Nga viti 2021 biznesi me xhiro nga 0-14 milionë lekë nuk do të paguaj më tatimin mbi fitimin. Kuvendi ka miratuar projektligjin e radhës për përjashtimin e biznesit me xhiro nga 5-8 milionë lekë nga tatimi i thjeshtuar mbi fitimin që paguhet pranë pushtetit vendor. Ndërsa në korrik u miratua edhe zerimi për kategorinë tjeter nga 8-14 milionë lekë.
“Tatimi i thjeshtuar mbi fitimin, për tatimpaguesit me këtë qarkullim vjetor nga 0 (zero) deri në 5 milionë lekë, është 0 (zero) lekë në vit. Nga kjo lehtësi fiskale do të përfitojnë rreth 5 mijë e 311 biznese, të cilat janë biznese të vogla”, u shpreh ministrja e Financave Anila Denaj.
Seanca plenare nuk ka kaluar pa akuza, pasi një pjesë e deputetëve të opozitës, e kanë cilësuar propagandë parazgjedhore këtë vendim.
“Kemi mësuar që edhe ato premtime që bëhen për fushatë elektorale mbeten. Pra në fund të fundit nëse biznesit sot i ulen taksa dhe tatime dhe i lehtësohen kostot e bizneseve mirose të vij”, tha Edlira Hyseni.
“Thuhet në projektligj që arsyeja është COVID-19, kjo do të thotë se pas një gjendje sigurie pas COVID, qeveria mund të vendosi sërish tatimin e thjeshtuar. Pra kemi të bëjmë me një truk elektoral të qeverisë dhe jo sjellje të re ndaj biznesit”, pohoi Artur Roshi.
“Kjo nuk është masë për të mbështetur biznesin, këto janë minimasa në nivel mikro që po ndërmerrni para fushatës zgjedhore”, tha Ralf Gjoni.
“Të tilla nisma shpresoj të ketë gjithmonë Shqipëria dhe ti mbështesim të gjithë bashkë”, deklaroi Halit Valteri.
“Fillojë propaganda juaj e mashtrimit elektoral ne nuk punojmë për zgjedhjet nuk punojmë për të mbledhur vota punojmë për popullin. Po si do e gënjeni ju popullin kur nga sytë këmbët po e syrgjiosni”, tha Fationa Dhimitri.
“Është një farë mase që të gjitha qeveritë në tridhjetë vite post komunizëm janë përpjekur ta kryejnë në gjashtëmuajshin e fundit të mandatit me amnisti, në prag zgjedhjesh”, deklaroi Myslim Murrizi.
Vendimi për heqjen e tatim fitimit dhe të TVSH me xhiro nga 0-10 milionë lekë do të përfitojnë 91% e bizneseve në vend. Janë 46 mijë biznese për 9 vite nuk do të paguajnë TVSH duke filluar nga janari dhe pa tatim fitim 111 mijë biznese të vogla. Nga këto përjashtime buxhetit të shtetit do ti mungojnë 40 milionë dollar në vit./Përgatiti Eliza Gjediku
Lajmi kryesor: