Gjithashtu, janë dëgjuar edhe këngë greke, ndërsa nuk kanë munguar as fyerjet e sharjet e himarjotëve në drejtim të forcave të policisë. IKMT të shoqëruar nga forca të shumta policore si "Shqiponjat" dhe FNSH, nisi mëngjesin e kësaj të marte operacionin për shembjen e rreth 22 banesave për t’i hapur rrugë rikualifikimit urban të Himarës.
Deri tani mësohet se janë prishur tetë objekte kryesisht dyqane dhe mure rrethuese të shtëpive. Për 12 objektet e tjera pritet vendimi i Gjykatës së Vlorës. Vendimi i dhënë nga Gjykata Administrative e Shkallës së parë Vlorë, e cila pranoi sigurimin e padisë se disa familjeve duke urdhëruar inspektoratin e mbrojtjes së territorit Himarë që te mos kryeje asnjë veprim mbi pronat e tyre.
Fatmir Meta, drejtori pranë IKMT ka theksuar se vendimi i Gjykatës për masën e sigurisë ndaj pronave të të gjitha familjeve është i paligjshëm dhënë nga Gjykata e Vlorës.Ndërkohë INUV Himarë ka apeluar vendimin e Gjykatës ndërsa aksioni pritet te vijojë në ditët në vijim edhe pas shprehjes se Gjykatës.
Janë rreth 80 banesa të vjetra të cilat pritet të shemben nga realizimi i këtij projekti. IKMT paralajmëroi banorët e Himarës dy javë më parë se kanë 5 ditë kohë për të liruar banesat, pasi më pas do niste operacioni për shembjen e tyre.
VIDEO/ Himarjotët protestojnë me flamur grek e amerikan kundër prishjes së banesave
Vetë banorët e Himarës kanë kundërshtuar projektin duke e cilësuar atë si gjenocid, pasi sipas tyre nuk parashikohet dëmshpërblimi sipas ligjit, ndërsa një problem tjetër i ngritur ka qenë edhe mungesa e certifikatave të pronësisë për disa nga banesat e vjetra. Banorët refuzuan pak ditë më parë negociatat me ministrin Gjiknuri.
[gallery]24479[/gallery]
Kujtojmë që plani për shembjen e këtyre banesave në Himarë ka sjellë edhe reagimin e Athinës Zyrtare, të cilët kanë kushtëzuar ecurinë e Shqipërisë drejt BE me respektimin e të drejtave të pakicës greke.
Njoftimi i policisë:
Lidhur me zbatimin e vendimit për prishjen e disa objekteve në kuadër të Projektit ''Rikualifikimi urban në Spille-Himarë'', i cili është duke u zhvilluar, bëjmë me dije se :
Në mbështetje të organeve ligjzbatuese (IKMT-së) të cilat marrin pjesë në shëmbjen e disa objekteve lidhur me Planin Rregullues në Himarë, për funksionimin dhe garantimin e ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike në këtë aksion janë në gatishmëri të plotë rreth 163 forca policore.
Ndër këto forca, 10 janë grupe të FNSH-së si edhe shërbime të tjera Policore prej DVP.Vlorë, prej Komisariatit të Policisë Sarandë, Himarë dhe Delvinë.
Aktualisht bëhet me dije se janë prishur 5 objekte.
Në ambientet Policore është shoqëruar një shtetas për arsye se ka tentuar të shkaktojë zjarrvënie në një autobot me gaz i cili ndodhej në ambientin ku po shëmben objektet.
Policia e DVP.Vlorë së bashku me Grupet e FNSH-së janë në gatishmëri për mbarvajtjen sa më të qetë dhe pa probleme për shmangien e çdo të papriture si edhe parandalimin e ndonjë akti të mundshëm kriminal deri në përfundim të aksionit !
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com