Himarë- Ktheu tabakinon në ‘dyqan’ shitjeje të kokainës dhe hashashit, arrestohen pronari dhe punonjësi në Himarë.
Përveç lëndës narkotike, agjentët e Antidrogës zbuluan dhe sekuestruan mbi 1,5 mln lekë të vjetra, valutë shqiptare dhe e huaj, që dyshohet se ka burim aktivitetin e paligjshëm.
Policia e Vlorës bëri me dije se sot (12 Gusht), ka finalizuar operacionin e koduar “Parts 24”, duke arritur që pas gjurmimeve dhe informacioneve, të prangosë A. C., 45 vjeç dhe E. M., 37 vjeç, banues në qytezën bregdetare.
Ndaj të dyshuarve rëndon akuza e “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet mësohet se 45-vjeçari kishte punësuar të ndaluarin tjetër për të shërbyer në “Tabacchino”,, por pas kontrollit të uniformave blu në subjekt, janë gjetur dhe sekuestruar sasi të lëndës narkotike kokainë dhe kanabis, një pjesë e ndarë në doza gati për shitje. Gjithashtu një shumë parash prej 74,000 lekësh, 100 franga dhe 660 euro, si dhe 4 aparate telefonike celulare.
“Pas verifikimeve të kryera, ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi siguronin lëndën narkotike kokainë dhe kanabis, e ndanin atë në doza dhe e shisnin në këtë subjekt”, sqaroi policia vendore.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme, me qëllim zbulimin e personave të tjerë të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm dhe gjetjen e furnizuesve të mallit. Dyshohet se ‘target’ klientësh ishin kryesisht turistët e huaj.
Komente

