“Mëngë këmishe” është një himn për jetën dhe pasionin…..një këmishe vishet së prapthi si një metaforë e përpjekjes për të rinisur jetën nga e para, me shpresën që të jetë ajo e duhura, ajo në të cilën nuk do të bëjmë të njëjtin gabim” - shprehet regjisorja Bako në një postim në Facebook duke tentuar të intrigojë publikun mbi filmin e saj më të fundit.
“Mëngë këmishe” është filmi i pestë me metrazh të shkurtër i regjisores dhe aktores Suela Bako, pas “The director”, “Fllad”, “Det” dhe “Darka”. Ky i fundit i dhuroi Bakos çmimin e filmit më të mirë në “Gjakova Film Festival”, në mars të vitit të kaluar ndërsa është vlerësuar në dhjetëra festivale të tjera brenda dhe jashtë vendit.
Të bie në sy që thuajse në të gjithë filmat e saj, Bako përveçse vë në jetë skenarët e saj, preferon të ketë si aktorë të personazheve, pikërisht anëtarët e familjes, bashkëshortin aktorin Romir Zalla dhe dy fëmijët.
E pyetur nga Shqiptarja.com përse kjo zgjedhje, Bako shprehet se historitë frymëzohen pikërisht nga jeta e saj dhe anëtarët e familjes.
“Filmi im i parë “Det” kishte në qendër një piktor të lidhur shumë me nënën e tij, të cilën kur e humbet, humb edhe vetë në kujtimet me të. Kështu që kush më mirë se im bir dhe unë, do të ishte dyshja e duhur. Edhe te filmi “Darka” duhej të kishte një kimi mes personazheve, babait dhe vajzës së vogël, në mënyre që në lidhjen e tyre të nëndheshme në film të përcillnin ndjesi sa më të sinqerta dhe të imta. Kush më mirë se im shoq dhe e bija mund ta bënte këtë. Veç kësaj, roli rolin e personazhit kryesor e kam shkruar pikërisht për Romirin, ndaj as më shkonte ndërmend që ta luante dikush tjetër, edhe thjesht për faktin se ai mund ta bënte më mirë se kushdo”-shprehet regjisorja.
Bashkëshorti Romir Zalla dhe vajza Kaltrin, janë edhe kësaj here pjesë e historisë që vjen me filmin “Mëngë këmishe”.
“Tek ky film, një vajzë e vogël sillet rrotull si sImbol i dëlirësisë, jetës dhe muzikës…Kaltrin realizoi atë figurë që unë kisha në mendje, pa as më të voglin hezitim. Dhe ajo që kuptova pas xhirimit të filmit ishte se ime bijë është rritur dhe ka të dhëna të mira për kameran. Në fakt është pikërisht arsyeja pse në filmat e mi luajnë fëmijët e mi”, -shpjegon Bako.
Fillimisht ajo i mendonte fëmijët, Kaltrin dhe Hermes, si pjesë e filmave të saj, që ata të kishin nga një kujtim të bukur, pa e menduar se në këtë mënyrë po i orientonte drejt një rruge tepër të vështirë por dhe shumë të bukur, që ndjekin prej vitesh prindërit e tyre.
“Gjithsesi, historitë e mia, ushqimin kryesor e marrin nga jeta ime dhe pjesëtarët e familjes time janë shumë të rëndësishëm, dhe fatmirësisht edhe aktorë”-thotë Bako.
Regjisorja nuk e mohon se do të ishte bukur të fitonte në TIFF, aq më tepër që ky film është i pari që pas masterit të saj në Universitetin e Arteve për regji filmi dhe televizive.
"Mëngë Këmishe" me regji dhe skenar të Suela Bako, është një prodhim i EraFilm Production i financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, me bashkëprodhimin e Kinostudio Dardan.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)