Parlamenti italian përmes një vendimi të fundit që ka miratuar, ka vendosur që të heqë taksën për të gjithë drejtuesit e automjeteve të tonazhit të rëndë që hyjnë në Itali.

Lajmin për këtë vendim e ka dhënë Kryeministri Edi Rama i cili përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka falenderuar homologun e tij italian, Matteo Renzi për vendimin e marrë, një vendim ky i shumëkërkuar nga transportuesit shqiptarë.

Kjo taksë është aplikuar deri tani vetëm për drejtuesit e automjeteve që kishin targa shqiptare dhe ata të Marokut.

Ajo ka filluar që të aplikohet që në vitin 1956 dhe një maune i shtoheshin kostot nga 250 – 300 euro përçdo ngarkesë.

Shoferët shqiptarë të rreth 25 mijë mjeteve në vit paguanin deri tani 9 herë më shumë taksa se vendet e rajonit kur kalonin në Itali. Sipas transportuesve, kjo kosto e rëndë krijohej për shkak të detyrimit prej 9.3 eurosh për çdo ton të ngarkuar, që i detyronte shpesh operatorët shqiptarë të transportit të përdornin mjete me targa të shteteve fqinjë për ta shmangur. Shoqata e Transportuesve Shqiptarë e ka quajtur në vite këtë taksi si diskriminim.

Sipas transportuesve, dy janë taksat më të rënda: ajo e qarkullimit dhe e peshës, që kanë diferenca marramendëse nga ato që paguajnë shoferët e vendeve fqinjë në Itali.
Deri më tani ishte folur shpesh, por nuk ishte ndërmarrë asnjë hap konkret për zgjidhjen e situatës. Ndërkohë, arka e shtetit shqiptar humbiste çdo vit shuma të konsiderueshme nga pagesat e munguara të taksave, para të biznesit shqiptar, të cilat aktualisht shkonin te financat e vendeve fqinjë.

Ja statusi që Edi Rama ka hedhur në Facebook
 Lajm i mirë: Parlamenti italian heq detyrimin e transportuesve shqiptarë për #‎DirittoFisso  & taksën e qarkullimit. Grazie @MatteoRenzi



Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)