin e volejbollit.
Unë dua të falenderoj Federatën Europiane të Volejbollit, e cila na besoi këtë organizim kaq të rëndësishëm, që është përtej pritshmërive tona, por me ndihmën e Ministrisë së Arsimit e Sportit, Bashkisë Tiranë dhe shumë aktorëve të tjerë, neve kemi bërë që ky organizim të jetë në parametrat e duhura.
Presidenti i FSHV-së, Erlind Pëllumbi
Për t’u përcaktuar janë edhe 4 ekipe të tjera, nga dy për secilin grup, që do të dalin nga një fazë eliminatore që do të organizohet në qershor, në Rumani e Greqi.

( Shorti i Europianit të volejbollit për femra )
Komente











