Kështu në strofën e dytë vargu i tretë dhe i katërt nga vargu original - /kush është BURRE nuk frikohet/por vdes por vdes si një dëshmor!- Të bëhet : As GRATE, as BURRAT nuk frigohen/ por vdesin, vdesin si dëshmorë!
Në strofën e 6 vargu original -/Trim BURRË quhet dhe nderohet /Atdheut kush i-u bë therror/ Për jet ay do të kujtohet/ Mi dhet, mi dhet si një shenjtor
Të bëhet - /GRA edhe BURRA do nderohen/ Atdheut kush i-u bë therror: Për jet ata do të kujtohen/ Mi dhet, mi dhet se jane shenjtorë.
Ndërhyrjet janë ende në fazën e konsultimeve dhe bëhen në kontekstin e 100 vjetorit të pavarësisë. Zyra e shtypit e Avokatit të Popullit kërkon të sqarojë se në emisionin e “Tonight” të gazetares Ilva Tare, mbrëmjen e së enjtes, kreu i këtij dikasteri, zoti Igli Totozani nuk ka thënë që "teksti diskriminon gratë". "Teksti i Asdrenit është i mrekullueshëm, duam të përgatisim një propozim që përfshin edhe gratë”.
JA NDRYSHIMET QË PROPOZON AVOKATI I POPULLIT
Strofa 2 Origjinali
Prej lufte vec ay largohet
Që është lindur tradhëtor
Kush është BURRË nuk frikohet
po vdes,po vdes si një dëshmor!
Strofa 2 Propozimi për ndryshim
Prej lufte veç ata largohen
Që janë lindur tradhëtorë
As GRATE, as BURRAT nuk frigohen
por vdesin, vdesin si dëshmorë!
Strofa 6 Origjinali
Trim BURRE quhet dhe nderohet
Atdheut kush i-u bë therror:
Për jet ay do të kujtohet
Mi dhet, mi dhet si një shenjtor
Strofa 6 Propozimi per ndryshim
GRA edhe BURRA do nderohen
Atdheut kush i-u bë therror:
Për jet ata do të kujtohen
Mi dhet, mi dhet se jane shenjtorë
Teksti i plote i himnit nese ndryshohet:
(ASDREN 1872 - 1947)
Himni i Flamurit
Rreth flamurit të përbashkuar
me një dëshirë dhe një qëllim
Të gjithë atje duke u betuar
Të lidhim besën për shpëtim
Prej lufte veç ata largohen
Që janë lindur tradhëtorë
As gratë, as burrat nuk frigohen
por vdesin, vdesin si dëshmorë!
Në dorë armët do t'i mbajmë
E mbrojmë Atdhenë në çdo kënd,
Të drejtat tona ne s'i ndajmë;
Këtu armiqtë s’ kanë vënd
Se zoti vetë e tha me gojë
Që kombet shuhen përmbi dhe
Po Shqipëria do të rojë:
për të, për të luftojmë ne!
O flamur, flamur, shënj' e shënjtë
Tek ti betohemi këtu,
Për Shqipërinë' atdhe i shtrenjtë
Për nder edhe lavdimn' e tu.
Gra edhe burra do nderohen
Atdheut kush i-u bë therror:
Për jet ata do të kujtohen
Mi dhet, mi dhet si t'jen shenjtorë
SI NDRYSHOI HIMNIN AUSTRIA
Më shtatë dhjetor të vitit të që lamë pas, Austria vendosi të ndërroj himnin. Përveç "bijve" në himn, do të hyjnë edhe "bijat". Qëllimi i këtij ndryshimi ishte barazia gjinore në Austri. Kristiano-demokratët (– PPA, Partia Popullore e Austrisë) ishte kundër ndryshimit, por në Kuvend u aprovua versioni i ri. Në poezinë e Paula Preradovic, në vargun ku thuhej: Vendi (atdheu) i bijve më të mëdhenj...“ u ndryshua në : “...i bijave, bijve më të mëdhenj.” Për këtë ndryshim qe diskutuar gjatë dhe tani u arrit ndryshimi. Nga një janari i vitit te kaluar është në përdorim versioni i ri.
Propozimi, ende në fazën e konsultimeve të Avokatit të Popullit ka hasur në kundërshti dhe rezerva nga akademikë, historianë të cilët janë kundër prekjes së poezisë që Aleksandër Stavri Drenova e shkroi në 1908 dhe që u kthye në himn kombëtar. “Ka mjaft hapësira për të respektuar të drejtat e gruas. Kjo do të cenonte rëndë momentin historik, të vërtetë, traditën.”- thotë akademikë Rexhep Qosja. Historiani I njohur Kristo Frashëri thotë se për këtë duhen pyetur konstitucionalistët, dhe pastaj është kuvendi që ka të drejtë të vërë dorë mbi tekstin. Luan Omari thotë se ligjërisht është e mundur, por s’e zgjidh kjo çështjen e grave.
(sg/shqiptarja.com)