Banorët e qytetit japonez Hiroshima kanë përkujtuar sot 70-vjetorin e bombës së parë atomike, të lëshuar nga SHBA në luftën e dytë botërore.

Në ceremoninë kryesore në parkun memorial në Hiroshima ka qenë i pranishëm kryeministri Shinzo Abe, Kryetarja e Bashkisë Kazumi Matusi, si dhe ambasadorja amerikane në Japoni Caroline Kennedy.

Kryeministri Abe në fjalën e tij bëri thirrje për një botë pa armë bërthamore, duke u shprehur se bomba në Hiroshima nuk shkaktoi vetëm vdekjen e mijëra vetave, por solli edhe vuajtje tek të mbijetuarit.

“Hiroshima është ringjallur. Është bërë një qytet i kulturës dhe i prosperitetit. 70 vjet pas ngjarjes më duhet të ritheksoj nevojën për një botë në paqe, pa armë bërthamore”, përfundoi Abe.
 
Gjatë ceremonisë janë lëshuar mijëra fenerë mbi lumin Motoyasu në këtë qytet, ndërsa e gjithë Japonia mbajti një minutë heshtje, në kujtim të personave të vrarë.

Më 6 gusht 1945, saktësisht në ora 08:10, bomba që u lëshua mbi qytet, u mori jetën e 70 mijë vetëve, kurse mijëra të tjerë vdiqën nga lëndimet dhe rrezet radioaktive pas disa ditësh, javësh dhe muajsh. Misioni për hedhjen e bombës u udhëhoq nga kolonel Paul Tibets ndërsa Bomba ishte mbiquajtur "Little Boy".